Ditmir Bushati “zbardh” negociatat: Vendimi i Greqisë për të zgjeruar territorin në 12 milje në Jon, mesazh i qartë politik

197
Sigal

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipëris dhe Europës  Ditmir Bushati ka komentuar vizitën e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis në Himarë dhe mardhëniet Shqipëri–Greqi, si mundësi për çlirim energjish pozitive.

A do t’i mundësojë pala greke  Kryeministrit shqiptar një vizitë në zonat kufitare, ku historikisht ka banuar komuniteti shqiptar në Greqi dhe vizitat te pronat dhe shtëpitë e të parëve do të mundësohen për pjesëtarët e komunitetit të çamërisë…

Tre paradokset

1-Shqipëria dhe Greqia janë vende anëtare të NATO-s, aleancë për mbrojtje kolektive, por Greqia prej 80-vjetësh mban në fuqi Ligjin e Luftës me Shqipërine.

2-Shqipëria gjatë procesit të negocimit në BE duhet të zgjidh çështjet kufitare me fqinjët, por Greqia prej gati 100-vjetësh nuk njeh kufijtë me Shqipërinë.

3- Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord të shkojnë në Hagë për kundërshtitë mbi delimitimin e hapësirave detare, por palët nuk njohin dakordësitë e negociatave të vitit 2018.

Vizita e Mitsotakis në Himarë, shoqërohet nga Pirro Dhima

A do t’i mundësojë pala greke, Kryeministrit shqiptar një vizitë në zonat kufitare, ku historikisht ka banuar komuniteti shqiptar në Greqi? Dhe vizitat te pronat dhe shtëpitë e të parëve do të mundësohen për pjesëtarët e komunitetit çam…?

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati ka komentuar vizitën e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis në prag të fundvitit në Himarë. Në një analizë të gjatë të botuar në “Friedrich Ebert”, qëndrimi i Bushatit është kritik, duke theksuar se deklaratat e Mitsotakis për minoritetin nuk pasqyrojnë realitetin. Bushati analizon edhe çështjen e shumëpërfolur të detit me Greqinë, ku thekson se vendimi i Greqisë për të zgjeruar territorin në 12 milje në detin Jon është mesazh i qartë politik i qeverisë helene. Në analizën e tij ish kreu i diplomacisë zbardh dhe disa prej temave të negociatave të zhvilluara me qeverinë Tsipras, ndërsa thotë se gjithçka ndryshoi me ndërrimin e pushtetit dhe rikthimin e “Neo Demokracia”-s në qeveri. Gazeta Telegraf po boton analizën e plotë me titullin origjinal të ish-ministrit të Punëve të Jashtme dhe Europës Ditmir Bushati:

Shqipëri – Greqi: mundësi për çlirim energjish pozitive”

Vizita e Kryeministrit grek në prag të festave të fundvitit në Himarë dhe në zonat ku tradicionalisht ka banuar pakica kombëtare greke, është nga ato ndodhi politiko-diplomatike me peshë të veçantë. Në kontekstin historik ajo është vizita e parë e një Kryeministri grek në një prej qyteteve shqiptare më me ngarkesë në raportet dypalëshe, për shkak të dygjuhësisë së banorëve të saj.

Pakica kombëtare greke ka jetuar në dy bashki, atë të Dropullit dhe të Finiqit, të cilat historikisht janë njohur si zona minoritare, ndonëse koncepti i zonës minoritare nuk zbatohet më në Shqipëri, në përputhje me standardet ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Shqipëria ka një kuadër ligjor dhe institucional të zhvilluar në lidhje me respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare. Shqipëria e ka njohur statusin e pakicës kombëtare greke që në vitin 1922. Ndërsa Greqia e ka njohur vetëm përkohësisht pakicën kombëtare shqiptare në Greqi, nën qeverisjen e Theodoros Pangallos në vitin 1926, i cili në deklaratën zyrtare para Lidhjes së Kombeve njohu pakicën kombëtare shqiptare në Greqi duke mos i konsideruar më shqiptarët myslimanë si popullsi turke.

