Suplementi Pena Shqiptare/ Kosta Nake: Në Athinë, me Eskilin dhe Kadarenë

132
Sigal

Vlerësimi më i fundit i Republikës Franceze për Ismail Kadarenë më gjeti në Athinë, prandaj u ndala për pak çaste me Eskilin, të cilit Kadare i ka kushtuar një studim të posaçëm, veprën eseistike “Eskili ky humbës i madh”, një etalon se si mund të bëhet një studim shterrues për një autor dhe veprën e tij. Është vendosja e një guri kilometrazhi në rrjetin e udhëve të antikitetit që Kadare jo thjesht i shkeli si adhurues, por u ndal gjatë si studiues për t’i vëzhguar me vëmendje, për të bërë zbulime befasuese dhe për të hedhur hipoteza. Siç e dëshmon vetë autori tek “Ftesë në studio”: “Kur kam shkruar librin për Eskilin, kam dashur, veç të tjerash, të vë në provë ndërgjegjen time: a mund të shkruaja diçka për një popull tjetër (për një popull tjetër ballkanas), me të njëjtin përkushtim siç do të bëja për popullin tim?” Nuk mund të mos ndjehem mirë kur që në faqen e parë lexoj “… rileximi i Eskilit përbën vetvetiu një “akt të zgjedhur”. Fillon me një inventar fizik të tragjedive të Eskilit: humbin 83 nga 90 vepra, një katastrofë artistike, që shekujt e kanë mbuluar me koren e tyre, por sapo ta gërvishtësh pak, e ndjen zgafellën e krijuar. Interesante është hipoteza se zhdukja e tyre mund të ketë qenë e qëllimshme nga korrentet fetare. Kadare ndalet gjatë te koncepti i së drejtës si një prej ideve gjeniale të Eskilit dhe ja ku zbulojmë pse ka një ndjesi të veçantë: ta ilustrojë me artefakte shqiptare. Shtatë tragjeditë e mbetura kalojnë në sitën e analizës së autorit: “Prometeu” – drama titanike me ndeshje hyjnish, që përcaktojnë fatin e species njerëzore dhe që sjell figurën e rebelit dhe martirit të përjetshëm, simbol i përparimit dhe mendimit të lirë; “Të shtatët kundër Tebës” si paralajmërim i bashkatdhetarëve kundër përçarjes politike; “Oresti” – drama e krimit dhe e gjakmarrjes, e anktheve të luftës për pushtet; “Koeforet” me pëlhurën-rrjetë që Klitemnestra ia hodhi Agamemnonit para se ta godiste dhe njollat e thara të së cilës na kujtojnë menjëherë këmishën e përgjakur te romani “Prilli i thyer”. Duke iu rikthyer luftës greko-trojane, Kadare e konsideron si pretekst rrëmbimin e Helenës dhe i mëshon “shkeljes së zakonit të mikut” dhe “tryezës së dhunuar” që përbën një gur themeli në kanunin shqiptar. Një ndërkallje e neneve nga Kanuni i Lekë Dukagjinit është një këmbëngulje për të thënë se nuk ka një ishull grek të lulëzimit të letërsisë, por një shtrat ballkanik që e ushqeu atë dhe këtu shpërthen pezmi i Kadaresë që pas Perandorisë Romake edhe studiuesit e tjerë të metropoleve botërore janë treguar shpërfillës ndaj këtij trualli që ka pjellë kryevepra të mahnitshme. Arti i Eskilit dhe Euripidit vijnë në vështrimin krahasues të Aristofanit, strukturat madhështore larg skemave, detajet, ftohtësia, parashikimet kobndjellëse, pastaj rrezatimi i letërsisë antike në botën moderne, themelimi i një arti dhe një ndërgjegjeje të dytë të njerëzimit, përmbyllin këtë ese të gjerë analitike. Dhe atëherë, kur kthen dyshen e fundit të faqeve të librit, sheh se surprizat nuk kanë të mbaruar. Te raportet e Eskilit me konkurrimin dhe të Eskilit me Greqinë unë lexoj raportin e Kadaresë me Çmimin Nobel dhe me Shqipërinë, pa e vënë dorën në zjarr. Po e citoj dhe secili le të bëjë vlerësimin e vet. “Kishte kohë që në trurin e tij shkumëzonte pakënaqësia. Vendimi i jurisë ishte pika e fundit e derdhur në një gotë të mbushur prej kohësh. Nuk i mbetej veçse të shfrynte me vete: në djall të vinin të gjitha! Në djall çdo gjë, në djall të vente Greqia bashkë me grekët. Vend zemërngushtë, mosmirënjohës, kujtesëshkurtër. Ai qe përpjekur ta bënte të pavdekshme, por ajo s’e meritonte.”