Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Nostalgjia e kinemasë…

203
????????????????????????????????????????????????????????
Sigal

Sa herë shohim ndonjë film të vjetër, na kap nostalgjia e kinemasë dhe para syve fillojnë të na shfaqen imazhe dhe sekuenca filmash, që kemi parë në një kohë të hershme dhe që bashkë përbëjnë atë që quhet histori e kinemasë. Një libër që më ra në dorë, « Cinéma du minuit », kushtuar një cikli filmash të shfaqur në ekranin e televizionit francez, më rikujtoi një kohë kur shkoja i etur në Arkivin e Filmit që ndodhej në oborrrin e Kinostudios për të parë kryeveprat botërore, të cilat çuditërisht kishin mbetur aty që në ngritjen e arkivit. Ishin filma të vjetër të grumbulluar nga shoqëritë e ndryshme private të sallave të kinemave në Shqipëri meqë pas çlirimit ato u shtetëzuan. Në mijra bobina të filma të viteve 20-40 të shekullit XX gjeje filma të kohës së ekspresionizmit gjerman me F. Lang, G, Pabst, E.von Stroheim, të romantizmit francez me A. Gance, R. Clair, J. Duvivier dhe mjeshtrin e madh J. Renoir, të neo-realizmit italian me V. De Sica, G. de Santis, apo R. Rosellini, të danezit C. Dreyer apo gjer në filmat e « nouvelle vague »-s të kineastëve francezë të viteve 60-70 si J. L. Godart, F. Truffaut, A. Resnais, C. Chabrol, etj. Ishte magjia e « artit të shtatë » ku mund të shikoje filmin « Lindja e një kombi të regjisorit D.Grifith », filmin « Metropolis » të F. Lang, « Kabinetin e doktor Kaligarit », si një emblemë e ekspresionizmit gjerman, filmat e vjetër me Greta Garbo, Ingrid Bergman, Marlene Dietrish, C. Gable apo H. Bogart, M. Brando, filmat e hershëm të kinemasë suedeze me filmat e parë të Bergman me aktorin M. von Sidov etj. Këta filma që shikoja në atë sallë të vogël të projeksionit të arkivit ishin për mua Libri apo Enciklopedia e Artit të Shtatë.

Histori, ngjarje, fate historike, drama e tragjedi, luftra, ndryshime kufijsh, apo revolucione siç i shikoje tek « Korracata Potjomkin » dhe « Tetori » i Ejzenshtainit, « Nëna » e Pudovkinit, shikoje aty filmat e ndaluara sovjetikë si « Kur shtegtojnë krillat » apo « I dyzetenjëti », të quajtur pacifistë ku shihej e spikaste gjoja figura e anti-heroit, etj. I kujtoj me ëndje orët e gjata që kaloja aty, ditët e shpeshta kur shkoja drejt asaj « kështjelle » të mbrojtur me xhelozi nga Abaz Hoxha ku brenda ato gra e vajza skedonin, montonin, bënin studime dhe shfaqnin në sallën e kinemasë. Ndoshta isha i privilegjuar të kaloja orë të tëra me Abazin në krah (ky baba i rreptë me « vajzat » e tij), apo i vetëm, duke harruar kohën dhe duke humbur në lojën e aktorëve, vlerat e dramaturgjisë, krijimin e rolit nga aktorët, xhirimet, imazhet etj. Ishte një lumturi e vërtetë, një emocion i pambarueshëm, tek shikoja filmin e Dreyer « Pasioni i Jeanne d’Arc » me ato plane të afërta, portrete, me atë kokë të qethur të aktores Falconetti rrethuar nga priftërinjtë që do të bënin gjyqin e heroinës franceze ; kënaqësi të shikoja filma italianë si « Orizi i hidhur » apo « Vjedhësi i biçikletave ». Pikërisht aty kam parë dhe një nga filmat e hershëm erotik siç cilësohet nga historianët e kinemasë me një skenar të poetit çek Viçeslav Nezval, aq të dashur për mikun tim, regjisorin Gëzim Erebara. Ishte nostalgjia e kinemasë, kohë kur nxitoja gjithnjë drejt arkivit, që m’u bë aq familjar dhe që ëndërroja një ditë të studjoja aty për kinemanë, edhe pse ndërkohë isha në redaksitë, mes shokëve të mi krijues. Në sallën e errët, tek shikoja këta filma, harrohesha pa menduar kështu për kohën, pasi çdo film ishte një libër më vete, një leksion i çmuar, për çka, sot, e kam peng që s’kam shkruar më gjatë për përjetimin tim ballë tyre.

Ishte pikërisht kjo kohë pas vdekjes së Enver Hoxhës, kur në Kinostudio, në një atmosferë më të lehtë dhe shprese, nisën përkthime të ndryshme në shqip të teoricienëve të kinematografisë botërore veçanërisht franceze, italiane, apo ruse të viteve 30-40 me veprat e Ejzeshteinit, dokumentaristit Xiga Vertov apo Pudovkinit për metodën e aktorit, kohë kur u njohëm dhe me kinematografinë moderne amerikane, me filmat e Kubrik, Skorcezes apo Brian de Palma, etj, me kinematografinë moderne ruse dhe mjeshtrat e saj veçanërisht A. Tarkovski, apo S. Paraxhanov… Një nga librat e përkthyer ishte « Gjuha e filmit » e André Bazin, apo metoda e aktorit të regjisorit Pudovkin, e shumë tekste të tjera si dhe një përkthim nga revista e madhe teorike e kinemasë në Itali, « Bianco e Nero ». Atëherë patëm mundësinë të porosisnim të vinin në bibliotekën e Kinostudios revistat franceze « Cahiers du Cinema », « L’Avant scène du cinema » apo revista historike të kinematografisë « L’anthologie du cinéma», revista angleze « Sight and Sound », revista « Bianco e Nero » dhe ajo fotografike « Progresso Fotografico », etj. Në bibliotekën e Kinostudios kishe dëshirë të uleshe dhe të lexoje këto revista, edhe pse për një publik të gjerë ishin të ndaluara, meqë në to kishte imazhe, që cilësoheshin nga censura « të papranueshme » për publikun apo tema që kishin të bënin me një kinematografi « borgjeze e revizioniste », çka duket disi paradoksale sot me natyrën e regjimit të asaj kohe. Ishte koha kur organizoheshin seanca private apo për « kolektivin » për të parë filma që nuk shfaqeshin në publik, kohë kur kemi parë filma si filmin pacifist të A. Resnais « Hiroshima mon amour » një film tjetër pacifist çek kundër luftës, « Pylli i të varurve », apo filmi i Kosta Gavras « Z », i cili ishte ndaluar të shfaqej në publik. Po, ishte kinemaja, nostalgjia jonë për filmin, aty ku mund të kuptoje se ç’ishte arti, historia, realiteti i rikrijuar dhe natyra njerëzore.