Legalizohen ligjet e natyrës…

888
Braho DUNAVATI
Flitet, thuhet, me të dëgjuar e kam, se, së shpejti në Legjislaturën e re të Kuvendit ( jo popullor ) do të miratohet një nga ligjet më të rëndësishëm të të gjitha kohërave : “LEGALIZIMI I LIGJEVE TË NATYRËS…” Fakti që është vonuar gjer sot, lidhet me një debat të hershëm brenda komisionit të ligjeve se si t’ia vinin kokën: “Ligje TË NATYRËS apo TË PERËNDISË.” Njëra palë akuzon tjetrën se, ju prishët kishat e xhamitë. I vutë kazmën dhe, aty ku i kishin çatitë në gjendje , i kthyet në depo, hangarë, stalla bagëtish… Ndërsa priftërinjtë, dervishët e hoxhallarët i detyruat të shisnin cigare… Këtë luftë, si besimtarë të devotshëm e konkretizuan me ndërtimin në çdo cep të vendit të kishave e xhamive. Nga zelli i tepruar ngritën nga një kishë e xhami pranë selive qendrore të atyre përmasave që nuk janë ngritur as në Mesjetë. Edhe para selisë së ligjvënësve është duke u ndërtuar një xhami gjigante me katër minare që do t’i a kishte zili edhe Anadolli… Për mëkëmbës të tyre në tokë importuan e përgatitën klerikë. Madje, si për çdo çështje që ne jemi të parët në bot ,morëm flamurin e tolerancës fetare dhe i vumë të tre prijësit e besimeve kryesore, të parakalonin krah për krah në Bruksel… E vërteta është që të dy palët në këtë pikë arritën në konsensus. Do të thoni ju, se janë besimtarë? Të devotshëm? Po ata, po të kishin frikë nga Zoti nuk do të vidhnin me të dy duart… Me sa dimë, ligjvënësit, kanë rënë dakord që këto ligje t’i quajnë: Mbi fuqinë e njeriut, pavarësisht në se janë të Zotit apo të natyrës. Edhe ne, për lehtësi shkrimi, këtu e më poshtë do t’i quajmë ligje të natyrës… Po ta vësh re hollë, zbatimi (inplementimi, siç i thonë parlamentarët) ka filluar kohë më parë. Marrim për shembull në BIOLOGJI ligjin e fekondimit. Për të realizuar vazhdimësinë e jetës, mashkulli shkon te femra qoftë kjo lule, zog, peshk, ujk apo qen. Këtë ligj edhe po nuk e zbatuat e legalizon parlamenti dhe në martesat burrë me burrë mund të shumohen nga brima e pasme… Në po të njëjtën mënyrë janë inplementuar pjesërisht edhe shumë ligje të FIZIKËS. Marrim për shembull ligjin e tërheqjes universale të trupave. Vetë toka është e varur, vjen rrotull diellit, ndërsa tek ne, në zbatim të këtij ligji janë miratuar mbi njëqind parti, organizata, shoqata, televizione, gazeta, agjenci, komisione, projekte krejtësisht të pavarura… Edhe ligji i gravitetit, i rënies së lirë, ka kohë që është rishikuar. Mund të biesh nga çdo lloj lartësie e të mos e thyesh qafën. Ose mund ta lesh xhaketën pa e varur, as në kremastar e as në gozhdë dhe të qëndrojë në ajër… Po kështu ligji i inercisë. Makinat mund të ecin me shpejtësi sa të duan, edhe pa frena, të bëhen përshesh me njëra tjetrën se i legalizon Parlamenti. Vijojmë më poshtë me SHKENCAT E NATYRËS. Do të shikohet çështja e ujit që zbret nga lart – poshtë. Siç dihet, Qeveria mund ta ngrejë edhe nga poshtë/lart. Lumenjtë mund të burojnë nga deti e të ngjiten në male… Shiu, të mos bjerë në pranverë e në vjeshtë kur nuk i hyn në punë njeriu, por të shpërndahet sipas “ligjit”… Bile edhe në parcela: në verë të bjerë te e imja, …në dimër te e komshiut… Marrim ligjet e KIMISË. Nuk do të lejohen sëmundjet kanceroze nga mbeturinat. Ato lejohet të hidhen në lumenj, në rrugë, poshtë pallatit, në kafene, sipas qejfit. Do ndërtohen impiante moderne me partnerë të fuqishëm privatë që do t’i “shterin mbetjet… Kështu mund të themi për të gjitha shkencat me radhë, pavarësisht se u zhdukën mbi 40 institute kërkimore-shkencore, e tani së fundmi edhe Akademia e Shkencave në oborrin e ligjvënësve. Një pjesë të rëndësishme në draft zënë edhe SHKENCAT SHOQËRORE që zakonisht trajtoheshin si llafe… Marksi, nga shkencëtari më