Kur gjyshja Tule ishte bërë stërgjyshe, ndodhi diçka që kurrkush nuk e kishte marrë me mend. Loni, stërnipi i saj i parë mori një piktor të famshëm, Sefën, dhe e pagoi t’i bënte një portret. Donte t’ia bënte dhurate asaj me rastin e njëqind vjetorit të ditëlindjes. Sefa e uli gjyshen Tule në një karrike dhe i tha: – Nanë, të lutem me shih në sy dhe mos lëviz. – Si të duesh ti, rri nana – tha gjyshe Tulja dhe ndenji e ngrirë si statujat e Leonardo da Vinçit për tre orë të tëra. Sefa e mbaroi portretin, por gjyshja vetëm i tha “Faleminderit”. Se nuk i thoshte dot “sa të bukur e paske bërë.” Gjyshja ishte bërë e verbër dhe nuk mund të bënte komplimente për artin. Por, pavarësisht kësaj, ajo e dinte se ishte rasti për të shprehur mirënjohje… Loni e mori portretin dhe e vuri në dhomën e miqve në shtëpinë e tij. E mbajti një vit dhe çdo mëngjes i lutej Zotit duke i hedhur shikimin para se të nisej në punë. Por, meqë gjyshja kishte nja njëzet stërnipër, ai vuri një rregull. Secili stërnip do ta mbante portretin për një vit në shtëpinë e tij. Kështu portreti i gjyshes do të kënaqte me radhë të gjithë nipat e stërnipat. Portreti i gjyshe Tules jo vetëm kaloi në shumë duar, por shëtiti Botën, a thua se ishte portreti i Mona Lizës… Në fillim e mori Landi në Londër, pastaj e mori Akili ne Birmingam, pastaj Savio në Genova, pastaj Matlindi në Romë, pastaj Gjergji në Tiranë, pastaj Besi në Boston, pastaj Tefiku në Mamurras, pastaj Besniku në NevYork, pastaj Ilmiu në Bruksel, pastaj Altini në Tiranë, pastaj Aleksi në Athinë, pastaj Bledi në Tiranë… Dhe, më në fund, më erdhi radha mua, në një pikë të globit, që unë e quaj Qendra e Botës, por jo se edhe njerëzimi e njeh për të tillë. U deshën njëzet vjet që portreti i gjyshes të mbërrinte tek unë, sepse siç e thashë, për shkak të rregullit që vuri Loni, ne stërnipërit e saj duhej ta mbanim portretin vetëm nga një vit. Shto këtu edhe kohën që bënte portreti nëpër avionë duke kapërcyer shtete dhe kontinente… Kur portreti mbërriti tek unë, në Qendër të Botës, unë isha verbuar për vete dhe njësoj si gjyshja nuk mund t’i bëja asnjë kompliment piktorit Sefë për të. Por, pasi e preka me gishtrinjtë e mi sipërfaqen e kanavacës së portretit, ashtu si gjyshja Tule, i ndrittë shpirti, pëshpërita një lutje për Zotin dhe thashë mirënjohjen time për piktorin: – Faleminderit Sefë!






