Por qeveria e tij nuk mundi të ishte jetëgjatë. Më pas, Greqia e ka mohuar historikisht statusin dhe ekzistencën e pakicës kombëtare shqiptare në Greqi, të vendosur kryesisht në zonat kufitare. Vështruar në kontekstin historik, por dhe nën dritën e standardeve ndërkombëtare, deklaratat e Kryeministrit grek për respektimin e të drejtave të pakicës kombëtare greke nga Himara, përveçse të thëna në vendin e gabuar nuk pasqyrojnë realitetin. Thënë kjo, puna për përmbushjen e standardeve të pakicave kombëtare në Shqipëri, është një punë në progres. Mirëpo, precedenti i vizitës në Himarë ngre një sërë pikëpyetjesh politike, ku më kryesorja është mënyra sesi do të ndikojë ajo në raportet dypalëshe.

E më posaçërisht, në adresimin e çështjeve që ende mbeten pezull mes nesh. Mbetet të shihet nëse pala greke do t’i mundësojë Kryeministrit shqiptar një vizitë në zonat kufitare, ku historikisht ka banuar komuniteti shqiptar në Greqi apo nëse e drejta e përkujtimit për të rënët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe vizitat te pronat dhe shtëpitë e të parëve do të mundësohen për pjesëtarët e komunitetit çam. Vizita e Kryeministrit grek do të ishte mirë të shoqërohej me shfuqizimin e ligjit absurd të luftës që Greqia mban ende në fuqi ndaj Shqipërisë. Kjo do të lexohej edhe si një përkujdesje ndaj pakicës kombëtare greke, për sa kohë është në fuqi akti ligjor, që mban nën sekuestro pronat e shtetit shqiptar, shtetasve shqiptarë, përfshirë edhe ato me kombësi greke. Me shpresën se këmbimet e vizitave në nivele të larta do të sjellin rezultate konkrete e do të çlirojnë energji pozitive në marrëdhëniet shqiptaro-greke me vështrim nga e ardhmja, le të analizojmë progresin arritur dhe disa prej çështjeve që kërkojnë trajtim.

“Greqia e ka mohuar historikisht statusin dhe ekzistencën e pakicës kombëtare shqiptare në Greqi, të vendosur kryesisht në zonat kufitare. Vështruar në kontekstin historik, por dhe nën dritën e standardeve ndërkombëtare, deklaratat e Kryeministrit grek për respektimin e të drejtave të pakicës kombëtare greke nga Himara, përveçse të thëna në vendin e gabuar nuk pasqyrojnë realitetin.”

A duhet të përfshihet Shqipëria në një proces delimitimi me Greqinë?

Kjo pyetje shtrohet jo për shkak të ndonjë dileme, por ngaqë nuk mungojnë zërat publikë që pretendojnë se çështja e detit është e stisur dhe se ajo është ezauruar me Protokollin e Firencës mes Shqipërisë dhe Greqisë, të vitit 1925. Shqipëria dhe Greqia janë shtete bregdetare në krah të njëra-tjetrës. Ndarja e hapësirave detare përbën një interes të ndërsjellë strategjik. Përcaktimi i këtyre hapësirave për dy shtete, që janë pjesë e Konventës të së Drejtës së Detit të Montego Bay u mundëson atyre ushtrimin e sovranitetit të plotë në një zonë të përcaktuar qartë me koordinata dhe shfrytëzimin e plotë të burimeve natyrore.

Sipas përcaktimeve të Konventës, hapësirat detare mes shteteve përbëhen nga tre komponentë kryesorë: a) Deti Territorial, hapësira e ujërave të brendshme të një shteti, që shkojnë maksimumi deri në 12 milje nga vija e drejtë bazë ose vija natyrale e ujit (Neni 3); b) Shelfi Kontinental, tabani i fundit i detit deri në thellësitë e shfrytëzimit teknik, që shtrihet deri në 200 milje dhe kufiri i llogaritjes së tij merret milja e 12-të e kufirit të detit territorial (Neni 76); c) Zona Ekskluzive Ekonomike, që vendoset mbi Shelfin Kontinental, e cila shtrihet deri në 200 milje dhe kufiri i llogaritjes së saj merret milja e 12-të e kufirit të detit territorial.

