Kujtim Boriçi: Vëllimi poetik “Frymëzimet e një Dervishi”, i Klerikut Mikel Onjeja, një libër me vlera të rralla

Këto dit, doli nga shtypi vëllimi poetik “Frymëzimet e një dervishi”- (pjesa e parë),  i klerikut bektashi, Dervish Mikel Onjeja. Nisur nga tematika e poezive, gjetjet, adhurimi për objektet hyjnore e shpirtërore, mesazhet dhe përkjdesja për vargun, e bëjnë këtë libër krejt të veçantë, në morinë e botimeve të shumta poetike të këtij tranzicioni të gjatë shqiptar. Dervish Mikeli, ka vite që ka publikuar poezitë e tij në faqet e suplementit “Pena Shqiptare” të gazetës ‘Telegraf’ e në disa organe të tjera, duke tërhequr vëmëndjen e specialistëve dhe lexuesve. Ky libër është pjesa e parë e kolanës tre volume, me të njëjtin titull: “Frymëzimet e një dervishi”. Libri i botuar, është shoqëruar me një mesazh nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj dhe parathënien nga poeti e publicisti Kujtim Boriçi, njëkohësisht redaktor i librit.

LIBËR QË SJELLË E PASQYRON TRADITËN POETIKE BEKTASHIANE

NOA

Haxhi Dede Baba, Edmond BRAHIMAJ

Kryegjysh Botëror i Bektashizmit

Bismilahim Rrahmani Rrahim! Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Në traditën fetare e atdhetare të bektashizmit, gjatë tetë shekujve jetë të tij, mistika, nefeset, këngët dhe vargjet, kanë shoqëruar vazhdimisht mbijetesën e këtij besimi, duke kontribuar jo pak në shtimin numerik e gjeografit të besimtarëve në mbarë botën, në drejtësinë e udhës së Ehli Bejtit, në forcimin e besimit të pa lëkundur në Zot, në forcimin e bashkëjetesë, solidaritetit, dashurisë njerëzore, mirësisë e paqes universale. Pasuria dhe përparësitë e misionit bektashian, shprehur edhe nëpërmjet poezisë, është ndër të veçantat në këtë fushë, ku kanë spikatur ndër shekuj kolosë të mendimit e vargut, klerikë, poetë, shkrimtarë të këtij besimi e miq të tyre të shumtë. Bektashiu, poeti kombëtar, rilindasi shqiptar Naim Frashëri, për ne, është e do të mbetet ‘qershia mbi tortë’ në fushën e poezisë. Vargjet naimiane, të sintetizuara në devizën e besimit tonë, “Pa atdhe, nuk ka fe!’, janë e do të mbeten krenari dhe shembull në rrugën e ndritur të besimit tonë bektashian.  Në këtë rrugë, natyrshëm e në formën e stafetës, brez pas brezi, kanë dhënë kontributin e tyre dhe shumë vëllezër tanët, klerikë bektashian. Së fundi, në udhën e poezisë bektashiane, modestisht renditet tashmë dhe vëllai im, dervish Mikel Onjeja, që vjen me librin me vjersha, “Frymëzimet e një dervishi”. Ai është prezantuar këto vite dhe medien letrare kombëtare të kohës, duke sjellë së fundi dhe këtë libër.  Që në nisje e në vijimësi, mbështeta e përkraha kontributin e vëllait dervish Mikel Onjesë, në këtë rrugë tradite, duke ndërmarrë dhe botimin e librit. Shpresoj dhe uroj dhe bekoj që vjershat e tij, që tashmë ju i keni të përmbledhura në libër, të lexohen, të pëlqehen dhe të sjellin tek ju sadopak, jetën dhe përkushtimin bektashian në të mirë të paqes e dashurisë njerëzore. Po ashtu, në këtë rast, dua të evidentoj e vlerësoj dhe punën e redaktorit të libri, Kujtim Boriçi, për përzgjedhjen dhe përgatitjen për botim.

Përgëzime e suksese të tjera, vëllait tim, dervish Mikel Onjesë!

Zoti u bekoftë të gjithëve! Amin!

 

“FRYMËZIMET E NJË DERVISHI”, BUQETË POEZISHË ME MOTIVE PËR MISIONIN E BESIMIT TË PAQTË BEKTASHIAN

 

Kujtim BORIÇI

Publicist, poet

 

