Një shpend u ngrit mbi Gjirokastër,
dhe se ku shkoi nuk e pashë më.
Nga portë e vjetër e kalasë,
dalin legjenda një nga një…
Oh, jo nuk janë vetëm legjenda,
që shekujt pranë na i ka prurë,
përveç legjendës së Argjiros,
shumë histori janë përmbi gur.
Mbi gur qyteti hodhi rrënjët,
të ish i sigurtë ballë stuhive,
me gur i shtroi edhe rrugicat,
mbi gur ua gdhendi emrin bijve.
Qyteti lashtë në jug të vendit,
me gjuhë të gurit di të flasë,
me gur i ngriti dhe shtëpitë,
kala të vogla rreth kalasë.

Mbi gur është shkruar historia,
mbi gur është gdhendur dhe flamuri,
e zgjodhi gurin për mbiemër,
dhe patrioti Idriz Guri
Me gur ndërtoi të gjitha urat,
që lidh çdo breg e çdo kodrinë,
me gur e bluan dhe kafenë,
në gur e gdhendi bujarinë.
Me gur ndërtoi vazo për lulet ,
se lulet nuk mungojnë kurrë,
dhe është qytet ndoshta i vetëm,
ku mbijnë lulet përmbi gur.
Dhe dashurinë për mëmëdheun,
e gdhendi mbi çdo gur e portë,
së pari e gdhendi në zemër,
por vetëm zemra se nxën dot.
Gjithçka në gur qëndron e gdhendur
se veç me fjalë nuk mund të thuhet,
krijoi qyteti nëpër shekuj,
më shumë lavdi sesa i duhet…






