Zona Ekskluzive Ekonomike shtrihet nga tabani i detit deri në sipërfaqen e ujit (Neni 55). Zakonisht, Shelfi Kontinental dhe Zona Ekskluzive Ekonomike mbivendosen mbi njëra-tjetrën. Në bazë të Konventës, hapësirat detare midis shteteve përcaktohen me marrëveshje ose me vendim gjykate dhe duhet të pasqyrohen me koordinata gjeografike në një hartë detare të njohur ndërkombëtarisht. Marrëveshja duhet të depozitohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në kundërshtim me çfarë pretendohet, Protokolli i Firences ka përcaktuar vetëm kufirin tokësor mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ndërkohë që, nga Piramida 79, që konsiderohet edhe piramida ku takohet toka me detin, duhet ta ketë pikënisjen vija e ardhshme delimituese detare mes dy shteteve tona.

Por, deri më sot, nuk ka një marrëveshje që në koordinata gjeografike të përcaktojë Detin Territorial, Shelfin Kontinental dhe Zonën Ekskluzive Ekonomike. Për kryerjen e delimitimit të hapësirave detare ka rëndësi që shtetet të përcaktojnë vijën e drejtë bazë, e cila mund të jetë normale, e drejtë ose e kombinuar, në përputhje me Konventën, çka më pas ndihmon në ndërtimin e vijës delimituese, së cilës i bëhen modifikime, duke marrë në konsideratë edhe elementë të veçantë, siç janë gjeografia e terrenit, titujt historikë dhe ndarja e drejtë. Prandaj, angazhimi në këtë proces është i domosdoshëm. Madje, i vonuar. Përfundimi i tij krijon mundësi për shfrytëzimin e hapësirave detare dhe burimeve natyrore.

“Në bazë të Konventës, hapësirat detare midis shteteve përcaktohen me marrëveshje ose me vendim gjykate dhe duhet të pasqyrohen me koordinata gjeografike në një hartë detare të njohur ndërkombëtarisht. Por, deri më sot, nuk ka një marrëveshje që në koordinata gjeografike të përcaktojë Detin Territorial, Shelfin Kontinental dhe Zonën Ekskluzive Ekonomike.”

Riulja në tryezën e bisedimeve dhe trajtimi në paketë i çështjeve të pazgjidhura

Ndërkohë që nuk duhet të ketë dyshime për nevojën e përfundimit të këtij procesi, thelbësore mbetet mënyra sesi duhet t’i qasemi jo vetëm atij, por të gjitha çështjeve të pazgjidhura me fqinjin tonë. Gabimisht, opinioni publik orientohet veç te kjo çështje, duke lënë jashtë vëmendjes së komunikimit e shtjellimit çështje po aq të rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe që duhen adresuar. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që shpalli të papajtueshme me Kushtetutën, marrëveshjen e nënshkruar më 27 prill 2009, është një manual, që duhet ndjekur me kujdes. Në aspektin përmbajtësor tre elementë të këtij vendimi nuk duhen harruar:

(i) Moszbatimi i parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve, me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm. Thënë ndryshe, aplikimi vetëm i parimit të baraslargësisë strikte për të gjitha hapësirat dhe jo ai i baraslargësisë së korrektuar, që do të çonte drejt një zgjidhjeje të barabartë e të ndershme;

(ii) Mosmarrja parasysh e ishujve dhe e konfigurimit gjeografik në përgjithësi si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare;

(iii) Papajtueshmëria mes përmbajtjes dhe titullit të marrëveshjes si dhe tejkalimi i së drejtës ndërkombëtare nga ana e Shqipërisë. Për shembull, neni 2 i asaj marrëveshje njihte shprehimisht gjerësinë e detit territorial të Greqisë prej 12 miljesh detare, kur në fakt kjo çështje s’ka pse të jetë objekt i marrëveshjeve apo negociatave dypalëshe, pasi është çështje e brendshme e vetë shteteve, që rregullohet duke u bazuar në Konventën e të Drejtës së Detit. Po kështu, në aspektin procedural nuk duhet të harrojmë përfundimet e Gjykatës Kushtetuese për:

(i) mospajisjen e grupit negociator me plotfuqi nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes;

(ii) mospërcaktimin para nisjes së procesit të negocimit të hapësirave detare që do të ndaheshin;

(iii) mosmarrjen parasysh të marrëveshjeve të mëparshme dypalëshe, që lidhen me kufijtë shtetërorë. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar vijat e kuqe që nuk duhet të kapërcehen në lidhjen e marrëveshjeve të kësaj natyre, por nuk ka skicuar rrugën që duhet ndjekur.

