Fotoja e mëposhtme është bërë para pak vitesh në avllinë e një familjeje të Çepanit në Skrapar. Ajo tregon helmetën e një ushtari italian dhe një tambur ushtari ndërlidhës grek futur në tokë, të mbetur nga Lufta Italo-Greke, viti 1941, që u zhvillua edhe në atë fshat e në malet për rreth.

Babai rrëfente për një ngjarje në atë dimër lufte. E rregjistruar sipas fjalëve të gojës së tij ja si kishte ndodhur.“Punoja në Siticë dhe vija në shtëpi, në Çepan, një herë në dy-tri ditë. Ishte luftë e madhe: kudo gjyle, bombje, aropllanë, ushtarë, pushkë. Isha nisur për tek fëmijët në Çepan. Ishte një i ftohtë i hidhur dhe dielli nuk ngrohte fare. Po ngjitesha te rripat e Arës së Gjatë kur një aropllan bumbardoi te Qafa. U fsheha pas një dushnjere dhe kur ai kaptoi matanë Çukës së Likovës, u nisa prapë. Te rripa e Qafës, prapë u kthye ai i mallkuar aropllan dhe hidhte gjyle mbi ushtarët italianë. U fsheha edhe aty se nuk dinja se ç’të bëja tjetër.U ngrita gjene dhe iknja nën udhë e mbi udhë që të mos më shihnin ushtarët. Ata ishin të lodhur e të drobitur,të rraskapitur e të uritur. Ç’të shikonje!…Te rripat e Dardhazit, më pa njëri, më tha “veni kua” dhe ma bëri me dorë që të vinja tek ai. Iu afrova. Ai më bëri me shenjë për bukë. Ishte i uritur. Hapa torbën e lëkurtë që kisha me vete dhe i dhashë copën e përvëlakut të misërt. Ai e mori dhe e kafshoi i babëzitur. Më kërkoi më, po unë s’kisha. Më dha një palë këpucë meshine të reja dhe më tha se donte më bukë dhe do të më jepte këpucë të tjera. Ca e merrja vesh, ca jo. I thashë me isharete se bukë kam në Siticë. Hajde me mua të vemi atje, tha ai.Unë ndrrova mendje dhe u ktheva për në Siticë. Më erdhi keq për atë djalë aq të sfilitur.Unë çapisja përpara me këpucët në dorë e ai pas meje. Kur beftas erdhi prapë balloni dhe ai u shtri në anë të një ledhi me mengjërishta dhe më thoshte “piano, piano”. Plasën bombjet afër dhe ne u shakullepsëm , ca nga frika ca nga tymi; po në trup nuk kishim as plagë e as gjak.U ngritëm e lëvizëm për më tutje. Aty sa kalon tatëpjetë Qafën e Siticës, dolli një kapural. Kur na pa,i foli ashpër ushtarit, më mori mua këpucët me forcë dhe më vuri kondakun në kraharor, me të çirrura e të thirrura, për të më shpënë te çadërja e xheneralit që ishte në krye të Kshillazit, aty poshtë një arre. Unë doja të flisnja, por ai nxirrte vetëm një llaf “avanti”. Thashë me vete “kaq e pata”, ndaj po mendohesha se si t’i shpëtonja atij laneti. “Mallkuar qofshin ato këpucë” thashë me vete. Aty afër çadëres së xheneralit kishte shumë ushtarë e oficerë me dyfek gati për ta shkrepur. Seç u llafos kapurrali me ta dhe mua më futën në çadëre. Xhenerali pinte duhan me një cigarishte të gjatë, por dukej nga çehreja që nuk ishte mbroth. Më hodhi sytë mua pa begení dhe dëgjoi terxhumanin.Unë nuk i kuptoja hiç, por ai që dinte shqip me tha që të them ‘pardon, se nuk kam gjë me ta dhe po shkoja në shtëpi se kam fëmijët të sëmurë’. Ashtu bëra . Xhenerali dha hyqëm që të më lëshonin. Dhe unë me një frymë, përrua më përrua, e ledh më ledh ua