Suplementi Pena Shqiptare/ Simon Mirakaj: Dhimbja e dhëmballës dhe internimi

120
Sigal

Dhimbja e dhëmballës është e tmerrshme, unë kështu e konsideroj. Po më shqetësonte dhimbja e saj. Menjëherë u nisa për te dentisti. Rrugës m’u kujtua ajo ditë. Isha në kampin e internimit Gjazë (Lushnje). Kishte filluar dhimbja e dhëmballës. Po më torturonte: dentist nuk kishte, nuk kisha as ilaç për ta qetësuar, në punë duhet të shkoja. I kërkova leje përgjegjësit që na bënte apelin, Tilit, por nuk më dha leje. “Nuk kam të drejtë të jap leje për në Lushnje, vetëm për në Gurëz”, që ishte 5 minuta larg nga kampi. As atje nuk kishte dentist. Pas dy ditësh në apelin e mbrëmjes vjen dhe operativi. Pasi bëmë apelin, i drejtohem për leje. Mirë do shkosh dhe i drejtohet përgjegjësit: “Nesër jepi leje me shkrim të shkojë në Lushnje për vizitë.” Të nesërmen, në orën 8, marr lejen, ku shkruhej: “Lejohet i internuari Simon Mirakaj të shkojë në Lushnje për vizitë te doktori, leja i fillon nga ora 8 deri në orën 14, i lejohet vetëm rruga që shkon për ambulancë. Mora lejen dhe u nisa. Kur shihja kaq shumë njerëz  të angazhuar, legal e ilegal që shoqëronin rrugëtimin tim, i bëja pyetje vetes: sa i rëndësishëm që qenkam? Pastaj më shoqëronte dhe pasiguria se nuk i dihej, të vinin edhe prangat, si gjithmonë në emër të popullit. Gjatë gjjithë rrugës vetëm i lutesha Zotit. Me të arritur në qytet, u drejtova për në degën e punëve të brendshme të dorëzoja lejen. Iu drejtova oficerit të rojes. Hapi sportelin: -Nga vjen ti? -Nga Gjaza, i internuar. – E mirë, prit pak. Mori telefonin: “Mos ik!” – më tha. Kur pas pesë minutave, vjen operativi: “Hë, erdhe ti?” –Dëgjo, do shkosh në ambulancë dhe kur të mbarosh, do vish të marrësh lejen. –Hajde, nisu dhe ndiq rrugën që shkon për në ambulancë. Sapo dola nga dega, kur dëgjoj një grua që bërtiste, ulërinte me të madhe: “Pse nuk i merrni ushqimet për burrin, se burri im nuk ka rënë në burg për politike, por ka rënë si hajdut?” Unë kisha ulur kokën e dëgjoja britmat e saj dhe thashë me vete: “O Zot, ku jemi, ku jetojmë? Jetojmë në një vend ku e pamoralshmja bëhet e moralshme.” Ky ishte morali i ri i diktaturës komuniste. Me këto mendime, u gjenda para ambulancës. Kur po hyja te dentisti, shoh operativin, i cili kishte ardhur për të verifikuar nëse jam në ambulancë. Sa më pa mua, u largua dhe unë mora frymë lirisht. Pas një ore, u nisa për në degë për të marrë lejen. I bie sportelit, del oficeri. Nuk ishte ai i mëngjesit. -Çfarë kërkon? – Lejen. -Çfarë leje? -Jam i internuar, quhem Simon Mirakaj, kam dorëzuar lejen dhe erdha ta marr. –Mirë, prit! Dhe mbylli sportelin, pas pak e hapi. –Na, merre lejen e nisu direkt për Gjazë dhe kur të mbërrish në Gjazë, jepi lejen përgjegjësit që ju bën apelin. Mora lejen ku oficeri i rojës kishte bërë shenimin “u nis në orën 13”. Kur u largova nga dega, thashë me vete: “Më mirë ta kisha shkulur dhëmballën me darë, sesa të kisha ardhur këtu e të shihja këto fytyra kriminelësh që na vranë jetën pa bërë asnjë faj. Ajo që më bën përshtypje gjatë këtyre viteve në demokraci është folur për oficerët e sigurimit, për prokurorët, për hetuesit e asnjëherë nuk është folur për ata që sakrifikuan gjithçka dhe refuzuan bashkëpunimin me ish-sigurimin. Unë besoj se ata apo ato janë nderi e krenaria e shoqërisë, janë heronjtë e kohës. P.S.:  Nganjëherë, i bëja pyetje vetes: “A do të ketë njerëz që ta vlerësojnë këtë qëndrimin tonë?” Luftërat zakonisht zgjasin një vit, dy, deri në tre, ndërsa lufta jonë me të keqen që kishim përballë filloi në adoleshencë e mbaroi në rënien e perdes së hekurt të diktaturës komuniste. Zgjati shumë, disa dekada. Përgjigjen e jepja vetë. Njeriu e ruan nderin për vete, për familjen, pastaj dhe për shoqërinë