Ka dashuri që i kanë rrënjët në përjetësi, ashtu si dashuria e nënës, që i ka rrënjët në ekzistencën e njerëzimit.
E tillë ka qenë ekzistenca e nënës sime. Atë e zbriti Krijuesi nga qiejt dhe e mishëroi në tokë , si Virgjëreshën Mari. Qenësia e saj ishte drita e zbulimit që kapërcen të gjitha dritat e tjera, ishte drita hirëplote ku mbaron misteri dhe nis kuptimi . Me sytë shpirtërorë të kësaj drite, Ajo ngriti urën shenjtë të dashurisë dhe i dha frymë jetës sime. Dihet se njeriu ka vetëm një nënë dhe dashuria e nënës qëndron mbi të gjitha dashuritë. Në rrjedhën e kësaj dashurie lind jeta, si një rreze dielli që shpërthen në errësirë. Ashtu siç linda unë, pasi u ngjiza në trupin e nënës, njëlloj si fara e premtuar në tokën e shenjtë të dishepujve. Aty ndjeva për herë të parë ngazëllimin e agimit, që vinte nga thellësitë e një misteri të paemër. Teksa kordoni i mishtë këputej, ndjeva të qarën time si fëshfërima e kroit mbi buzën e një nimfe. Ajo , nëna ime, e rilindura nga dhimbjet e lindjes, më përkundi në djepin e tokës me flladin e ninullave të jetës. Ishte eliksiri i bardhë i gjirit të saj që më dha jetë, frymë dhe dritë. Tek rrahjet e zemrës së saj dëgjova meloditë më të paqta të kohërave, në djepin e krahëve e butë gjeta atë ndjesi që nuk përshkruhet me fjalë, por vetëm ndjehet thellë brenda shpirtit dhe aty përjetësohet. Dashuri do të thotë dhembshuri dhe ajo,Mbretëresha ime,më mëkoi me burimin çudibërës së saj. Më mësoi se nuk duhet të resht së qenuri shtegtare, të zhbiroj thellësitë e misterit të jetës, për të marrë bukuritë e saj të pavjela. Jeta është grua e egër dhe e bukur , por prej nënës mësova se sa e rëndësishme është të jesh e fortë si shkëmbi, të falësh dashuri dhe të besosh tek mrekullitë e jetës, edhe kur të rrëzon përtokë me ashpërsinë e saj.

Kuptova se dashuria ekziston, mjafton të hedhësh sytë aty ku fillon drita.
Por një ditë, drita e botës sime u zbeh dhe yjet e qiellit tim ranë në trishtim të thellë. Sepse edhe dritat më të shndritshme një ditë perëndojnë.
Në muzgun e frymës së fundit të jetës, nëna rënkoi pareshtur anë e kënd qiellit tim. E u duk sikur nga lotët e mi, fytyra e saj u bë luadh me manushaqe.Vajtimi i luleve ishte i sinqertë e i pastër. Fëshfërima e frymës së fundit pushtoi dhomën ,duke lënë pas vetes një zbrazëti rrëqethëse e të ftohtë. Lotin e ikjes së saj, mbaj ende ndër sy. Përmasat e tij janë oqeanike. Ka çaste kur mbytem në thellësitë e këtij loti ku pasqyrohen mallëngjimet, kujtimet, fytyra e bukur e nënës ,më e bukur se e perëndive. Shpesh kujtoj duart e saj të zbukuruara me copëza brumi dhe me thërrmija buke të ngrohtë. Kujtoj gjurmët e thella të shtizave përreth gishtërinjve, që thurnin netëve nën hënë, çorape dhe triko leshi. Çdo mëngjes, aroma e trëndelinave që mbollën duart e saj, përhapet në ajër si një lutje e bardhë. Kurse shalli i vjetër me petale trëndafili, parfumos gjethet e kujtimeve të gdhendura në trungun e kohërave.
Pa nënën, bota ime vegjeton në qetësinë e ujshme të lotëve dhe të stuhisë së hidhur,me trokëllima dhimbjesh.Mundohem të gjej forcë për të përqafuar jetën.Zinxhirët e dhimbjes janë aq ta rëndë saqë vetëm fuqia e dashurisë së nënës ,mund t’i thërrmojë.Mbretëresha ime më mësoi se dashuria e nënës ka madhështinë e qiellit dhe të dritës,është përjetësi e shpirtit dhe frymë e përjetshme. Dihet se jemi formësuar nga thërrmijat e dheut dhe në fundjetë i përkasim vetëm atij.
Shpesh nëna më thoshte se kur demonët e vdekjes t’i gërryenin shpirtin me thundra ,dëshironte që Toka ta vishte me klorofilin e jetës,që të zgjohej në pranverë kur të çelnin sythat e pemëve. E mira nëna ime,ishte e dashuruar me jetën dhe me Tokën.Sa herë më merr malli për të, mbështes kokën në djepin e Tokës të dëgjoj zërin e butë të nënës dhe lutjet e engjëjve, që pushojnë mbi qerpikët e patretur. Dhe tani që koha rrjedh në agun e vesës, në çdo thërrmijë dheu frymon ajo, kapedania ime që nuk dorëzohej lehtë , që nuk e njihte humbjen, që mposhte çdo stuhi, me buzëqeshje.
Ekziston një lidhje mes vajzës dhe nënës, që as koha nuk mund ta prish, një lidhje e thurur me fije zemre. Një lidhje e tillë eterne jeton në thellësi të zemrës sime.
Shpesh më thoshte me zë të dridhur: “Kur të mos më kesh më pranë, kërkomë aty ku fillon drita, aty ku buzëqesh rrezja e parë e diellit kur përkëdhel vesën agimore”.
Ajo iku heshtur nga kjo botë, si të gjitha nënat, e veshur me dëlirësi. Sepse dëlirësia e tyre ëmbëlson rrënjët e jetës dhe gjunjëzon botën me fuqinë magjike.
Çdo dritë ka në thelb dashurinë e nënës.
Aty ku fillon drita, përjetësohet shpirti i saj i bardhë.



















