Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama Poetët thonë gjëra të çuditshme

150
Sigal

«Gjatë gjumit hipnotik poetët thonë gjëra të çuditshme»

– shkruante dikur poeti Jean Cocteau.

Sigurisht ata e shohin ndryshe natën e botës dhe agun njerëzor

fijen e barit dhe vesën e mëngjesit mbi një shpirt,

drithërimën e një vajze të trishtë me hapin e saj të përhumbur.

Ata flasin për zjarre në qiell, që ndizen e shuhen kushedi nga ç’dorë.

Poetët thonë gjëra të çuditshme, herë të ngazëllyer:

herë në jerm,

fjalë të shkëputura që enden nëpër erë,

kumte për lirinë.

Poeteshat duken menjëherë kur dashurojnë

dhe kur janë të plagosura për vdekje!

Poetët thonë gjëra të çuditshme për fatet njerëzore

se themel të çdo ngrehine, ure, kështjelle

së pari duhet blatuar dashuria, – thonë ata!

Se legjendat janë gjithnjë dashuri të pakryera,

udhëtime bohemësh mbetur përgjysmë

kushedi në ç’han, kushedi në ç’breg,

ku qiejt përthyhen në det.

Poetët nuk dinë të gënjejnë, ata janë si fëmijët.

Kur Lorkës i thanë se do ta pushkatonin

ai nuk e besoi.

“Si mund të qëllohet një zemër poeti,

në Grenadën e shenjtë, në bregoren ku ulliri bulëzon?”

Po kështu dhe Neruda kur e çuan me forcë në spital

në kllapinë e tij të fundme,

nuk e besonte se diktatorët mund të vrasin poetët.

Kështu nuk besonin as adhuruesit e tyre, Blloshmi, Leka e të tjerë.

Dy plagë të hapura nën tokë,

që ende s’janë mbyllur,

pasi aty janë rrënjët e karafilëve të lirisë:

karafilë dhe për kohët që do vijnë…

Po, poetët thonë gjëra të çuditshme,

ata u murmurisin zogjve, sorkadheve, kuajve,

dinë të paqtojnë shpirtra.

Mërmërisin përralla mistike:

ku bajlozët, kuçedrat, perandorët, neronët,

më në fund gjunjëzohen e vdesin gjithashtu.

Fjalët e tyre enden nëpër botë si flutura argjendi

në kohë eklipsesh…