Suplementi Pena Shqiptare/ Më shumë se morale eseja e Zija Çelës

“Ky është arti i Zija Çelës, të të zgjojë pa britma, të të përballë pa mëshirë, por gjithmonë me qëllimin e ndriçimit. Dhe pastaj të largohet, pa pritur t’i themi Faleminderit.”Vlerësime nga tre autorë.

01

Sigal

Të premten e shkuar, në rubrikën penda shqiptare, në Telegraf u botua miniatura eseistike e Zija Çelës titulluar “Me dorën e Djallit në fyt”. Leximi i shkrimit të Zija Çelës është një përjetim që të trondit jo me zhurmë, por me një heshtje të thellë mendimi. Është një tekst i fuqishëm që të rrëmben menjëherë. Ai flet jo për të tjerët, por për ne, për secilin që ka ndier një çast dobësie, që është tunduar të bëjë një kompromis, që ka dëgjuar në vetvete një zë të errët që arsyeton për keq, që josh me logjikë të shtrembër.

Zija Çela nuk e përshkruan Djallin si figurë mitologjike,  ai e zhvendos në realitetin tonë të përditshëm, në zërin e brendshëm që joshet me kleringun “më jep – të jap” për të shitur pak nga vetja, nga morali, nga dinjiteti. Dhe e thotë me një qartësi që të vë përballë vetes: Djalli nuk të mbyt, por të vërbon. Të bën të humbasësh busullën, të shohësh humnerën si rrugëdalje, mashtrimin si sukses, poshtërsinë si zgjuarsi.

E veçanta e këtij shkrimi është mënyra si autori i jep zë arsyes njerëzore, ai nuk mohon tundimin, as nuk e demonizon dobësinë. Por të kujton me forcë se njeriu është krijesë e arsyes, ka forcën e zgjedhjes, dhe nuk mund të justifikohet gjithnjë pas fjalës “më zuri çasti”. Autoti vendos përballë dy zëra: atë të Djallit që ofron me kusht, dhe atë të Zotit që jep pa kushte, dhe pyetja thelbësore që shtron është: “Çfarë është ajo që Djalli ma jepka me kusht dhe Zoti nuk ma jepka falas?”

Ky shkrim është një thirrje ndërgjegjeje. Nuk është një moralizim. Është një pasqyrë ku njeriu sheh veten në çastin kur lëkundet, kur justifikohet, kur nuk pyet më pse e bën atë që bën. Dhe autori me mjeshtri tregon se boshllëku që e lejon Djallin të hyjë, nuk është boshllëk i zbrazët, por boshllëk i krijuar nga vetë njeriu, nga zgjedhjet e gabuara, nga mungesa e reflektimit.

Kur e mbaron këtë shkrim, ndihesh sikur ke biseduar me ndërgjegjen tënde. Ndihesh më i kthjellët, më i ndriçuar, por edhe më i rënduar, sepse tani e di që çdo kompromis i vogël mund të jetë hapi i parë drejt një rruge pa kthim. Ky është arti i Zija Çelës, të të zgjojë pa britma, të të përballë pa mëshirë, por gjithmonë me qëllimin e ndriçimit.

Një shkrim që duhet lexuar me ngadalë, dhe ndoshta rishkruar në mendje sa herë jeta na vendos përballë tundimeve. Një thirrje për të mbajtur sytë hapur,  ndaj Djallit, por më shumë ndaj vetes.

Çaush KULLAFI

02

Të premten e shkuar, në rubrikën penda shqiptare, në Telegraf u botua miniatura eseistike e Zija Çelës titulliar “Me dorën e Djallit në fyt”. Shpejt ndjeva se ai tekst është më shumë se një ese morale; është një thirrje e brendshme që vjen nga thellësis e ndërgjegjes, ku fjala nuk rri si mendim, por lëviz si gjëmim i heshtur, si një dritë që përplaset në  hijet e verbërinë shpirtërore.

Me një stil tipik të Çelës që shoqëron sarkazmën me kthjelltësinë filozofike, autori krijon një skenografi të paparë dhe dramatike, ku Djalli nuk është një figurë mitike, por një personifikim i tundimit të përditshëm. Ndryshe nga sa na kanë thënë gjyshet apo shfaqin filmat e Holliwodit, ai nuk është i pamëshirshëm, por i përpiktë, nuk të fal as qindarkën dhe as sekondën. Nuk të mbyt, por të vërbon. Mjafton një fjalë e tij — një shushurimë që i hyn njeriut në vesh — për ta degdisur nga vetvetja.

I portretizuar si  “kodoshi të përbotshëm” që tundon jo vetëm dëshirën, por edhe arsyen, njeriu vendoset si krijesë e përkohshme me fuqi të përhershme: të thotë jo. Është ky tension mes përfitimit të menjëhershëm dhe pyetjes themelore “Përse ta bëj?”, tension që i jep thellësi shkrimit. Një peshore e fshehtë në ndërgjegjen tonë luhatet mes “bonusit” djallëzor dhe dhuratës hyjnore, që nuk është as premtim, as tregti, por frymë e lirë.

Dhe më në fund,  boshllëku ku futet Djalli, nuk është vrima e një bote të jashtme, por një e çarë (dobësia) brenda njeriut. Zija Çela e thotë pa patetikë, por me një qartësi që të lë pezull: është njeriu ai që e krijon atë hapësirë me zgjedhje, me justifikime, me heshtje.

Ky tekst të duket sikur ka diçka nga kronikat mistike mesjetare, por i përkthyer me gjuhën e tanishme — i kthjellët, tronditës, dhe i tillë që të bën të ndalesh një hap para se të ecësh më tej, të mendohesh mirë para se të flasësh e të veprosh.

Pas perjetimit te kesaj eseje, duket sikur lehtësohet zgjidhja, lexon Zija Çelën dhe ai na tregon rrugën e drejtë para se t’i jemi lutur. Por edhe largohet para se t’i kemi thënë “Faleminderit!”.

 

Timo MERKURI

03

Ky tekst letrar ka një porosi të thellë filozofike dhe etike: njeriu është gjithmonë në përballje me tundimin, por ka mundësinë dhe arsyen për ta refuzuar atë. Djalli përfaqëson joshjen, mashtrimin, kompromisin e lehtë, ndërsa Zoti dhe ndërgjegjja përfaqësojnë vetëdijen, të vërtetën dhe zgjedhjen morale.

Në këtë këtë tekst eseistik të shkëlqyer ka një mesazh, që është më kryesori: Djalli ofron menjëherë, por me çmim; Zoti nuk jep me kusht, por kërkon besim dhe vetëkontroll.

Njeriu nuk është viktimë pa fuqi, por krijesë me liri zgjedhjeje dhe përgjegjësi. Në thelb, faji nuk vjen nga Djalli, por nga boshllëku moral që njeriu vetë e krijon duke harruar arsyen dhe ndershmërinë…