Suplementi Pena Shqiptare/ Aida Previzi: Mall për fëmijërinë

403
Sigal

Më ka marrë malli, shumë më ka marrë
Për fëmijërinë time me buzëqeshjen e saj
Për lojërat pa fund deri natën vonë
Për  shokët e shoqet që sot nuk di ku janë

Asgjë nuk kam harruar nga ajo kohë
Të gjalla në zemër ato kujtime i mbaj
Kur peshën e jetës e ndjej të më rëndojë
I thërras kujtimet e me to nis të qaj

S’kishim kompjutera, as IPad e IPhone
Por hidheshim aq të lumtur me litar
Oborreve me pemë e lule plot aromë
Fëmija im as në ëndërr nuk i ka parë

Rrugë pa makina, veç me biçikleta
Në plazh shkonim me tren e jo fugonë
Notonim pa u lodhur deri në perëndim
Nuk kishim nevojë as për shezlonë

Sot shoh fëmijë që rriten pa fëmijëri
Me kompjutera e telefonë në duar
Me makina dalin e kthehen në shtëpi
Në kurse matematike e gjuhe të huaj

Ngarkuar me detyra e shkencë pa fund
Me ëndrra për mastera e doktoraturë
Thurin plane për të ardhmen HI-Tech
Por humbasin fëmijërinë që s’u vjen më kurre.