i madh i mijëvjeçarit, i vlerësuar gabimisht në Perëndim, do të vazhdojë të damkoset më tej si heretik, bashkë me teorinë e mbivlerës, të luftës së klasave, të evolucionit dhe revolucionit …Këto nuk janë ligje, por propagandë partiake. Ndonjë mendjeshkurtër thotë, se të zbulosh ligjet e kimisë, të fizikës, të astronomisë, është më lehtë se sa të bësh ligje për shoqërinë njerëzore. Sepse për shkencat ekzakte ke laboratorë që, siç i lë në darkë i gjen në mëngjes; ndërsa me njerëzit ngatërrohesh kur të duash. Se, e lë deputet në një parti e të gdhihet deputet në partinë tjetër… Këta nostalgjikë pretendojnë se kapitalistët që vlerësuan Marksin, bënë mensa, përmirësuan jetën e të varfërve, që të mos u hidheshin në fyt… Në bazë të ligjeve ekzistues; 30 për qind e popullsisë nën minimumin jetik quhen “ zotërinj…” Me hyrjen në fuqi të ligjeve të reja, kjo shifër pritet të rritet më shumë. Edhe gjysma e popullsisë që ka marrë në përdorim disa dynymë tokë, e që sot quhen fermerë, me legalizimin e ligjeve të natyrës do të quhen latifondistë… Do të legalizohet ligji kryesor i ndarjes së shoqërisë në dy klasa:të pasur dhe të varfër. Tek ne do të ketë vetëm të pasur…Tani në janar kur pritet të kapen peshqit e mëdhenj, do të mbeten vetëm peshq të vegjël, të cilët,për të mbijetuar do të hanë njëri-tjetrin. Së fundmi, në kuadrin e ligjeve TË EKONOMISË, do të rishikohet për të fundit herë ligji i pronave. Shkenca, si dogmë, thotë se prona vendos rendin ekonomiko- shoqëror. Pra, skllavopronar, feudal, kapitalist apo komunist. Tek ne është Kuvendi ai që përcakton pronarët dhe pronat. Deri tani janë hasur disa vështirësi që pritet të marrin fund me hyrjen në fuqi të legalizimit të ligjeve të natyrës. Mua për veten time ligji i pronave më kujton çarçafët e Teto Mihos kur ishim të vegjël. Ajo, megjithëse e pastër, i nderte çarçafët në avllinë pa portë, por u kishte ardhur radha të arnonte edhe nga arnat e nuk dukej më, se cila ishte pëlhura bazë… Pronës i u turrën të gjithë, nga Jugu e nga Veriu; ngritën shtëpi ,vila, baraka, ku mundën. 500 mijë ndërtime pa leje. Po t’i vësh nga 4 vetë brenda një shtëpie, dalin 2 milionë njerëz që jetojnë pa ligj…Gati aq sa ka banorë Shqipëria. Del që, me leje, është vetëm Qeveria!… Prandaj, duke qene legjitime, legalizon ata pa leje… Nuk e dimë ku kanë studiuar këta juristë që nxjerrin ligje për të mos zbatuar ligjin!? Nuk e çmon dot aftësinë gjuhësore të këtyre mjeshtërve, kur i rrotullojnë termat: shqip e në gjuhë të huaj, për të bërë bashkë legalen me ilegalen, ligjin me antiligjin aq sa të mos dish kë të zbatosh. Autorësia e vërtetë e këtyre shpikjeve u takon partive. Unë për veten time fjalën “parti” e kam dëgjuar për herë të parë kur isha fëmijë nga disa të afërm që punonin në fabrikën e lëkurë-këpucëve. Ata thoshin se hodhën në gropat e gëlqeres një parti të imtash, pastaj një parti lëkurësh gjedhi ku më të preferuarat ishin ato laramane etj. Pastaj me to bënin shollë, shevro e më pas, sandale, këpucë, çizme… Edhe tani këto parti regjin lëkurët tona, “malokë”, “lalë”, “gegë”, “toskë”. Madhështia e ligjit që pritet të miratohet, qëndron në meritën se, për herë të parë, nuk i ndan, por i bashkon tërë njerëzit… Do të legalizohen njëlloj para ligjeve të natyrës. Se i kap të gjithë edhe lindja edhe vdekja; edhe nata edhe dita; edhe breshëri edhe shiu; edhe thatësira, edhe përmbytja; edhe tërmeti, edhe rrëshqitja… Në bazë të këtij ligji; Karavastaja, Tërbufi, Maliqi, Zadrima, Torovica do të bëhen të lundrueshme e të përshtatshme për gjueti. Embargoja e këtij zanati do të hiqet se ai nuk bie më ndesh me plantacionet e hashashit. Për këto do të votojë parlamenti, mazhoranca, partia,Qeveri ; pra vetë Natyra, vetë Perëndia… Aferim u qoftë! 
Sigal