Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Trëndafilat çelur në zemër

58
Sigal

Odeta kishte dhënë shenja të mjafta, se i kishin çelur trëndafilat në zemër. Vajza nëntëmbëdhjetëvjeçare, me fytyrën bardhoshe, me vetullat si dy vija të hequra me karbon të zi në zgrip të ballit, me sytë si dy kokrra ulliri të zinj dhe me buklet si tubeta spiralesh rreth kokës, ulej rregullisht për të ngrënë drekën te një tryezë përballë Bardhylit. Gratë e shtypshkronjës në karriget pranë saj, e nxitnin të hante. Por ajo u përgjigjej se nuk kishte oreks, teksa nuk ia ndante sytë ushtarit simpatik. Bardhyli, që punonte prej dy muajsh disenjator në Tipografinë Ushtarake, e vuri re me vonesë vështrimin e ngulitur të kësaj vajze dhe për të mos rënë në sy, ndërroi vend te një tryezë e largët, prapa shpinës së saj. Por ajo filloi të kthehej sërish në pozicionin përballë dhe shkonte në mencë pikërisht kur pikaste vajtjen e djaloshit me mustaqet spic për të drekuar. Pasi ky nuk reagoi edhe në këtë rast, ajo filloi të dilte gjatë punës nga reparti i libërlidhjes, gjoja për të shkuar te banjat, rruga e të cilave kalonte përbri dritares ku punonte Bardhyli. Ai sërish vuri re se Odeta shkonte deri te lavamani, shpëlante duart dhe kthehej më vështrim të ngulitur te dritarja e hapur. Pasi ky ritual ndjenjash të papërfillura, u përsërit disa herë, ajo hodhi brenda dritares një copë pusullë, ku kishte shkruar vetëm dy shkronja ”T.D” dhe iku me vrap. Bardhyli u mendua thellë. Vajzat tiranase ishin të guximshme. Por zgjatja me skenat e ndjesive të saj të eksituara dhe lehtësisht të kuptueshme nga të tjerët, do të merrej vesh patjetër në atë kolektiv. Më e keqja, do të humbte shansin për punë të pavarur e trajtim të veçantë ushqimor nga drejtori i Tipografisë, që e kishte kërkuar në komandën e tij për dekorimin grafik të sallës së mbledhjeve. Punë, për të cilën eprorët i kishin thënë qysh në fillim, të kishte kujdes në atë kolektiv me shumë gra e vajza. Pra, në këto kushte, vardisja e pafajshme e kësaj vajze, bëhej për të; një minë me shpërthim të rrezikshëm. Për të ndërprerë trashjen e këtij idili të njëanshëm, dhe për të mos e lënë atë adoleshente të vuante shpirtërisht, bëri edhe ai një copë pusullë, ku shkroi: “Bisedojmë sot padite ora 4 te Parku Rinia”. Në çastin kur ajo u kthye nga lavamani i banjave, ia hodhi te palosur te këmbët. Vajza e rrëmbeu si zogu thërrimen e bukës dhe vrapoi gjithë gëzim te reparti libralidhës ku punonte. “Ah, moj zogës e vogël, – mendoi atë çast Bardhyli i impresionuar nga entuziazmi i saj, – mos u gëzo aq shumë, se në atë thërrime ka për ty vetëm helm!” Pasdite ai e priti te një stol, në cep të lulishtes, përballë hotel “Dajtit”. Ajo shkoi direkt nga puna, siç tregonte edhe koha e llogaritur për të shkuar deri aty. Bardhyli i dha dorën dhe vuri re se nga emocionet, asaj i dridheshin vetullat si krahët e dallëndyshes që bëhet gati për fluturim. Ato vetulla ajo i kishte më të zeza se mustaqet e tij spic, për të cilat ai kishte menduar disa herë t’i priste që të mos bëheshin lak për sytë e femrave dhe përsëri i kishte ardhur keq. Odeta me buzët e thara nga vapa, ndoshta priste prej tij njomjen e tyre me një puthje të shumëpritur dhe dukej aq engjëllore në ato çaste, sa mund të magnetizonte trurin e çdo mashkulli. Por në mendimet e kontrolluara të Bardhylit, këto lloj nepsesh, ishin nepërka, që duheshin mbyllur në kavanoz me kapak.  – Hë, moj Odeta, si ia çon, a je mirë? – e pyeti ai buzagaz sa për të hapur bisedën. – Mirë. – tha ajo me gjysmë zëri duke përdredhur gishtërinjtë e djersitur. – Më thuaj të vërtetën, ke dashur ndonjë djalë?…

