(Lirikë e lehtë).
Ti, nesër je sërish tek unë,
me një shikim, që krejt më grish;
S’e di është qejf apo është punë?
Të rrish, aty dhe të më ndrish…
Ashtu dhe unë dua të rri,
lëshon ca hire… s’i përzë…
Po, aq shumë lajka, sa ç’ke ti
krejt më hutojnë, s’di ku ti vë.
Qëllon që vjen…e mbushur mjegull,
më qesh e qan-zë resh që qajnë.
Harkon me trupin si një pjergull,
që degët rrush nuk mund të mbajnë.
Eh, unë e di, nuk jam më lis,
të të mbështjell , në u mbushç plot.
Ti nis loton, qan- qesh sërish,
si re që zbrazet ashtu, kot…
Sërish, një nesër më vjen pranë,
më ndez si diell që përvëlon.
Unë s’di, më qesh apo më qan,
unë s’di, loton apo lodron.
Dhe, fajin reve ua vë,
mbushura plot s’e dinë kur rrjedhin…
Të mbaj në dorë, e s’më bën zë.
…pa tretesh krejt ku erërat bredhin.
Sërishmi nesër vjen strehoesh,
më qesh e mbushur lajka plot.
Pastaj fryn erë, në qiell harbohesh,
dhe kot më duket vetja. Kot.
FLUR…
Tani është korrik, ka dhënë shpirt çdo flutur ,
livadhet flenë mbytur nëpër shkretëtirë…
Nën qiell nis të lozet një re- vajzë e bukur,
me ca sy të blertë dhe dy gjinj të fryrë.
Tani vjeshta pret… ç’i mbet peng i shkuar.
Nën pemët plotmbushur, sërish Ana qesh…
Ku shkoi dashuria, kujtimesh harruar?
Humbuan si puthjet, që vetë ashtu desh?
Po mbytet korriku, me vapë dhe etje.
U bë hi e pluhur çdo flutur rebele…
Një re gjinjtë hap, si fshetas, në ecje,
dhe hedh nëpër qiell, mirazh të një vele.
Nuk di, prapë sërish, të rend ndër livadhe?
Livadhet kanë shkrirë… nën gjinj shkretëtirë!
S’e di, nëse ende, imazh i një Ane,
më kthen më të bukur, më bën më të mirë!
Korriku derdh vapë dhe mbyt ç’iku shkuar,
mbi vete shkrin ëndrrat që humbën dikur…
…në qëntë një flutur, diku e harruar,
vetë retë ngjyrë blerta, e kthejnë në flur…
HESHTJE FEMËRORE
I kam mbyllur në kokën time të gjitha Perënditë,
flas me to darkave, siç flisja me gjyshen e bukur.
Të tjerëve u dukem naiv dhe i praptë, i fëmijtë,
si një ëndërr, që shkëlqim, brenda syve mban strukur.
Më qëllon që të grind, ta bëj lëmsh estetikën,
kur më flak muzë e artit, më përplas me ylberë,
kur zë digjem si zjarret e sfidoj edhe Amerikën,
rris fuqitë si vullkan me njëmijë kraterë.
S’është lehtë të shëtisësh kopshteve të perëndishme,
nën një hënë që rrjedh dritë, edhe meket, dhe vdes,
kur zë tund gjithë këmborët, ti mështeknë e magjishme,
nëpër kopsht shkund veç prush, që nga zjarri që ndez.
Se ca gjëra të hershme nuk u fshihkan dot kurrë,
as me fshesën e moshës, as me vdekjen e yjve,
ndrijnë misteret pavdekshëm, bëjnë roje mbi buzë,
regëtijnë nëpër përrenjtë e katarakteve të syve.
I kam mbyllur në kokë, gjithë, gjithë, Perënditë!
S’di askush me kë grindem, netëve kaq foshnjërisht.
Vetëm ti ke kaq kohë, ikën, vjen si kometë.
Herë shkëlqyer, herë djegur, nga një univers çudish…






















