Suplementi Pena Shqiptare/ Ismail Xhaferi: Piva…

Piva shpesh ca lot trishtimi,

për të fshehur dhimbjen time,

NOA

piva kupa dashurie,

piva kupa me zhgënjime.

 

Piva borë nga Mali i Gjerë,

sa herë shkrinte përfund prillit.

Piva në kodrat e Lunxhit,

vesë nga lulet e tërfilit.

 

Piva hënën e argjendtë,

fshehur nën lulet e ftoit.

Piva yjet sa herë zbrisnin,

pranë liqenit të Viroit.

 

Piva ujin nëpër Vjosë,

që s’shteroi asnjëherë.

Piva kupa me gëzime,

piva dhe kupa me vrer.

 

Piva dhjetëra thashetheme,

tek rrugica e Kako Pinos,

në një gotë e mblodha erën,

nëpër luginën e Drinos.

 

Piva vjeshtën e bekuar;

Anembanë në Shqipëri.

Piva dhjetëra thashetheme,

dhe i volla përsëri.

 

Piva shpesh ca lot trishtimi,

për të fshehur dhimbjen time!

Piva kupa dashurie,

piva kupa me zhgënjime.