Suplementi Pena Shqiptare/ Lasgush Poradeci : Zonjës Shqipe

436
Sigal

16 Nëntor 1939

Shqipja ime e dashur,
Jam i lumtur që po të shkruaj letrën e parë me emrin
Shqipe, të dëshëruar prej meje dhe të pranuar me aq gëzim
dhe kryelartësi prej teje vetë. Më je lutur kaq herë të të shkruaj
me këtë emër, nuk të shkrojta gjer më sot sepse nuk e dinja
mirë në e pranon nga gjithë fuqija e shpirtit t’ënd. Lutjet e
tua të përsëritura më dhanë arësye të t’a përmbush dëshirën
më në fund sot. Ky është emri yt i vërtetë tashi e paskëtaj, do
t’a mbash me mall dhe me durim, është simboli i pavdekur
i atdhedashurisë s’onë, bashkimi më një i shpirtrave t’ona
kështu të përvëluara.
Shqipe! T’a dish sa gëzim, sa ngushëllim më fal ky
emri yt i ri! Si më ra mua nërmënd? Pse e prite ti me aq
dashuri? Desha të çmall një mallin t’im të brëndëshmë, t’a
kem Shqipërinë gjithnjë të gjallë dhe të bukur dhe si nuse
e re që është, t’a kem përpara syve të gjallë në veten t’ënde,
prandaj më ra nërmënt ashtu. Ti e prite ashtu se mendove
gjith si mua, je gjith vetëm Shqipëri, trup i pastër prej vashe
shqiptare dhe shpirt fisnik shqiptar, je kështu drita jonë e të
dyve në dashurinë e të shentit Atdhe.
Mba-e tashi këtë kurorë me mburrjen t’ënde të dashur,
është themeli i bashkimit t’onë kombëtar, kulmi më i lartë
i dhembjes dhe i gazit dhe i ëndrës s’onë së përzëmërt
atdhesore.
Kështu të bësh, kështu do bësh ti Shqipja ime e dashur.
Nuk t’a them unë, ç’të t’a them unë atë që ti e di vetë. Unë kam
bindje të madhe në idenë t’ënde shqiptare, bëhem gjithnjë
më i bindur se ti do bësh tërë theroritë për të ngritur për dita
më lart vetveten t’ënde shqiptare. Për të kulluar dhe për të
fisnikëruar sa vjen më shumë, me punë, me vepra, me prova
të gjalla, jo me fjalë, shqipëtarësinë t’ënde edhe me kaq gjer
më sot mjaft të dashur për mua.
Kështu ti Shqipja ime e ëmbël? E kupton ti tashi pse
heshtnja unë gjithnjë kur më pyetnje, dhe më kujtonje dhe
më luteshe dhe më qaheshe për emrin t’ënd të ri? Që pse
s’të kam shkruar, pse s’të shkruaj, pse s’të dërgoj një letër
me emrin Shqipe? Kur më telefonove prej Durrësi dhe më
the “Shqipja”, dhe kur më the se të ardhi turp kur vajte në
postë dhe pyete në ke letër me emrin “Shqipe” dhe postjeri të
tha se jo, mua më ardhi keq për ty, po më ardhi dhe shumë
mirë. Më ardhi keq dhe mirë, prandaj vendosa më në fund
të të shkruaj ashtu. Dhe ti e di, vendimi im nuk këthehet.
Vendimi im, është fjalë e dhënë shqiptare. Fjala e dhënë
shqiptare quhet besë shqiptare.
… Kjo? E Shqipes! Jo?? E Shpirtit t’im!!
Ty të merr nër kraha dhe të puth me zjarr
Lasgushi yt.