Intervistë ekskluzive me Prof. Edmond Panariti
Sëmundja infektive e malarias ka sjellë në pah një situatë shqëtësuese që kërkon gadishmëri masash nga shtetet. Së fundmi një punonjës i Aeroportit të Frankfurtit ka humbur jetën pasi u infektua me malarie, në një rast të rrallë që ka prekur gjithsej gjashtë punonjës të aeroportit.Lidhur me këtë rast përhapje, Prof. Edmond Panariti, ish ministër i Bujqësisë së Shqipërisë shpjegon për lexuesit e Telegraf, shenjat, rreziqet dhe trajtimin. Ja intervista e plotë
Sa të rrezikuar jemi pas rastit në Frankfurt?
Prof. Panariti: Rasti i Frankfurtit, ku dy punonjës humbën jetën dhe gjashtë të tjerë u infektuan, është një paralajmërim i fortë. Shqipëria nuk është zonë endemike për malarie, por rreziku ekziston për shkak të udhëtimeve ndërkombëtare dhe kushteve klimatike që favorizojnë mushkonjat. Një pickim i thjeshtë mund të sjellë pasoja të rënda nëse nuk ka vigjilencë dhe masa parandaluese.
Cilat janë mushkonjat bartëse të infeksioneve që qarkullojnë në Shqipëri?
Në vendin tonë gjenden disa lloje mushkonjash potencialisht bartëse: infeksionesh si Anopheles – bartësja kryesore e malaries. Aedes albopictus – mushkonja tigër, bartëse e dengue, chikungunya dhe Zika. Culex pipiens – bartëse e virusit të Nilit Perëndimor. Prania e tyre tregon se Shqipëria është e ekspozuar ndaj infeksioneve të importuara.
Çfarë është malaria dhe si manifestohet ajo?
Malaria është një sëmundje infektive e shkaktuar nga parazitët Plasmodium, të cilët transmetohen tek njeriu përmes pickimit të mushkonjës Anopheles. Shenjat kryesore: temperaturë e lartë, dridhje, djersitje, dhimbje koke, lodhje e fortë. Parandalimi: rrjeta me insekticid, repelentë, kontrolli i ujërave të ndenjura ku ndodh shumimi i mushkonjave dhe profilaksia me ilaçe për udhëtarët në zona endemike. Trajtimi me medikamente antimalarike si artemisinin, chloroquine ose kombinime të tjera, sipas llojit të parazitit ne rastet e infektimit.
A ka pasur Shqipëria raste së fundi?
Shqipëria ka eliminuar malarien dekada më parë, por raste sporadike të importuara janë raportuar tek udhëtarët që kthehen nga Afrika apo Azia. Dhe ketu duhet bërë vecanërisht kujdes sidomos me fuqinë punëtore nga keto vende të cilat pajisen me leje qendrimi dhe pune te ne. Deri tani nuk ka shpërthime lokale, por rreziku mbetet real për shkak të pranishmërisë së mushkonjës bartëse.
Si ndikojnë ndryshimet klimatike në përhapjen e infeksioneve?
Ngrohja globale zgjeron zonat ku mushkonjat mund të mbijetojnë. Temperaturat e larta dhe lagështia krijojnë kushte ideale për shumimin e tyre. Kjo do të thotë se sëmundje si malaria, dengue apo virusi i Nilit Perëndimor mund të shfaqen në zona ku më parë nuk ekzistonin.
Po rritja e numrit të turistëve, a përbën kërcënim?
Turizmi është një faktor i rëndësishëm. Me miliona vizitorë që hyjnë çdo vit, rreziku i importimit të infeksioneve rritet. Një turist i infektuar mund të bëhet burim për përhapjen e sëmundjes nëse mushkonjat vendase e transmetojnë tek popullata lokale. Prandaj, kontrolli shëndetësor dhe informimi publik janë jetikë. Si Përfundim rasti i Frankfurtit është një alarm biologjik për Europën dhe Shqipërinë. Mushkonjat nuk janë thjesht bezdi verore, por bartëse të sëmundjeve të rrezikshme. Vigjilenca, higjiena dhe masat parandaluese janë mbrojtja jonë e vetme.
Intervistoi: Biora Vojka






















