Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Ftesë për njohje

Ftesë për njohje

Unë s’u takoj ca poetëve të kohës së shkuar,

Sigal

fshehur aty, pas vargjesh të lëbyrta dashurie.

Më mjafton zemra, për t’i kuptuar e vlerësuar

si shpirtra lirie,

apo ledhatarë të një kohëmbetje inercie.

 

Unë s’u takoj poetëve të kohës së mëkatit,

gjersa, edhe vetëm një prej tyre të mbetet

udhëtar i një anieje pa busull,

dorëzuar në mëshirë të fatit.

S’u takoj më as zhelanëve modernë,

as pashallarëve të rinj.

Ndaj zëri s’më mungon e s’dyshoj

se Zoti do t’ma marrë këtë rrëfim.

 

Zgjohem brenda një ëndrre, çdo mëngjes,

e rrotull më vjen tërbimi.

Po kurrë s’mund të jem një indiferent i pashpresë,

ndonëse çdo ditë po më humbet durimi,

se s’jam njeri me mendje fikse.

S’i takoj kohës së delirit të shkëlqimit të rremë,

demokracisë postkomuniste.

 

Atëherë… Mos, vallë, i takoj kohës së shtërngatës,

shkruar mbi kallot e pëllëmbëve me të zezë?

Mos pëllëmbët m’i ka gërryer

frenimi i mandrinos turneve të natës.

Dhe rob i asaj kohe dashkam viteve të mbesë?…

 

Por… jo…

S’i kam takuar kurrë gënjeshtrës

dhe më trishton mungesa e dashurisë për njeriun.

Po sinqerisht, më bën të qesh hidhur trishtimi,

ndaj s’do të lodhem kurrë t’u ul perdet e teatrit-kohë,

spektatorëve të shastisur

pas projektorësh e trukesh aktrimi.

 

Jam ky që jam,

po s’bëj pjesë n’atë kohë,

që të mësonte të gjitha prapësitë,

veç asaj, të qenit njeri.

Të mbesja pjesë e turmës doja,

paqen aty ta kërkoja,

pa ëndërruar kurrë të bëhesha gjeni.

 

Ndaj

s’u takoj as atyre që bota i quan asketër.

Një ditë s’e kam ndrruar numrin e celularit.

E në më telefonofshi,

bëjeni këtë thjesht:

Me dashurinë e madhe

të një kohe, që më s’hesht.