mbatha këmbëve për në Çepan. Anës udhës kishte plot plaçka e fyshekë, po s’ma mbante të merrnja se mos më zinin prapë ata, të mallkuarit. Kur vajta në Çepan, në shtëpi tonë kishin pllakosur grekët. Kishin therur dy dhitë e vetme. Gruaja qe çakërdisur dhe tmerruar nga frika se ushtarët grekë merrnin nga djepi dhe e tororisnin nëpër duar djalin që s’kish as tre javë që kish lindur. Ishte muaji i zi, i kollozhekut atë mot të luftës të grekut me Italinë. Edhe në fshatin tonë gojosej se do të ngrihesh çeta me luftëtarë që mbanin kapellë me yll të kuq…”Pikërisht në ato kohra babai i kishte gjetur këto e të tjera‘mbetje nga lufta’. Këto, të tilla relikte, si: gëzhoja gjylesh topi, ‘killa”(gëzhoja) plumbash pushke dhe mitralozi, samar kuajsh lufte, veç atyre të luftës italo-greke, janë mbetje ‘të fosilizuara’ edhe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar që i gjen edhe sot pas mbi 80 vjetëve thuajse në çdo fshat dhe në çdo shtëpi në Skrapar e gjithkund në truallin e atdheut tonë. Fshatarët “praktikë” kanë gjetur mënyra se si t’i përdorin ato “plaçka të vjetra”për nevojat e veta. Fshatarët e qytetarët shqiptarë nuk e donin as luftën as plaçkën e saj.Ata donin e duan, truallin të lirë, pa ushtarë të huaj e luftra. Ata duan qetësinë, punën, familjen. Duan bukuritë e jetës që sjell liria dhe djersa e ndershme. Kam parë diku që një gëzhojë gjyleje topi, e kishin bërë vazo për lule, helmetat përdoreshin si tasa ku u hidhej tagji kafshëve ose si gërraç ku u jepnin lëtyrat dhe bukën qenve të familjes atje pranë kolibes së tij. E vështroja kushedi sa herë babain tim, i bëftë kurdoherë dritë shpirti, tek rrinte në sofat e shikonte pulat që çukitnin hime me piperka mbi një kapak gavete ushtari grek. Këtë ‘ushqim’ e bënte nëna shpirtbardhë dhe kusur e pasosur që shpendët e familjes të mos i zinte lija dhe të bënin sa më shumë vezë. Atë gavetë me kapak ai kishte gjetur diku, pas largimit të ushtarëve e fashitjes së krismave vdekjendjellëse udhës nga Dardhazi karshi Taroninës, siç gjeti edhe helmetën dhe tamburin. Babai rrinte mendueshëm me vështrimin tretur tutje nëpër kujtimet e asaj lufte. Por nuk e di se çfarë e brente në këto çaste! Ai nuk e arriti filmin “Krevati i Perandorit”, por nëse do ta kishte parë, mbase do t’i dukej vetja në këto çaste si Meke Partizani!?…Tani këto pamje tragji-komike pakkujt iu bëjnë përshtypje. Por ndonëse ngjarje të herëshme, ethet e luftës drithërojnë, plagosin,vrasin e groposin popuj në vende larg edhe pranë nesh. Lufta mbetet gjithnjë te pragu i portës. Ajo nuk harrohet e nuk duhet harruar. Luftënxitësit janë kudo. E ne na duhet të mbrohemi. Prindërit tanë, kishin hequr në kurriz të zezat e papërshkruara të atyre luftrave, që morën jetën e mijra bijve e bijave të tyre. Ndaj kur shihnin kalin në avlli që pinte ujë në një helmetë ushtari të huaj, qenin që brente e llufiste i kënaqur kockat apo menekshenë që lulëzonte mbi një arkë metalike fishekësh te muri rrethues i avllisë, diçka ua ndizte gjakun përbrenda shpirtit të tyre…




