– Asnjë, për kokën e mamasë ! – Pse, djem ka sa të duash?! Ajo heshti pak, kapi me gishtërinj dhe filloi të përdridhte një lidhëse të varur nga jaka rrethore e bluzës së hollë. – Më duken budallenj…

– Edhe unë budalla, jam, bile më i madh se ata që ke parë ti! – i tha Bardhyli. – Jo, – tha ajo duke e shoqëruar fjalën edhe me lëvizjen kundërshtuese të kokës. – Ku e kupton ti ? Nuk foli, mbeti një grimë si e turpëruar. -Të shoh e të dëgjoj përditë… – Megjithatë unë mund të jem njeri i keq.

– E thonë gratë, që je i mirë e duarflori… Bardhyli kishte dëgjuar edhe vetë lavdërimet e grave, kur shihnin punët piktorike te salla dhe thonin, “Lum ajo që do ta marrë këtë djalë!” por nuk kishte dashur të hapej me to në bisedë.  – Gratë nuk dinë gjë, – i tha ai me ton serioz dhe vijoi: – Mund të jem duarflori, por jam zemërkatran. Jam kryetari i maskuar i horrave të Tiranës dhe i të gjithë Shqipërisë. Kam mashtruar një tufë me vajza. Një pjesë e tyre kanë përfunduar në psikiatri, ca të tjera janë mbytur në liqenin artificial. Habitem si ke guxim të më afrohesh!… Ajo qeshi dhe sytë i patën një përshkënditje të dukshme. – Pse tallesh? – i tha me naivitet.  – S’ke dëgjuar që kanë ndodhur?

– Po, por nuk je ti ai… – Jam pikërisht unë dhe ca të tjerë si unë që ti nuk mund t’i njohësh aq lehtë. Odeta e vështroi Bardhylin ngultas dhe nënqeshi sërish me mosbesim. – Vazhdon të tallesh me mua! – tha përsëdyti me keqardhje. – E kam seriozisht. Unë jam i martuar me një nuse po kaq të bukur sa ti, e cila më ka bërë dy fëmijë. Nga shprehja e fytyrës së saj, u kuptua se deklarimi i tij në vija të trasha, krejt në kundërshtim me opinionin që kishte thithur ajo në rrethin e vajzave, ku ishte nxitur të mos ia kapnin shoqet gjahun më shpejt, e bëri krejt mosbesuese.  – O, hu, leri shakatë, se s’ka lezet! – tha e mërzitur tashmë. Hej bela, mendoi Bardhyli. Fiksimi i së pavërtetës, bëhet nganjëherë xham i trashë i ngjyrosur, që nuk e lë njeriun të shohë, edhe sikur t’ia tregosh të vërtetën me gisht. -Dëgjomë me kujdes dhe më kupto, moj vajzë, se mund të isha edhe unë një prej atyre tipave që të thashë. Të përfitoja nga rasti yt, po të mos mendoja se kam motër vetë dhe vajza në farefis që u gënjehet syri kështu si ty. Ai i shpjegoi se ishte martuar tamam në moshën e saj, për të mos tradhëtuar dashurinë e parë dhe e kishin marrë ushtar pasi ishte bërë me fëmijë. Pastaj nxori portofolin nga xhepi dhe i tregoi fotografitë, ku kishte dalë përkrah gruas dhe dy fëmijëve, kur kishte shkuar në shtëpi për Vitin e Ri. Ajo përpëliti sytë një copë herë mbi atë realitet të pakundërshtueshëm. U mbush me një frymëmarrje dridhëse, që ia tronditi një çast krejt gjoksin e njomë dhe uli kryet, pa ditur si të vepronte për momentin. – Faleminderit ! – tha pas pak me një turp mirënjohës. – Qofsh me nder e me mend në kokë, të zgjedhësh një djalë të mirë siç je vetë! – ia ktheu Bardhyli i lehtësuar, që më fund arriti ta ç’aktivizojë mekanizmin shpërthyes të asaj mine, e cila mund të vriste jo vetëm Odetën, por edhe familjen e tij, që mezi e priste të kthehej në shtëpi. Trëndafilat çelur në zemrën e saj, rrëzuan petalet menjëherë. Ajo i dha dorën e lagështitur nga sikleti dhe iku me vrap…