“Mbetet të shihet nëse pala greke do t’i mundësojë Kryeministrit shqiptar një vizitë në zonat kufitare, ku historikisht ka banuar komuniteti shqiptar në Greqi apo nëse e drejta e përkujtimit për të rënët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe vizitat te pronat dhe shtëpitë e të parëve do të mundësohen për pjesëtarët e komunitetit çam…”

Gjithsesi, bazuar në sa më sipër, mund të thuhet se:

(i) Delimitimi i vitit 2009 ishte rezultati më minimal.

(ii) Nevojitet një marrëveshje e re bazuar në parimin e baraslargësisë me korrektim, për shkak të konfiguracionit gjeografik;

(iii) Aplikimi i parimit të mësipërm sjell përfitime në hapësirat detare të Shqipërisë. Ndonëse në kuptimin e Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve, marrëveshja e vitit 2009, për shkak të mosratifikimit të saj, nuk konsiderohet e përfunduar, nuk ishte aspak e lehtë për t’u riulur në tryezën e diskutimeve e më pas negocimit me Greqinë, me qëllim arritjen e një marrëveshje të re.

Po aq i rëndësishëm ishte edhe trajtimi i të gjitha çështjeve të pazgjidhura, të natyrës historike mes dy vendeve tona, bazuar në parimet e themeluara të së drejtës ndërkombëtare. Parashtrimi i të gjitha çështjeve në mënyrë sistematike e të vazhdueshme, është gjithnjë më i lehtë sesa eksplorimi i zgjidhjeve të pranueshme, por është i domosdoshëm si proces, për t’i paraprirë përcaktimit të një kuadri për adresimin e tyre. Për këtë arsye, pas diskutimeve eksploratore në nivel diplomatik e teknik me palën greke kaluam te shkëmbimi i qëndrimeve për çështjet e pazgjidhura mes nesh. Çështje, që rrokin një problematikë rreth 85-vjeçare, nga vendosja e ligjit të luftës nga ana e Greqisë ndaj Shqipërisë, e deri tek ato të aktualitetit.

Po kështu, ngritëm një mekanizëm të përhershëm dypalësh në nivel diplomatik, që i parapriu dialogut politik në nivelin e ministrave të jashtëm dhe më pas të kryeministrave. Thënë ndryshe, ndërtuam një proces besimi hap pas hapi, duke analizuar bisedimet, interesat e ndërsjella, instrumentet në dispozicionin tonë dhe shënjuam rrugën e kalendarin për mënyrën e zgjidhjeve të të gjitha çështjeve dypalëshe, duke përfshirë edhe delimitimin e hapësirave detare, me synim një ndarje të drejtë e të ndershme mes palëve.

Negocimi i marrëveshjes së re për delimitimin e hapësirave detare, që pasoi procesin e përshkruar më lart, u bazua në ligjin 43/2016 “Për Marrëveshjet Ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”. Ligj, i cili në vetvete reflektonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese në raport me mënyrën e ndërveprimit të institucioneve shqiptare dhe tagrin e tyre të përfaqësimit në një negocim të tillë.

Ndërkohë që ky proces nuk u kurorëzua me përfundimin e një marrëveshjeje për delimitimin e hapësirave detare, risi përbën gjetja e gjuhës së përbashkët ndërmjet ekipeve negociatore të Shqipërisë dhe Greqisë për: i) parimet mbi të cilat kryhet delimitimi (marrja në konsideratë e vijës së drejtë bazë dhe korrektimet, që i bëhen asaj për rrethana gjeografike të veçanta); ii) metodologjinë e ndërtimit të vijës delimituese; iii) përfshirjen e Protokollit të Firencës, i cili ka përcaktuar kufirin tokësor mes Shqipërisë dhe Greqisë (Piramida 79 ku takohet toka me detin, si pikënisje e vijës së ardhshme delimituese); iv) uljen e peshës specifike të ishujve në Det Territorial, Shelf Kontinental dhe Zonë Ekskluzive Ekonomike, që prodhon një ndarje të drejtë.

