Ti nis m’kërkon mes kalimtarëve ,
fytyrën të ma gjesh,
ndoshta mos jam në forma gjethesh ,
ato që vjeshta zhvesh?
Ti nis m’kërkon e kokën ngre,
drejt qiellit kaq të lirë!
Mendon mos ika në tufa zogjsh,
pa thënë një lamtumirë.
Ti nis m’kërkon në shpirtin tënd,
që t’duket sikur po ngrin.
Çuditesh se si të kam zënë vënd,
mbi lotin që të ndrin.
Ti nis sërisht e më kërkon…
Kujtimet të janë sa det i gjërë.
Mbi shkëmb të mallit po qëndron,
e tretesh thellë në rërë.
Sa lamtumira të kam thënë!
Asnjë nuk ke besuar,
Unë dua të jem si dritë në hënë,
mbi bregun e vetmuar.




















