Suplementi Pena Shqiptare/ Hyskë Borobojka: Gjeli, qeni dhe gomari

1712
Sigal

(Fabul nga e kaluara)

Në një kooperativë bujqësore, tre anëtarë të saj, gjeli, qeni dhe gomari veshgjatë, i kishin bërë një kërkesë Asamblesë, se donin të largoheshin nga kooperativa. Asambleja, si u njoh me kërkesën e tyre, vendosi t’i thërriste në mbledhjen e saj të tregonin arsyet e vërteta, pse donin të largoheshin nga ekonomia e tyre. I pari që u paraqit në sallën e mbledhjeve, ishte gjeli pendëkuq.

-Pa na thuaj ti gjel këngëtari, ç’të keqe ke parë nga kooperativa jonë, që kërkon të largohesh?- e pyetën

-Dua të largohem sa më parë, pasi jam i tepërt e s’ka nevojë e punë për mua! –u përgjigj ai.

-S’ka asnjë kooperativist që kërkon të largohet. Punon e kryen detyrat që u ngarkohen!

-Ashtu është. Edhe unë jam munduar me mish e me shpirt të kryej detyrën tim. Sa zbardh dita këndoj e ngjir zënë të ngrihen nga gjumi kooperativistët të shkojnë e të fillojnë punën. Ndërsa ata kthehen në krahun tjetër e ngrihen nga gjumi kur afrohet dreka. S’ka punë për mua. Jam i tepërt, prandaj, u lutem shumë, më lejoni të largohem!

I dyti u paraqit përpara Asamblesë, qeni laraman.

-Pa na thuaj të vërtetën ti, qeni larushi, pse je mërzitur e do të largohesh nga kooperativa? –e pyetën.

-Si të mos dëshpërohem, të mërzitem e të mos kërkoj të largohem! Tërë natën nuk mbyll sy për të ruajtur, si sytë e ballit, mallin e gjënë e ekonomisë tonë të mos vidhet. Kot ngjir zënë dhe e bëj gjumin haram. Unë ruaj tërë natë ata vjedhin ditën me diell. Prandaj mundimi e puna ime, si thonë fjalës, shkon për dhjamë qeni. Kështu që jam i tepërt dhe e ha bukën badihava!

Radha për t’u paraqitur përpara Asamblesë, për të treguar arsyet e forta që e detyronin një sahat e më parë nga kooperativa, i erdhi gomarit.

-Po ti vesh gjatë pse kërkon të ikësh nga kooperativa, në një kohë që ekonomia jonë ka shumë nevojë për kontributin tënd?

-Dua të largohem, pasi vendin tim e ka zënë kryetari. Dhe ju e dini fare mirë në një karrige s’mund të rrinë dy gomarë.