Kjo ujdi mund e duhet të shërbejë si bazë e çdo procesi të ardhshëm mes palëve. Ndërkohë, u përmbyllën disa prej çështjeve, që ishin pjesë e paketës. Adresimi i çështjes së toponimeve eliminoi pengesat në lëvizjet ndërkufitare të shtetasve tanë. Greqia hoqi rezervën për përdorimin e vulës apostile, duke u kursyer xhepave të shtetasve tanë rreth 5 milion euro në vit për dokumente të ndryshme. Heqja e rezervës për vulën apostile i hap rrugë dhe lëshimit të certifikatave nga zyrat tona konsullore në Greqi, çka do të përbënte një lehtësim të madh për shtetasit tanë.

Veçimi i çështjeve

Ndryshimet politike në Greqi në mesin e vitit 2019 risollën në qeverisje Nea Demokracinë, e cila ishte në qeverisje gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me Shqipërinë, në vitin 2009. Për Nea Demokracinë, marrëveshja e vitit 2009 konsiderohej si arritja më e madhe strategjike e Greqisë në politikën e jashtme. Ky ndryshim politik në Greqi u shoqërua me një qasje të ndryshme mbi paketën e çështjeve të pazgjidhura mes dy shteteve tona, për mënyrën sesi u veçua nga paketa dhe sesi do të adresohet çështja e delimitimit të hapësirave detare.

Për shembull, paketa përmbante edhe trajtimin e marrëveshjeve për administrimin e piramidave dhe shenjave kufitare si dhe atë të bashkëpunimit ndërkufitar. Ndonëse jo të lidhura në kuptimin ligjor përfundimi i këtyre marrëveshjeve, paralelisht me atë të delimitimit të hapësirave detare, mbyll përfundimisht çështjet kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, e njëkohësisht varros çdo pretendim territorial të qarqeve ekstremiste. Pavarësisht përpjekjeve disavjeçare që çështja e delimitimit të hapësirës detare të mbetej në nivel dypalësh, për herë të parë, mënyra e zgjidhjes së kësaj çështje dypalëshe u bë pjesë e dokumentit të Kuadrit Negociues që do të udhëheqë procesin e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Megjithëse BE-ja ka në gjirin e saj shtete anëtare, të cilat ende nuk kanë gjetur rrugën e zgjidhjes me njëra-tjetrën për çështjet e delimitimit të hapësirave detare, për shkak të mungesës së një standardi europian, insistimi i Greqisë për ta bërë këtë çështje dypalëshe, që zgjidhet vetëm përmes të drejtës ndërkombëtare, pjesë të axhendës europiane, shton në mënyrë të padrejtë presionin ndaj Shqipërisë.

 

Gjykata e HAGËS / Ja pse Greqia kërkon të shkojë në Hagë për çështjen e detit

Si përcaktohen kufinjtë në rastet Shqipëri-Greqi dhe Greqi-Turqi. Ja rrethanat e reja që duhen mbajtur parasysh për vendimin e Greqisë për të zgjeruar detin territorial në 12 milje në Detin Jon. Zgjerimi i hapësirës së ujërave territorial dhe roli i Turqisë.

Sot jemi përballë faktit të deklaruar se Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për delimitimin e hapësirave detare. Ky është një proces impenjativ, që kërkon dije, përgatitje serioze dhe kohën e duhur. Pasi nuk kemi të bëjmë me transferim të përgjegjësive për mënyrën e adresimit të kësaj çështje, por me shprehjen e gatishmërisë të palëve ndërgjyqëse për të pranuar verdiktin e Gjykatës Ndërkombëtare.

Në thelb, ky proces përgatitet nga palët, ndërkohë që vendimmarrja është e Gjykatës. Në negociatat dypalëshe palët veprojnë mbi bazën e objektivave dhe ekzigjencave të tyre. Ato kontrollojnë produktin e negociatës. Kur palët i drejtohen Gjykatës, kjo e fundit është rojtare e precedentëve të vendosur nga e drejta ndërkombëtare. Rrjedhimisht, e pandjeshme ndaj objektivave të palëve. Shqipëria dhe Greqia janë përfshirë në një proces ndërveprues, nga i cili duhet të hartojnë një dokument të përbashkët për lëndën që do t’i nënshtrohet gjykimit, ku duhet të evidentohen gjithashtu pikat e përbashkëta dhe diferencat mes palëve, për të cilat duhet të shprehet gjykata. Rezultatet e arritura gjatë procesit negociues të vitit 2018 mund dhe duhet të shërbejnë si një bazë e mirë për hartimin e dokumentit të përbashkët që do t’i nënshtrohet gjykimit në Hagë.

