Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Malli për shpirtin e kuq

MALLI PËR SHIRITIN E KUQ

Fadili me Maxhunin e ruanin miqësinë e viteve të rinisë edhe tani që kishin dalë në pension. Të dy ishin figura të nderuara dhe të respektuara në qytet. Njëri si humorist me emër, i njohur anë e kënd vendit, e tjetri një futbollist i shquar që pati luajtur edhe me ekipin kombëtar. Takoheshin shpesh, uleshin në ndonjë lokal, ku mblidheshin edhe  shokë të tjerë dhe duke rufitur kafetë, kujtonin historira nga koha e shkuar. Natyrisht që në këto biseda nuk mungonin shakatë e kripura të Fadilit, të cilat bënin që të gjithë sa qenë aty, të shkriheshin gazit. Me një fjalë, aty sajohej një lloj estrade pa para, ku pensionistë apo të papunë, ulur në tavolinat rreth e rrotull, kalonin kohën. Një ditë, Maxhuni i tha Fadilit se kishte takuar Cenin, i cili kishte kohë që jetonte në Itali. Ai qe larguar me ata të eksodit të parë, dhe kishte arsye, pasi ishte troku. Me bukë nuk i ngopte kalamajtë, me atë rrogën e vogël që merrte si punonjës shërbimi në stadium. “Po e kishte kapur veten shejtani, se ka qenë hallexhi. – shtoi Maxhuni – I kishte ecur. Kishte kapur një punë të mirë, kishte tërhequr dhe familjen dhe jetonte si pasha”. “Shih, shih, jevgu. – qeshi Fadili – Nuk ja përtonte punës ai. Qosh më qosh i binte stadiumit. Mbante dhe një shirit të kuq, të kujtohet? Vizonte me gëlqere sa fushën e sa pistën”. “Dhe drejtonte tifozët për te vendet e tyre. Nuk e kishte detyrë, por e kishte zgjedhur vetë këtë…”. “Për t`u dukur i rëndësishëm. Vishej me një palë tuta fanellate të zbardhura. – shtoi Fadili – Po sa do rrinte?” “Nuk e di, po ndofta nja një javë më duket. I thashë ku të na gjejë, se kishte dëshirë të na takonte dhe të na qeraste”. Dhe vërtetë, të nesërmen, Ceni u duk te dera e lokalit. Të parit iu hodh në grykë Fadilit të cilin e puthi dhe e përqafoi me mall. “Sa herë e shoh atë filmin tënd me Mao Ce Dun, u them fëmijëve se këtë arixhiun e kam shok. Ata kënaqen. Tani porosisni ç`të doni. Kamerier, na sill tre dopjo Wiski”. Dhe duke trokitur gotat, si kaloi me biseda të ndryshme nja një gjysmë ore, Ceni tha: “Ah mor Fadil! Sa lodheshim për të gjetur ndonjë biletë kur kishe shfaqje. E mban mned?”. “Si nuk e mbaj. Ishte kohë e artë, të korrje duartrokitjet e miletit. Jo vetëm në Durrës, po kudo që shkonim, edhe nëpër fshatra, nuk dinin si të na nderonin. Më merr malli për ato vite”. Këtu ndërhyri Maxhuni, që deri tani kishte dëgjuar: “Pse ne futbollistët, a nuk provonim po ato emocione? Po atë kënaqësi kur dilnim në fushë. Le pastaj kur shënonim. Ngrihej peshë stadiumi dhe brohoritjet nuk kishin fund. Buçisnin radiot kur transmetohej ndeshja. Na prisnin jashtë tifozët dhe gati e ngrinin peshë autobusin e ekipit, Të nesërmen, gazetat mbusheshin me lëvdata për emrat tanë. Na njihte dhe nderonte i madh e i vogël. Le kur kishim takime me ekipe të huaja…” Ah, ç`kohë ishin ato. Edhe sot më rrëqethet mishi”. Kur e pa se Maxhuni mbaroi, foli edhe Ceni: “Keni të drejtë o burra. Ato kohë nuk vinë më. Ja; unë i kam të gjitha atje në Itali, po ke parë ti, më merr malli për punën që bëja, duke u caktuar vendet tifozëve. Më merr malli sidomos për atë shiritin e kuq që mbaja në krah. Ishin kohë të lavdishme”. Kur u ngritën dhe dolën nga lokali, pasi u ndanë me Cenin dhe vijuan rrugën për në shtëpitë e tyre, Fadili i tha Maxhunit: “Çudi si është njeriu. Mirë ne… se e kishim një emër, po Ceni, që nuk kishte bukë të hante dhe tani jeton siç tha vetë, si pasha atje në mes të mirave, e merr malli për atë shiritin e kuq, për një copë leckë”. “Epo, ashtu, duke drejtuar njerëzit nga shkallët e stadiumit, i dukej se ishte dhe ai dikushi”, e mbylli bisedën Maxhuni.

NOA