Janar 1962, Pekin
Mua më pëlqen jashtëzakonisht, jashtëzakonisht, ëë (?) që t’i shoh dhe t’i shpreh gjërat ashtu siç janë. Neise, kjo pakkujt i vlen.Tani vazhdojmë : Atë natë unë u bëra tapë ! Të nesërmen, data një, isha gjithashtu shumë i vrarë. U zgjova në mëngjes rreth orës 8.30. Shkova te kuzhinieri, me të cilin, si gjithë shokët shqiptarë, e kam shumë mirë, e i thashë të më binte diçka për të pirë e për të ngrënë dhe i ‘derdha’ prapë ca gota, po jo aq sa të dehesha. Më datën dy dhe tre u mora vetëm me matematikën. Pjesët teorike (Ta marrë djalli ! Ajo ka mjaft pjesë teorike !), as që i pashë me sy, sepse do të më duheshin dy-tre orë për të kuptuar përmbajtjen e një faqeje.
Erdhi data katër. Në orën 8.30 erdhi radha ime për t’u futur. Më dukej sikur nuk dija asgjë. Mund të them që kisha edhe një përqindje të vogël frike se mos mbetesha, mirëpo ky dyshim më zhdukej menjëherë kur mendoja se profesori i matematikës, megjithse metodikën e shpjegimit nuk e ka fort të përsosur, si njeri është i mrekullueshëm; pra s’besoja të më linte në klasë!
Mora tezën dhe u ula në bangë. Shikoj pyetjen e parë, ishte “ kuptimi teorik i limiteve të funksionevet” gjë që nuk e kisha kuptuar kurrë ! E lashë atë dhe fillova të zgjidh ushtrimet. Gjatë kohës së përgatitjes, ndryshe nga shumë shokë nuk i bëra profesorit asnjë pyetje « për sqarime ». Dihet që ndonjëherë për të zbuluar se nga bie ky mësim, dhe ç’duhet thënë, mund t’i bësh profesorit ndonjë pyetje indirekte, p.sh. « ç’kuptim ka kjo », « s’e kuptoj ç’më kërkohet »etj. Gjëra të tilla unë i urrej aqsa urrej të kopjuarit. Më duket sikur më bëhet burrëria copë kur veproj kështu. Megjithatë profesori kaloi një herë pranë dhe si e pa që për të parën s’po bëja asgjë më tha me zë të ulët: « është filan pjesë ». Ai i gjori pandehte se unë nuk e kuptoja për punë të gjuhës.
« Po, po, e di » i thashë unë. Mbarova përgatitjen dhe u ula para profesorit. Doli se ushtrimet i kisha bërë mirë të gjitha. Ai më bëri ca pyetje të tjera në formë ushtrimesh. Me pak ngathtësi ia zgjidha. « Shikoje edhe një herë këtë pyetjen e parë », tha, « mos u nxito, unë pres ». I kishte shkrepur në kokë të më vinte pesë siç duket. Unë u mendova disa sekonda pastaj i thashë: « Profesor, kur bëra përsëritjen m’u duk sikur e kuptova dhe e përvehtësova këtë pjesë, mirëpo del se nuk paskam përvehtësuar gjë.Tani s’mund të kujtoj asgjë. Është e kotë të humbet kohë ». Pallavra të gjitha.
« Mirë, tha, katër, më jep librezën ! » Dola jashtë dhe për pak sa nuk e putha atë katrën që ishte shkruar jo me numër po me një heroglif, që nuk e kisha parë asnjëherë.
Më datën tetë kishim Vizatim Teknik. Shumicën e kohës deri atëditë,e kalova duke ndihmuar shokët,(ne e ndihmojmë shumë njeri-tjetrin), duke zgjidhur ushtrime jashtë programit ,të cilat kur i përkasin vizatimit, merrem me to me aq kënaqësi sa ç’merrem edhe me poezitë e I.Kadaresë, që më dërgon vëllai në letra duke i prerë nga gazetat, se e di që unë i admiroj ato. U mora edhe duke bërë konsultim me profesorin e kimisë për ca leksione që kisha munguar. E pse ta vrisja mendjen shumë?! Gjithë ushtrimet gjatë vitit i kisha zgjidhur vetë dhe në detyra kisha marrë vetëm pesa. (Lavdi Zotit! Lënda e Vizatimit nuk ka teori hiç me përjashtim të parathënies e cila nuk përfshihet në provim). Kështu që në mos pesën, katrën do ta thithja. Provimi qe me shkrim në klasë, të gjithë bashkë. I bëra të gjitha pa asnjë gabim. Profesori i vizatimit është bir kurve, është aq i ashpër në kërkesat ndaj nesh sa edhe ndaj studentëve kinezë. Ndërsa matematika vuri dy pesa e katër katra dhe nuk la asnjë, ky vuri vetëm një pesë dhe la dy vetë, të cilët tani në pushime janë në siklet.
Erdhi data dymbëdhjetë, provimi i Kimisë. Nuk mbaj mend në jetën time të kem hyrë në ndonjë provim me zemër aq të dridhur sa atë ditë! Gjatë vitit kisha mbajtur ca shënime, të cilat kur i mbaja thosha “ama, ç’shënime që po mbaj, duhet parë libri me doemos!”.Mirëpo simestri kaloi dhe unë, flas më zemër në dorë, nuk e hapa asnjëherë librin nga dembellëku, duke thënë ” le të dalë ku të dalë”. Kur erdhi provimi ish gomarllëk të merresha me librin se vetëm tre ditë ishin ato të shkreta; kështu që mblodha shënimet nga i kisha e s’i kisha, ( ato shënime që dikur s’i begenisja fare dhe që me të vërtet nuk e meritonin begenisjen, se ishin të cekëta e tejet të paplota) dhe fillova t’u hedh ndonjë sy. Doli se tani në fund i kuptoja më lehtë ca gjëra që më parë më dukeshin të vështira. Shumica e rasteve qe kështu: kur kisha mbajtur shënimet, i mbaja dhe s’dija ç’kuptim kishin, kurse tani në fund i kuptoja lehtazi. Ky fenomen në dukje është disi i pabesueshëm, kurse në fakt është fare i natyrshëm. Ditën e fundit isha pa zënë me dorë nja dy kapituj për të cilët nuk kisha shënime. (Kapitujt mos i pandehni shumë të shkurtër, ëëë!?) Për t’i dhënë profesorit të kuptojë se jam i zellshëm, i thashë:”ju lutem profesor, më lejoni ta jap mbasdite se dua t’i përsëris edhe një herë nga e para”. Ai e fshiu emrin tim nga lista e atyre që do ta jepnin provimin paradite dhe tha:”shumë mirë!”Paraditja më iku duke lexuar ca letra dhe duke bredhur nga posta për të marrë një pako që ma dërgonin nga Shanghai ca shokë me ca peshqeshe për ditlindjen. Më drekë kapa atë shokun, që e kish dhënë provimin i pari dhe që ish i vetmi nga të paradites që kish marrë pesë (Ai është më i fortë nga të gjithë ne në kimi; po të merrte ai më pak se katër, vajmedet për ne të tjerët, nuk kish fare shpresë…) Por, jo! Më vlerësoi me katër!
Që unë studioj në Kinë dhe që do kthehem në Shqipëri me diplomën e inxhinierit në xhep. Kjo më gëzon shumë, dhe është kaq e ditur nga të gjithë saqë po ta përmendësh shpesh duket sikur e vë në dyshim. Mirëpo kjo nuk të thotë aspak se unë nuk kam mall për Shqipërinë, të afërmit dhe shokët e mi aty !



