Sipas Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, procesi i delimitimit të hapësirave detare ndjek këtë procedurë:

(i) Prezantimi dhe analizimi i bazës ligjore ndërkombëtare dhe të brendshme të palëve;

(ii) Analizimi i gjeografisë së terrenit në hapësirën detare ku do të kryhet delimitimi dhe përcaktimi i pikave bazë nga do të fillojë ndërtimi i vijës delimituese;

(iii) Ndërtimi i një vijë delimituese provizore, çdo pikë e së cilës është e baraslarguar nga pikat bazë në bregdetin respektiv të palëve;

(iv) Pas ndërtimit të vijës delimituese provizore bëhet korrektimi i kësaj vije për në Detin Territorial, për rrethana të veçanta (roli dhe pesha e shkëmbinjve, cekëtinave, instalimet detare) dhe tituj historik (hapësirat detare të shpallura dhe të njohura si të tilla), për në Shelfin Kontinental dhe Zonën Ekskluzive Ekonomike, për një ndarje të drejtë (për shkak të gjeografisë ishujt marrin më pak peshë në delimitim përballë tokës kontinentale).

Në fund të këtij procesi prodhohet një hartë detare me koordinata të vijës delimituese mes palëve.

Rrethanat e reja që duhen mbajtur parasysh

Vendimi i Greqisë për të zgjeruar detin territorial në 12 milje në Detin Jon është një mesazh i qartë politik, që reflekton ndryshimet e viteve të fundit. Ky zgjerim, i pari që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, erdhi menjëherë pas përfundimit të marrëveshjeve të delimitimit të hapësirave detare me Italinë dhe Egjiptin; rifillimit të diskutimeve eksploratore me Turqinë; sikundër deklarimit publik se delimitimi i hapësirave detare me Shqipërinë do të kryhet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Megjithëse ky hap i Greqisë ka efekte vetëm në zgjerimin e hapësirës së ujërave territoriale në Detin Jon, Greqia deklaroi se është në të drejtën e saj të zgjerojë ujërat territoriale kurdo dhe kudo që ajo zgjedh, përfshirë jugun e Kretës dhe gjetkë. Ky qëndrim bazohet në deklaratën shoqëruese të ratifikimit të Konventës të së Drejtës së Detit të Montego Bay nga ana e Greqisë, ku pranohet zbatimi përkohësisht i gjerësisë prej 6 miljesh të detit territorial, duke gëzuar të drejtën e zgjerimit në 12 milje, në çdo moment të përshtatshëm.

Mirëpo, në kushtet kur Turqia e konsideron çdo zgjerim në Egje një casus belli, është e qartë se jemi para një ndryshimi të qëndrimit tradicional të politikës së jashtme greke, e cila ka synuar gjithnjë që zgjerimin e Detit Territorial ta niste fillimisht nga Egjeu. Pra, ky ndryshim qëndrimi synon të diferencojë trajtimin e çështjeve të delimitimit të hapësirave detare me Turqinë, përkundrejt vendeve të tjera, por, duke përfituar sa të jetë e mundur nga precedentët që krijohen.

Ndryshimi tjetër lidhet me heqjen dorë nga pozicioni tradicional grek për t’u dhënë ishujve fuqi sa më maksimale në delimitim përballë tokës kontinentale. Ky ndryshim evidentohet qartë në përmbylljen e marrëveshjes për hapësirat detare me Italinë dhe me Egjiptin. Italia dhe Greqia kanë nënshkruar më 24 maj 1977 marrëveshjen për delimitimin e Shelfit Kontinental mes tyre. Dhënia e një efekti jo të plotë për ishullin grek të Othonoit ka shkaktuar një modifikim të vijës me distanca të barabarta, me qëllim që të arrihet një zgjidhje e drejtë. Thënë ndryshe, palët kanë rënë dakord për një ulje të peshës së ishullit grek prej 3.5% përballë tokës kontinentale italiane. Ndërsa për Detin Territorial, për këtë ishull, palët kanë pranuar automatikisht gjerësinë prej 12 miljesh, sepse distanca e këtyre dy vendeve është më e madhe se 24 milje.

