Suplementi Pena Shqiptare/ Zija Çela: Blu dhe mavi mbretërore

350
Sigal

Tregim nga Zija Cela

1

Frenk Uiliamsi qëndroi një javë në atë kryeqytet përtej oqeanit dhe, kur u kthye në Nju Jork, shkroi një reportazh të gjatë që u botua me vijime. Të gjitha ngjarjet e mëposhtme vijnë nga raporti i tij.

Pasi ishte marrë vesh paraprakisht me burimet zyrtare, një shoqërues vendas i dha mirëseardhjen në aeroport. Nga aeroporti në një takim me funksionarin e lartë të qeverisë. Natyrisht, Frenk Uiliamsi nuk mund t’i shpëtonte kësaj kortezie. Ai ishte bërë i famshëm sidomos si kandidat i Çmimit Pulitzer për “Shenja e 13-të e Zodiakut”, një pamflet fshikullues me shënime udhëtimi. Duke qenë më e përhapura, sipas autorit, e trembëdhjeta ishte shenja që bashkonte njerëzit e varfër të botës. Ai prandaj po i vazhdonte udhëtimet. Por tashmë i përqendruarnë dallimet ekonomike mes shtresave shoqërore dhe në nivelin eminimumit jetik. Frenku kishte premtuar se do të bënte sa mëpak ndërhyrje në narracionin e tij, për t’ua lënë fjalën dëshmitarëve. Por, përveç faktimeve statistikore, dëshmitë e vërteta mund të siguroheshin vetëm në një mënyrë, duke depërtuar drejt e në familjet vendase.

Ministri e siguroi se të gjitha institucionet shtetërore do të tregoheshin të hapura për informacion. Pastaj e përshëndeti edhe në emrin e Shefit të Qeverisë, duke shtuar se zoti Kryeministër uronte që, për ta njohur realisht diversitetin social, vizitat në familje të ishin sa më të padekonspiruara dhe kampionet e zgjedhur sa më domethënës.

2

Gjithsej u realizuan pesë vizita, të cilat i gjeta të shpërndara në shkrimin e Frenkut, por unë po i jap të përmbledhura. Të gjitha u kryen thuajse pa paralajmërim, pasi shoqëruesi vendas telefononte vetëm në çastet, kur do të trokisnin në atë derë.

Siç mund të merret me mend, vizita e parë u bë në shtëpinë e shoqëruesit. Në darkë e sipër, Dëshmitari 1 i bëri mysafirit një panoramë të vendit të tij gjatë shek. XIX dhe dekadave qëpasuan. Frenku shënon se shoqëruesi i dhuroi 19 libra të vjetër (në anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe italisht), shkruar e botuar aso kohe nga udhëtarë apo konsuj të huaj. Duke parë zgavrën e madhe që mbeti në raftin e bibliotekës, mysafiri shfaqi keqardhje. Por tjetri ia hoqi merakun. “Ata libra nuk më hyjnë më në punë”, tha, “tashmë kanë nisur të përkthehen në gjuhën tonë dhe këtu ose na i falin, ose i blejmë badihava.”

Vizita e dytë u bë në një familje që, për shkak të papunësisë së përkohëshme të zonjës së shtëpisë, Frenkut iu tha se trajtohej me ndihmë sociale. Dëshmitarja 2 banonte në një nga kullat jug-lindore. Në darkë e sipër, meqë ishte etnografe, u fol disa herë për veshjet e hershme kombëtare, të cilat ajo i cilësonte si pasuri e mahnitshme kulturore. Kur do të ngriheshin, zonja i dhuroi një kostum burrash me gjithë kompletin e aksesorëve. Frenk Uliamsi mbeti i habitur, por dëshmitarja e qetësoi duke i thënë: “Asgjë, ju lutem, asgjë! Unë gëzohem që Amerikës do t’i shtohet ky thesar!”

Për familjen e Dëshmitarit 3 gazetarit të huaj iu tha se i përkiste shtresës së mesme. Sipas përshkrimit që bënte autori i shkrimit, shtëpia dykatëshe ndodhej në tortën urbane të kryeqytetit. Ajo banesë kishte vetëm një të metë, oborri me kangjella nuk ishte shumë i bollshëm. Në darkë e sipër, sesi ra fjala për zonat e nxehta të planetit, ku ende zhvilloheshin luftime. Doli se i zoti i shtëpisë ishte njohës i mirë i armëve, madje tregtia e armëve ishte zanati i tij. Teksa po pinin uiskin e pasbukës, Dëshmitari 3bëri dhe një gjest bujarie. Ai i dhuroi mysafirit të shquar një pistoletë, një pushkë karabinë, një kallash dhe një bazuka antitank. Zoti Uiliams ngriti supet i pataksur nga habia, por tjetri s’i la kohë për sikletosje. “Asnjë merak të mos keni për letrat”, tha, “formalitetet, shpenzimet e doganës dhe të transportit i kam unë.”