Kishte kohë në rrjetet sociale e, më rrallë në medien e kohës, në morinë e publikimit të poezive ‘pa doganë’, dukuri prezent këto vite, më kishin rënë në sy disa vjersha të klerikut bektashian, dervish Mikel Onjesë. Më tepër se rima, ritmi, metrika e vargut, më tërhiqte motivi që ai trajton. Të gjitha këto krijime, kanë si motiv, besimin e paqtë bektashian (“Pa atdhe, nuk ka fe!), mbijetesën e këtij në mbi tetë dekada, rolin fetar e atdhetarë të klerikëve bektashi, misionin tij të shenjtë për dashuri, humanitet, paqe e dashuri njerëzore. Të dala e të shprehura këto ndjenja nga dervish Onjeja, njeri që i është përkushtuar përjetësisht Udhës së Haxhi Bektash Veliut, kanë mundur të bëjnë për vete besimtarë e lexues të shumtë. Duke kërkuar të njihem me poezinë e tij, (qindra vjersha në shumë vite), përtej modestisë së autorit, gjykova e mendova që një cikël të plotë të krijimtarisë, t’ia botoj tek suplementi “Pena Shqiptare”, të gazetës kombëtare “Telegraf”. Atë kohë, ndër të tjera, në prezantimin shoqërues, shkrova: “Përtej petkut të bardhë e misionit të klerikut, nëpërmjet penës së tij, dervish Mikel Onjeja, hedh në letër përjetimet shpirtërore dhe mesazhet që i burojnë nga zemra. Poezia e tij, është një poezi ndjenje, përjetimi, që vjen natyrshëm e që merr shkas nga jeta e përditshme, nga hallet, dertet e shpresat e njerëzve të thjeshtë. Thjeshtësia e vargut, e shprehur dhe nëpërmjet përshkrimeve, epiteteve, të bën të ndjesh emocion, admirim e adhurim. Rasti i këtij kleriku-poet, është sot i rrallë jo vetëm si risi, por dhe për vlerat atdhetare, artistike e jetësore që sjellë poezia e tij. Këtë e shikon qoftë dhe nëpërmjet ciklit të mëposhtëm, (“Erdh’ një zog e më kujtoi…”), shkëputur nga dhjetëra vjersha të tij, përzgjedhur për botim..”. Dhe kjo krijimtari e publikuar, u mirëprit nga lexuesi dhe njohësit e kësaj fushe. Ndoshta gjithçka mund të kishte përfunduar këtu, duke e lënë krijimtarinë e dervish Mikelit në udhën spontane të publikimit të deritanishëm, nëse nuk do të ishte sugjerimi e angazhimi e mbështetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj. Pikërisht, kjo mbështetje, bëri që pjesa e parë e “Frymëzimet e një dervishi”, të jetë sot në duart e lexuesve, si pasuri modeste në plejadën e poetëve bektashinj.

 

CIKËL ME POEZI, NGA MIKEL ONJEJA

 

1-Mbi teqe, erdh’ një pëllumb i bardhë…

 

Një pëllumb i bardhë,

Mbi teqe na erdhi,

Na solli beharë,

Urimet i derdhi.

 

Nuk e di ç’do jetë,

Mbase është një shpirtë,

Erdhi mbi teqe,

Flatrat sjellin dritë.

 

Në sy më vështroi,

Më tha, ‘këtu gjeta çerdhe’,

I ula në gjunjë, ulur në prag,

I thash ‘mirë se erdhe!’.

 

Nisi cicërimën e ëmbël,

Më vështron ndër sy,

Zgjata, dorën, e vura nën ‘të,

Këngën nisëm të dy…

 

Turan-Tepelenë, 1 mars 2019

 

2-Etyd….

 

I mbylla sytë për një orë,

Pashë një varg me shërbëtorë,

Ku ishte kreu, ku ishte fundi,

Unë s’dukesha gjëkundi.

 

I rashë përqark, pashë kundruall,

Larg e afër e nga matanë,

E gjeta veten duke punuar,

Ndërtoja strehë për fukaranë.

 

Merrja ujë për në shkretëtirë,

T’ pinin buzët që ishin thekur,

E njerëzve në at’ luftë mynxyrë,

Dhe bëja lutje për çdo të vdekur.

 

Bashkë me nënat, nga sytë lotoja,

Për fëmijët e tyre të plagosur,

Në gjunjë përulur, Zotit i kërkoja,

Të shuhej kjo luftë që ka pllakosur.

 

Të binte qetësia si fllad pranveror,

Dhe njerëzia në paqe të jetonin,

Ndërkohe me thirrën, ‘o shërbëtor’,

…S’kisha dëshirë që të më zgjonin.

 

I hapa sytë dhe ujë u hodha,

Duke menduar ata që s’kanë,

Vargut me shërbëtorë iu bashkova,

Duke bërë lutje për fukaranë.

 

3- Naim Frashëri, bilbil i Bektashisë…

 

O bilbil i Bektashisë,

Penë e ndritur bojë artë,

Burrë i shenjtë i shqiptarisë,

Poeti që nuk lind më pRap.

 

Ç’gji të dha ajo nënë,

Ajo princeshë shqiptare,

T ka ushqyer me dritë,

Ajkë e Shqipes dykrenore.

 

O Naim, mali me borë,

Që tunde perandorinë,

U radhite ndër shenjtorë,

Që u shkrinë për Shqipërinë.

 

Natë e ditë syri pa gjumë,

Për shkolla e abetare,

Kombit tonë dritën ua sollët,

Se deshën t’ia fiknin fare.

 

Si qiri, jetën e shkritë,

Burra me mendje të ndritur,

Dhe na e sollët këtë ditë,

Shqipja jonë sa e kishte pritur.

 

Tradhtarët e Shqipërisë,

Nuk na donin, as na duan,

Gjuhën tonë të Perëndisë,

Vetë Perëndia e ruan.

 

 

4-Unë jam një i vdekur…

 

Unë jam një i vdekur,

Ata janë të gjallë,

Ndaj çdo natë në tyrbe,

Shkoj të shuaja mall…

 

Unë jam një i vdekur,

Ata janë të gjallë,

Në mejdan të Hakut,

Namazin do fal.

 

Unë jam një i vdekur,

Ata janë të gjallë,

Për Imam Hysenin,

Loti më shkon vallë…

 

Unë jam një i vdekur,

Ata janë të gjallë,

Udhë e Ehli-Bejtit,

Ty të qofsha falë!

 

31 gusht 2019

 

5-Lutje e dervishit…

 

Një dervish që rri në portë,

Mbani vesh se ç’ lutje thotë,

Në botë paqja mbizotëroftë,

Edhe lufta u largoftë!”

 

Mos kujto se zuri këndin,

Rri i qete e mban kuvendin,

Është përherë në përgjërime,

Ne lutje, në agjërim.

 

Lutet e punon që të ketë paqe,

Jo me gjak e lot në faqe,

Të lindë shpresa e besimi,

Larg nga dhuna e mjerimi.

 

Turan-Tepelenë, 18 qershor 2025