Më 13 qershor 2020, Italia dhe Greqia nënshkruan marrëveshjen për delimitimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike, e cila konfirmon vijën delimituese të marrëveshjes së 1977-ës. Kjo marrëveshje lejon flotat respektive të peshkimit që të operojnë përtej vijës delimituese të Zonës Ekskluzive Ekonomike, por pa hyrë në ujërat territoriale respektive, në pajtim me acquis e BE-së. Ndarja e Zonës Ekskluzive Ekonomike i mundëson të dyja vendeve ushtrimin e të drejtave sovrane për përdorimin e energjisë eolike, kabllove të komunikimit nëndetar, kryerjes së kërkimeve shkencore dhe botës së gjallë.

Pavarësisht fokusit të saj kryesor në Egje, Greqia vijoi të angazhohet në arritjen e marrëveshjeve për delimitimin detar me fqinjët e tjerë. Fillimisht me Italinë, me të cilën ndajnë të njëjtën politikë në fushën e peshkimit, si vende anëtare të BE-së. Për të vazhduar më pas me Egjiptin, me nënshkrimin e marrëveshjes për delimitimin e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike, më 6 Gusht 2020. Interesant është fakti se vija delimituese, që palët kanë ndërtuar në këtë marrëveshje është e pjesshme. Pika që nuk është mbyllur është zona detare përpara ishullit të banuar grek të Kastelorizos, i cili gjendet vetëm 2 km larg Turqisë.

Mosmbyllja e plotë e vijës delimituese Greqi-Egjipt, vjen si rezultat i mospasjes së një marrëveshje Greqi-Turqi, që do të përcaktonte efektin që do të kishte ishulli Kastelorizo në Shelfin Kontinental dhe Zonën Ekskluzive Ekonomike. Ishulli Kastelorizo ndikon edhe në: (i) mundësinë e pasjes së një delimitimi të zonave detare mes Turqisë dhe Egjiptit; (ii) vijën delimituese detare Turqi-Qipro; (iii) vijën delimituese Greqi-Qipro. Marrëveshja mes Greqisë dhe Egjiptit ka efekt direkt mbi memorandumin e nënshkruar mes Turqisë dhe Libisë, duke reflektuar realitetin gjeografik.

Pra, vija delimituese Greqi-Egjipt është ndërtuar duke e nisur matjen nga Kreta dhe ishujt rreth saj Karpathos, Kufonisi, Kristi, ekzistenca e të cilëve në memorandumin Turqi-Libi nuk është marrë në konsideratë. Në marrëveshjen mes Greqisë dhe Egjiptit, pesha e ishujve grekë në delimitim, si për Shelfin Kontinental dhe Zonën Ekskluzive Ekonomike, është ulur deri në 10% përballë tokës kontinentale të Egjiptit. Duke qenë se distanca mes Greqisë dhe Egjiptit është shumë më e madhe se 24 milje, automatikisht ishujt grekë kanë marrë efekt të plotë të gjerësisë së Detit Territorial, pra, 12 milje. Egjipti ka pranuar një marrëveshje të pjesshme duke ruajtur neutralitetin e vet përkundrejt mosmarrëveshjes greko-turke.

Ndërkohë që Greqia ka hequr dorë nga qëndrimi i saj tradicional për efekt sa më maksimal të ishujve, me qëllim sigurimin e një marrëveshje që defaktorizon memorandumin Turqi-Libi. Megjithëse ky memorandum është depozituar në OKB, pas nënshkrimit nga palët më 27 nëntor 2019, si një shprehje e vullnetit politik të tyre, ai nuk ka të njëjtën vlerë ligjore me një marrëveshje ndërkombëtare. Në dritën e zhvillimeve të mësipërme duhet lexuar edhe Dekreti nr. 107, i datës 25 Dhjetor 2020 i Presidentes Greke “Për mbylljen e gjireve dhe ndërtimin e vijës së drejtë bazë në zonën detare të ishujve Jon deri në Peloponez”.