Vizita e katërt u konceptua si relaks. Mirëpo, në vend ta çonin në teatrin e komedisë, mysafirin e çuan në shtëpinë e një aktorikomik. Sidoqoftë, shoqëruesi u tregua i sinqertë. Ai i tha se si shtresë shoqërore aktori klasifikohej në kategorinë “Të paqëndrueshmit ekonomikisht”. Siç u fol, ashtu doli, një darkë shplodhëse. I zoti i shtëpisë e priti me përshëndetje në anglisht: “Hello, Frenk! Si të shkojnë punët, miku im?” Por ishte njëlloj si t’i kishte folur nga Hollivudi vetë Brad Pitt-i, kaq ngjashëm e imitoi zërin e tij. Në darkë e sipër do ta shfaqte këtë aftësi, duke imituar edhe Robert De Niro-n e Tom Cruise-in. Natyrisht, me të njëjtën formulë të fiksuar: “Hello, Robert… Hello Tom!” Por kulmi arriti kur atij i ra zilja e telefonit dhe Dëshmitari 4 foli nëgjuhën vendase, veçse kësaj here duke e lënë pa mend mysafirin, sepse po imitonte zërin e tij: “Hello, miku im, jam Frenk Uiliams. Si po shkojnë punët andej? Unë…”, e të tjera, e të tjera. Nga këto të tjerat, amerikanit pakogjë do t’i hynte në vesh, si për shembull: “çaj dërrasa… tani mjaft… paguan… kush?.. ky trapi…”. Por në darkë e sipër u kuptua se Frenku nuk mund të priste dhurata aty, përkundrazi, ndoshta priteshin nga mysafiri i largët. Dhe Frenku e kishte parandierë se do të ndodhej në një situatë të tillë. Ai hoqi talismanin e tij dhe ia vari tjetrit në qafë. Ishte një prizëm kristali, i cili nga njëra faqe e reflektonte dritën në blu, nga tjetra në të ashtuquajturën mavi mbretërore, dy simbolikat e palëve politike kundërshtare.

Ende pa e përfshirë në raport vizitën e pestë, në numrin e së premtes njujorkezi shkruante: “Këtu vendasit hanë më shëndetshëm se amerikanët dhe defekojnë (“Bëjmë kakën”, thonë ata.) dy ose tri herë në ditë. Nëse mysafiri tregohet i turpshëm, familjarët ia ngulin pirunin ndonjë llokme mishi dhe ia fusin në gojë thuajse me zor. Ndërkaq, nuk harrojnë të kujtohen për gjallesat e ujit, madje flasin shpesh për peshqit e mëdhenj, por për të hangër shumica mjaftohet me të vegjëlit. Vendasit pinë alkool të fortë edhe duke ngrënë. Nuk e di nëse prej traditës apo ndonjë efekti të viteve të fundit, ata janë shumë të dhënë pas brendisë së gotës. Domethënë si e shohin gotën, e shohin të mbushur plot apo përgjysmë. Kushedi përse, herë pas here përmendin emrin e një ambasadori të huaj, që dikur i paskësh magjepsur (Ata thonë: “Na ka lafitur!”) me filozofinë e volumit të gotës. Prandaj në tryezë, ngaqë gota e pëgjysmuar sikur ua vret sytë, pa arritur ta zbrazja asnjëherë, ma mbushnin deri në buzë. Dhe jo rrallë shtonin gjithë krenari: “Shtëpia ime është e Zotit dhe e mikut!” Që ishte e mikut, po e provoja vetë, por sa ishte e Zotit, këtë nuk e di.

