Suplementi Pena Shqiptare/ Xhevahir Spahiu: Shembja e një nate dashurie

226
Sigal

Ktheva kokën, mbajta hapat:
binin tjegullat, binin trarët,
binte qielli i një nate dashurie.
Atje mbi papafingo,

pranë yjeve e pata puthur,
shemben yjet tani, bëhen pluhur.
dritare s’ka, ka sy të zgavërt,
s’ka mure me plasaritje të etshme,
skelete fjalësh në gjysmëerësirë,
skelete ëndrrash, premtimesh të nesërme.

Ngrihet tymi si një mjegull e bardhë,
një grusht eshtrash të një nate gërmadhë.
Në cep të rrënimit
dy burra po pinë qetë-qetë cigare.
Ej, ju atje! nuk dëgjoni si

ulërijnë brenda meje xhindet,
edhe pak e llava do të dalë

jashtë meje si tek vullkanet?
Mos u kthe në kujtim, i thashë :
mos u kthe në harrim, më tha!
Botës i falëm një natë dashurie
dhe kjo s’është pak.
Një natë dhe çfarë nate!
Dora mbi sup, hëna mbi mal,
qielli i kaltër i botës mbi krye…
Mbajeni, mbajeni!
ajo po bie…po bie….
Dhe ishte një natë e paemër,
siç ishin të pa emër yjet.
Kini mëshirë, mos e shembni atë natë!
Është rënkimi im apo klithma e saj?
Kini mëshirë, kini mëshirë!
Ajo ishte një natë dashurie,
që kurrë s’duhej të kish gdhirë.
Kini mëshirë,
në mos po atje nën gurë,
nën peshën e natës,

së shembur do të shembem,
i vrarë jo nga urrejtja,

po nga dashuria,
që, përjetësisht quhet dhembje…