Librin e adhuroj; është frymëzim
e magji.
Të vërtetën më mëson
ta përqafoj.
Gënjeshtrën ta urrej
me gjithë fuqi.
Kur lexoj ndihem më i lirë.
Libri është mësuesi pa shpërblim;
ai më udhëzon si të jetoj më mirë.
Është shoqëruesi më i këndshëm
në udhëtim,
por edhe pa lëvizur
shpesh jam në shtegtim.
Nuk zhvillohet mendja pa lexim!
Nga librat kurrë nuk jam ndarë.
Kur lexoj, nuk ndihem i vetmuar;
grishja ndaj librit më ka mikluar.
Midis tyre kam gjetur më shumë
se një thesar.
Askush si libri nuk të bën shoqëri!
Pasionin për librin e konsideroj
dhuratë.
Teksti i shkurtër
kërkon lexim të gjatë.
Në lumturi jetën ta zbukuron,
sa edhe nata nuk duket si natë!
Në fatkeqësi zemrën ta ngushllon;
Ai ka fuqi të të ndryshojë jetën
duke zgjedhur një tjetër destinacion.
Të fal ndjenja e fantazi …
të mbush me emocion.
Libri i hapur është një mendje
që flet,
kur është i mbyllur, është një mik
që s’të tradhëton kurrë,
e me durim, rri e të pret.
Vlera e tij nuk mund të matet.
Mendja e një lexuesi të mirë
kurrë nuk plaket.
Libri nuk është vetëm kuriozitet;
është edukim dhe urtësi.
Ai të mëson të urresh çdo ves,
në situata delikate si të reflektosh,
si të ndërtosh të ardhmen
që dëshiron !
Libri thyen prangat e kohës!
Bibliotekat ruajnë kujtesën,
që ndriçojnë mendjet dhe i japin
shkëlqim botës.
Ai na bën të aftë në komunikim
një mundësi e artë,
për vetëkorrigjim.
Na fisnikëron deri në pavdekësi.
Duke lexuar njeriu zbulon
padijen e tij.
Bisedojmë me shkrimtarë
e filozofë të shquar!
Me burra shteti plot dije e famë,
edhe prej atyre që s’jetojnë,
por që kanë mbetur
në kujtesën e kombeve
për të mos vdekur kurrë!
Falë veprave që na lanë.
Ata janë më të ditur se prindërit,
dhe mësuesit që na kanë mësuar
duke mbetur përherë të nderuar.
Librat janë si gurët kilometrikë
ndaj, lexo duke menduar?
Futu midis rreshtave
për të kuptuar.
Kështu do të burrërohesh
e do të dalësh nga errësira në dritë.
Nxite fëmijën tënd të lexojë:
jepi shembullin e mirë!
Nganjëherë shpërbleje
që të përparojnë,
edhe pse sot është dëshpruese
të shkruash për ata
që s’duan të lexojnë…
Kush pushon së lexuari
ka përbuzur diturinë,
ka ndaluar së menduari,
dhe bëhet skeptik.
Është si një sëmundje
që sjell shterpësinë.
Me një të verbër veten barazon.
Bota pa libra me egërsirat ngjason!
Leximi vetëm injorancën dëmton,
injoruesi i librit diturinë vret;
pa e kuptuar, jetën shkatërron!
Që në shoqëri të mos ndihesh
i huaj
lexo së paku një libër në muaj!






















