Erdha Petro aty, ku prehesh në amshim,
në Dhërmi, ku det e qiell bëhen bashkë.
Pata një ndjesi në shpirtin tim,
ti s’ishe aty brenda, por diku, jashtë.
Shpirti yt i madh dhe i lirë
nuk mbyllet lehtë me rrasa varri,
i bukur, i pastër, tejet i dëlirë,
fluturon e prehet në brigje malli.
Ti vetë e ke parë vdekjen me sy,
disa herë me radhë me të ke folur,
ndaj as në varr nuk të afrohet ty,
se tmerrësisht, ti vdekjen e ke lodhur.
Të shoh tek ecën përgjatë bregut, zbathur,
këpucët në dorë shkujdesur i mban,
nga lapsi në vesh një kaçurrel i kapur,
cigarja mbi buzë një mjegull shpërndan.
Kalon si një re, fare pa u ndier,
atje, ku pllymëzën hedhin peshkatarët,
ku zhurmë e bardhë e detit është përzier,
nga pluskimi i ngjalave brenda te pinarët.
Je për çdo natë mbi valët e detit,
shkruan poezi me rrezet e hënës,
mëngjesi të rilind me rrezet e diellit,
apostull të lirisë dhe bohem të këngës!
Kalon e të ndjen ai që s’të sheh fare,
të katër stinët, ti, i ul bashkë në tavolinë,
ti je një poet e orbitë planetare,
se përjetësisht në vargje pulson lirinë!
Deti përherë më duket gjoksi yt,
nga ty, me liri unë pikëlohem,
në pamundësinë absolute, gjete mundësinë,
të vërtetat e kohës, njeriut, të tregohen.
Në ngushticat e jetës qëndrove si burrat,
kreve detyrën ndaj atdheut, njerëzimit,
si mollok shkëmbi i shembe diktaturat,
nuk heshte kurrë ndaj dhembjes dhe mjerimit!
Tregove shqetësimet e shkrimtarit –njeri
dhe të njeriut – shkrimtar dhe poet,
që kërkon përparim, drejtësi dhe liri,
dhe zot i fatit të tij të jetë në jetë!
As tani nuk hesht ndaj urisë dhe dhimbjes,
ndaj padrejtësive, varfërisë, çnjerëzores,
ndaj gënjeshtrës, deformimit, shtypjes,
Ti me lirinë flet gjuhën që me qiellin përkon,
se për lirinë shalove dallgë lufte e nuk u ndale,
të njëjtat drita, tinguj, ngjyra, ajo lëshon,
se liria është vetëm një: universale!
Unë eci pak me ty, bregut, qetësisht,
më pëlqen që këto hapa i bëjmë bashkë,
si brerore lavdie, fiqtë e detit gjallërisht,
skuqin kokrrat në majë si vezë për pashkë.
Ti i jep dhe gurit gjallëri, gëzim,
kur ecën bregut shtatderdhur, fisnik,
lulet e ullirit përpëliten në pjalmim
dhe pema e limonit veç me aromë stërpik!
– Petro, përse po pret për pranverën?
– Ta them unë, moj bijë, çfarë vërtetë po pres:
Burrat e larguar, si retë vijnë me erën,
kur të vdesë dhe era edhe unë do vdes!
Vijnë të gjithë te bregu, deri dhe Matrënga,
i bëjnë iso erës bashkë, por dhe me radhë,
futet nëpër shpella, nëpër guva kënga,
se engjëjt rilindin vetëm në Himarë!