Këshilli i Lartë Gjyqësor/ Zbardhet vendimi: Ardian Dvoranit i ka përfunduar që në 24 shkurt 2014 mandati në Gjykatën e Lartë

328
Sigal

KLGJ-ja i dërgon shkresë Ardian Dvoranit

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, ka zbardhur argumentet e përfundimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvoranit. Në shkresën e dërguar në “postën” e gjyqtarit, KLGJ-ja arsyeton me data të gjitha vendimet e marra, duke theksuar se mandati i tij kishte përfunduar prej kohësh.  Emërimi i tre gjyqtarëve të rinj, sipas KLGJ-së nuk e zëvëndësonte Dvoranin, por këtij të fundit i mbaronte detyrimi për të ushtruar detyrën deri në emërimin e pasardhësit. Emërimi i tyre dhe vënia në dukje nga ana e presidenti Ilir Meta për përfundimin e mandatit të Dvoranit, ka shtyrë edhe nisjen e procedurave për largimin e tij nga detyra. “Më datë 10.03.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor pezulloi veprimtarinë gjyqësore dhe shërbimet në të gjitha Gjykatat e vendit. Pikërisht gjatë kësaj periudhë më datë 15.04.02020, çështja e vazhdimit të mandatit tuaj në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë u soll në vëmendje të KLGJ nga presidenti i Republikës, i cili më herët kishte emëruar në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së lartë, z. Sokol Sadushaj, Ervin Pipe dhe Ilir Panda. KLGJ-ja vlerësoi se emërimi dhe fillimi i ushtrimit të detyrës nga tre gjyqtarët e rinj krijonte një situatë në raport me vazhdimin e qëndrimit tuaj në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë ndërkohë që mandati juaj ka mbaruar më darë 24.02.2014 por që qëndronit në detyrë deri në emërimin e pasardhësit. Pikërisht kjo situatë meritonte që të trajtohej. KLGJ-ja arriti në përfundimin se pas emërimit dhe fillimit të ushtrimit të detyrës së tre gjyqtarëve të rinj të GJL, për ju ka mbaruar detyrimi kushtetues për të qëndruar në detyrën e gjyqtarit në këtë Gjykatë,” -shkruhet ndër të tjera në shkresën e KLSH-së.  Në përfundim të shkresës, KLGJ-ja i jep një jave kohë gjyqtarit Dvorani për të shprehur interesin e tij me shkrim në KLGJ, për emërimin e tij të radhës, por kësaj here në një Gjykatë Apeli.  Disa javë më parë, me 6 vota pro dhe 3 kundër Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi për përfundimit e mandatit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani. KLGJ-ja me shumicë votash vendosi që Dvorani të njoftohet nga Këshilli për t’u caktuar në një pozicion në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Dvorani ka pasur përplasje edhe me presidentin Meta, i cili erdhi pas ngërçit në Gjykatën Kushtetuese, dhe dublikimin e një vendi, për të cilin janë emëruar dy anëtare, Marsida Xhaferrllari nga Meta dhe Arta Vorpsi nga KED-ja. Sipas Presidenti Meta, Dvorani shkeli ligjin duke kryer dy vepra penale, shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës. Për çështjen iu kërkua mendim edhe Komisionit të Venecias, që i dha të drejtë presidentit Meta. Gjithashtu Meta ka përmendur gjithë kohës në deklaratat e tij për mediat se gjyqtari duhet të largohej edhe nga Gjykata e Lartë pasi i kishte përfunduar mandati.