Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: Një grusht fat

399
Sigal

Ky është titulli i romanit që ka botuar Istref Haxhillari, pikerisht ky burrë që më ka hedhur mua mbi shpatulla dorën e tij, ne këtë foto të shkrepur në kafen SORELE , ne Boston. Si e mbarova së lexuari romanin , thashë me vete se sikur ky roman te ishte paraqitur për botim para viteve 90-të, autori ose do përfundonte punëtor kazme diku, ose mund edhe të futej ne burg… Të njejtin fat besoj do ta kishte patur edhe botuesi…

Por, ka ardhur një kohë tjetër, një kohë e LIRISE, kur shkrimtari është i lirë të shkruajë si të dojë dhe cfar të dojë. Pikërisht këtë liri e ka përdorur Istref Haxhillari ne romanin e tij të fundit. Unë nuk pretendoj me këto pak rradhë të bëj kritikun letrar. Le ta studiojnë studiuesit. Unë vetëm do të vë në dukje disa veçanësi të romanit në fjalë. Së pari e mbi të gjitha ,ky roman është në hullinë e nje letërsie realiste, puro realiste do te thosha. Jo si ajo letersia pseudorealiste e ” realizmit socialist” e cila prodhoi vepra skematike dhe pa kurrfarë vlere që sot e kesaj dite tingëllojne propagandë e gjallë. I dehur nga flladi i LIRISE, unë mendoj se Haxhillari i është kthyer atij universi që e njeh mirë, pikërisht fshatit të tij, për ta gdhedur ne artin e tij realist romanor. Aq besnik i ka qendruar, autori vizionit realist sa lexuesi sheh si ne nje ekran te gjerë pamjet e trishtuara të fshatit shqiptar, deri në imtësi të atilla sa kurrkund nuk i ke parë në letrat shqipe më parë. Në roman sheh se si fshataret përgjaken me njeri tjetrin dhe pikërisht kjo i mbush me pengje jete dhe trishtim ne kohë lufte. Ashtu sic sheh fshatare qe hapur e thone se i ashtuquajturi ” kolektivizim i bujqesise” nuk u be vullnetarisht , por me dajak, nga lart… Skenat e trishta realiste të fshatit , ato portrete të skalitura kaq bukur, prej autorit,vuajtjet per copën e bukës, dhe gjithshka tjetër që e kishte fytyrën e ferrit, (por që servirej si parajse e ” socializmit”) jane dhënë me një fuqi shprehëse të admirueshme. Dhe, nuk besoj se e teproj për nga thellësia e realizmit, ky roman meriton të futet ne panteonin e letrave shqipe. Diku ne roman nje nga personazhet thotë: ” Grurë korrim e grurë nuk hamë”. Ndersa pak më poshtë lexuesi mëson se një nënë përdor insekticide të bujqesisë për të hequr morrat nga kokat e dy çupave të saj, gjë që rezulton fatale me vdekjen tragjike te njomzakeve . Keto e skena të tjera të nje varfërie të thellë , Istref Haxhillari i ka plazmuar me nje stil të thjesht rrëfimor duke qenë i vetëdijshëm se mbi të vërtetën e prekur me shqisat e tij, nuk mund të jetë asnjë fantazi,sado e zhvilluar që mund ta fuste në kurth vemendjen e lexuesit. Në pikëpamje te stilit dhe të gjuhës, Haxhillari duket është nxënës i mjeshtrave te trevës nga vjen, te Mitrush Kutelit e Lasgush Pogradecit. Fryma lirike e frazës së tij i jep plasticitet dhe e nxjerr më në reliev trishtimin dhe tragjizmin e jetes në fshat. Po ashtu kësaj thjeshtësie lirike ne rrëfim i bashkëshoqërohet mjeshtria në shpërfaqjen e peisazheve që herë herë bëjnë kontrast me dramaticitetin e situatave. Istref Haxhillari pa dyshim me këtë roman i bën nder letërsise kontemporane shqipe. Natyrisht, si kudo në letërsi, ka gjera që edhe mund t’i kishte lënë mënjane, për ta shmangur një lloj proliksiteti aty këtu. Por, këto janë thjesht çështje redaktoriale dhe lehtësisht te korrigjueshme në botime të tjera të autorit. Dua ta mbyll këtë shënim me një falenderim për mikun tim, shkrimtarin Ervin Nezha, i cili në fakt është bërë shkak që unë të tregoj interesim për shkrimtarin serioz dhe me plot origjinalitet , mikun tim të ri Istref Haxhillari.