Pas këtyre radhëve, vinte përshkrimi i vizitës së pestë. Siç iu tha Frenkut, për t’i njohur në larmi shtresat shoqërore, kësaj here do të vizitonin një qytetar të kamur, por ama të pasuruar me punë të ndershme. Si dhe në rastet e mëparshme, duke dashur ta gjenintë papërgatitur, shoqëruesi i telefonoi të zotit të shtëpisë nëçastet e fundit. Dëshmitari 5 jetonte në rrethinat e qytetit, në një vilë moderne jo vetëm me oborr të bollshëm, por edhe me kopshtin mbrapa. Përveç rrethojës me mure betoni, Frenk Uiliamsit nuk i shpëtuan nga syri as garazhet dhe kamerat vëzhguese. Ishin duke pirë aperitivin, kur mysafiri ndjeu në ajër erën e marijuanës. Me ta marrë vesh se njujorkezi i shquar e tymoste nganjëherë, i zoti i shtëpisë i zgjati takëmet që ta pështillte një cigare. Pastaj, me gotat plot e përplot, në darkë e sipër ngriti dolli për shëndetin e tij. Kaq madhërisht po e nderonte, sa erdhi një çast që prej bujarisë së tjetrit, Frenku u shtang. Dëshmitari 5 i dhuroi mysafirit një truall panoramik në bregdetin e jugut dhe, meqë ishte përdorues, edhe një kuintal marijuanë të cilësisë së parë. “Deri në kufirin me Meksikën ta sjellin njerëzit e mi”, i dha garanci, “por më pas nuk e marr përsipër, të paktën tani për tani.”

 

3

Në paragrafin e fundit, Frenk Uilimasi bënte një zbulim, mbështetur në burime që kishin rrjedhur nga ambasadat, si dhe në takimet kokë më kokë me eksponentë të opozitës politike, të cilët nuk dëshironin të identifikoheshin. Në tekstin e gazetës zbulimi paraqitej me këtë grafikë:

Dëshmitari 1 – shoqëruesi vendas, publicist i lirë nga shoqëria civile, amator i peshkimit me grep, aksioner në një biznes pa nder, bashkëpunëtor i fshehtë i Shërbimit Inteligjent.

Dëshmitarja 2 – familje që formalisht trajtohet me ndihmë sociale, zyrtarisht koordinatore e marrëdhënieve me UNESKO-n, motra e gruas së Ministrit të Mirëqenies, Pagave dhe Pensioneve, funksionarit që priti mysafirin në kabinetin e tij.

Dëshmitari 3 – familje e shtresës së mesme, trafikant me licencë të skaduar, militant në kohë zgjedhjesh, i dyshuar për fshehje të pasurisë dhe mbajtjen e dy identiteteve gjatë qëndrimit në Kolumbi.

Dëshmitari 4 – plus & minus nga xhepi, i njohur me pseudonimin Mashtruesi, dublant i zërit në dy filma për fëmijë, pedofil, i dalë nga burgu me leje të përkohshme shpërblyese për argëtimin tim. (Me gjasë, nipi i kryetarit të Komisionit Parlamentar për Tokën, Ujin dhe Ajrin.)

Dëshmitari 5 – sipërmarrës i pasuruar përmes tendrave me prokurim të drejtëpërdrejtë, pa precedent penal, besimtar në Zot,sponsorizues dhe bamirës i njohur, njëri nga kumbarët e Kryeministrit.

Me vijimin e së premtes shkrimi i gjatë kishte përfunduar. Por në gazetën e së shtunës Frenk Uiliamsi u shfaq sërish me një shënim bombë. Dhe ishte vetëm narracion. Ai sqaronte se kurrë nuk kishte shkelur në kryeqytetin e atij vend. Gjithë teksti i tij kishte qenë një leksion provokues për studentët e gazetarisë. Por sidomos një pamflet i merituar ndaj atyre kolegëve, që as marrin mundimin të raportojnë nga terreni. Të lodhur nga dëfrimet shfrenuese të natës, ulur përpara kompjuterit të zyrës dhe bazuar vetëm në burime të njëanshme on line, ata fabrikojnë raportime të denja për togjet e plehrave. “Shpifje, shpifje të Media Kazanit!”, sikur dëgjoj ende thirrjet e dëshmitarëve.

Pyetjes së hamendësuar se përse kishte bërë objekt pikërisht atëvend, Frenku i paradilte me një përgjigje të sinqertë. Përpara se të përgatiste leksionin për studentët, me gjithë kërkimet e tij intensive, në tërë lëmshin tokësor asgjëkundi tjetër nuk kishte mundur ta gjente termin MEDIA KAZANI. Këtë përbuzje të skajshme por puro novatore, e kishte gjetur vetëm në atë vendin e çuditshëm, ku as shtëpia nuk është e pronarit, por e Zotit dhe e të huajve. Shkurt, atje ku qytetarët ushqehen më shëndetshëm se amerikanët, madje ndonëse rrinë gjithnjë me gotën plot, e bëjnëkakën dy-tri herë në njëzet e katër orë. “E përfytyroj tani atë popull ëndërrimtar”, e mbyllte Frenku, “duke konsumuar peshq të vegjel ndërsa flet për peshqit e mëdhenj, e përfytyroj me empati nën atë qiellin e tyre aq të veçantë, ku bluja dhe mavia mbretërore konkurrojnë vazhdimisht për sundim.”