Agim Xhafka : Zoti ambasador, dua leje të fejoj çunin

311
Sigal

Në çdo pore të jetës na kanë hyrë ambasadorët. Nga mëngjesi në darkë i shohim në televizion. Duke marrë pjesë në analiza të trupave arsimore, në operacionet e zorrës së trashë, në ekspozita, në vendosje kapakësh të pusetave në lagje, në përmbytje – duke tundur kokën mendueshëm para hartave të emergjencës – në lyerjen e kazanëve të plehrave, në modelin e ri të lidhjes së kravatës, në analizat e Kombëtares së futbollit… Aq po na sjellin miza në kokë, sa së fundi një prind plot sarkazëm, i tha shokut të vet: “Djali im dashuron vajzën e Nasit, por duhet të pyes ambasadorin nëse u jep leje të fejohen! Do zoti nuk u hap probleme!” Ja, kështu jemi bërë me qeveri mbi qeveri. Vijnë këta zyrtarë nga pçks e sapo mbërrijnë në Rinas, ia nisin këshillave; p.sh., shiu duhet të bjerë më anash, jo kështu. Fletët e gjetheve duhet të jenë më jeshile, asfalti patjetër më gri. E pas tyre vrapon media, ministrat, ofiqarët e vendi ngërthehet nga paranoja se progresi po na ndjek, suksesin e kemi në xhep, ja pyesni ambasadorët! Ngaqë pjesën më të madhe të vitit e kaloj në USA, nuk më ka ndodhur asnjë ditë të shoh në TV, jo ambasadoren e Shqipërisë, hahaha, por as atë të Kinës a të Rusisë. Se ai popull i ka dalë zot vendit e çfarë dërdëllisin ambasadorët nuk do t’ia dijë fare. Ka bërë një sinor ligjor e thotë “këtu hyn veç populli amerikan”. Bëhen dhe atje përmbytje, ka zjarre, uragane, tornado, fatkeqësi, por askund nuk sheh një cep ambasadori, edhe si figurant. Ndërsa tek ne del dielli, hop na fanepset dhe ambasadori. Ikën dielli, nuk ikën ambasadori, rri atje tek kutia, sikur e ka pjellë e ëma mu në televizor. Ky inferioritet i shpifur vjen nga që klasa politike e jona është e korruptuar dhe e pazonja. Klasë e pjellë nga vota e vjedhur, ndaj gjen mbrojtje nga qëndrimi as ashtu, as kështu i ambasadorëve. Shto dhe korruptimin e tyre, e kemi arritur në pikën që qeveria e ambasadorëve merr vendime, qeveria e popullit zbaton direktivat. Sovranitet i shitur. Ja, fjala vjen zgjidhet një prokuror me 31 vota se ashtu ka thënë OPDAT e EURALIUS!!! Sikur ka folur Zeusi. Nuk do jetë çudi kur shqiptarët do pyesin se çfarë do të gatuajnë nesër. Na thuaj, zoti ambasador, mos hezito! E sa të marrin përgjigje, p.sh bëni fasule, do ripyesin menjëherë: fasule të bardha a të zeza? Si për ironi të shkrimit, nga fillimi e deri tani më doli në televizion tre herë ambasadori gjerman nga që flitet për kushtet e Bundestagut, pesë herë ai i BE, tetë herë amerikanka. E vetëm tre sekonda ca pamje nga aksidentet dhe vrasjet mes ditës në vendin tim. Eh, qenkemi bërë shteti vasal i ambasadorëve. E urrej këtë lloj vendi, paçka se e kam vendlindje. Po lëviz edhe Ismail Qemali, nuk po gjen rehat as tek vendi i prehjes së përjetshme. Rehat kanë gjetur veç ambasadorët që i kaptë ndonjë përmbytje ashtu papritur, nga Vjosa a nga Drini. Njësoj është, do jetë lehtësim për vendin dhe njerëzit…