Në kushtet kur Shqipëria dhe Greqia po shkojnë në Hagë për delimitimin e hapësirave detare, qasja e re e Greqisë në ushtrimin e të drejtës së detit dhe precedentët e krijuar, duhet të shërbejnë si mësim për ne, për një orientim sa më të mirë, me qëllim arritjen e një ndarje të drejtë e të ndershme në detin Jon. Nuk duhet harruar se marrëveshja e vitit 2009 ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, injoroi në kurrizin tonë precedentin e vendosur që në vitin 1977, për uljen e peshës së ishullit Othonoi në Shelfin Kontinental përballë tokës kontinentale. Precedent ky i konfirmuar edhe në marrëveshjet e fundit Itali-Greqi dhe Greqi-Egjipt.

Marrëveshjet e mësipërme vlejnë për të kuptuar se pavarësisht legjislacionit të brendshëm për gjerësinë e detit territorial, përparësi merr gjithnjë e drejta ndërkombëtare e detit dhe pasqyrimi i parimit të 12 miljeve në terrenin gjeografik përkatës. Greqia ndan Det Territorial vetëm me Shqipërinë dhe Turqinë, sepse distancat ndërmjet brigjeve janë më të vogla se 24 milje. Për pasojë, në dallim nga rastet e mësipërme me Italinë dhe Egjiptin, ku parimi i 12 miljeve përfitohet automatikisht nga Konventa e të Drejtës së Detit të Montego Bay, pa pasur nevojën e përcaktimit të një vije delimituese për Detin Territorial, në rastet Shqipëri-Greqi dhe Greqi-Turqi duhet të përcaktohen edhe vijat delimituese në Detin Territorial.

Precedentët e vendosur, sidomos në rajon, janë orientues për pritshmëritë dhe rezultatet e procesit gjyqësor që do të zhvillohet me Greqinë për delimitimin e hapësirës detare. Ndaj, lipset një qasje sistematike e institucioneve tona për të punuar në vijimësi për përmbylljen e proceseve të delimitimit edhe me Italinë e Malin e Zi, si prioritet strategjik dhe pse jo krijimin e precedentëve nga ana jonë. Tek e fundit, ushtrimi i së drejtës së detit duhet të rikonfirmojë rëndësinë e dimensionit mesdhetar të politikës sonë të jashtme.

Kërcimi i fundit

Duke u nisur nga sa më sipër, është rasti të ritheksohet se ushtrimi i politikës së jashtme kërkon disiplinë strategjike. Greqia është një partner strategjik në rajon, me të cilën kemi ende çështje të rëndësishme të pazgjidhura, përfshirë edhe delimitimin e hapësirave detare. Kjo nuk do të thotë se duhet ta shohim atë me paranojë e as me inferioritet. Nevojitet një diskutim serioz që udhëhiqet nga arsyeja shtetërore dhe interesi kombëtar, e që siguron në të njëjtën kohë, mirëkuptim sa më të gjerë politik e shoqëror, për trajtimin e çështjeve të pazgjidhura me fqinjin sipas objektivave të përcaktuara nga politika e jashtme. Ne kemi arritur t’i vendosim në tryezën e bisedimeve të gjitha çështjet dypalëshe. Disa prej tyre, siç u shtjelluan më lart, janë adresuar. Rruga përpara për adresimin e të gjitha çështjeve nuk është e lehtë. Aq më tepër kur çështja e delimitimit të hapësirave detare, nga një çështje dypalëshe, falë insistimit të Greqisë, është bërë pjesë e axhendës europiane të Shqipërisë. Ndaj, na duhet të dëshmojmë këmbëngulje për adresimin e të gjitha çështjeve, duke mos harruar se me Greqinë kemi interesa të ndërthurura dhe ekonomi të ndërvarur. Si dy prej popujve më të vjetër në këtë kënd të Europës, marrëdhënia shqiptaro-greke e ka të gjithë potencialin që të çlirojë energji pozitive për të gjithë rajonin. Ndaj, le të përpiqemi për një “kërcim të fundit” në adresimin e çështjeve të pazgjidhura, e të rishkruajmë Traktatin e ri të Miqësisë e Bashkëpunimit me vështrim nga e ardhmja e përbashkët.