- FIJËZAT E NJË SHPIRTI TË PASTËR DJALOSHAR
-dy fjalë për lirikat e poetit Shkëlzen Logu-

Kur nis të lexosh librin”Valixhja poetike” të autorit të ri, poetit të talentuar Shkëlzen Logu të bëhet sikur je duke u çapitur ëmbël-ëmbël nëpër venat e një shpirti të dallgëzuar të një djaloshi që i këndon me pastërti çastit dashuror, aromës së momentit, fijeve të shpirtit, grahmave të zemrës. Në këtë ‘valixhe’ poeti ka stivosur me kujdes 271’plaçka’ që përshkruajnë lundrimin nëpër ndjenjat e çuditshme gjithë larushi e tone dashurie të kujtdo që ka ditur e di të dashurojë si njeri.Herë- herë të duket sikur po noton i vetmuar nëpër oqeane pa stuhi, mes reflketimeve verbuese që uji i pastër i zemrës iu bën rrezeve të diellit.Herë të tjera e gjen veten në lëndina luleshumë që nuk dallon dot se cilën aromë ta kërkon më shumë xhani. Më tutje sheh se vërtet ke lirinë, por ajo qenka fytyrëngrysur dhe aspak siç e kishe përfytyruar.Çdo poezi, madje, me thjeshtësi do të thosh, se çdo strofë katërvargëshe e vjershave mjaft të arrira nga ana artistike, jep haptazi një mesazh.Ndodh që si lexues, duhet ta gjesh këshillën brenda një fjale; në raste të tjera të duhet të mendohesh më thellë për të kuptuar domethënien e asaj që porsa lexove.A doni ta them më thjeshtë? Nuk ngopesh së lexuari strofat e poezive të këtij djaloshi, që edhe pse ka lindur në Krujë, ka shpirtin luftarak, ndjesinë e hollë të të kuptuarit të jetës së vërtetë me punë e me dije të malësorit të Dukagjinit nga ku ka prejardhjen. Në këtë vëllim poeti shpalos çiltër e gjerazi qilimin e ndjenjave të tij, të brengave të tij, të idealeve të tij. Ato janë edhe të moshës edhe të kohës që ai përfaqëson. Zemra e tij rreh si koha e me kohën. ”Valixhja” e tij plot ndjenja aq sa humbet nëpër ujra e dallgë aq edhe triumfon mbi to duke ngritur lart flamurin e pastërtisë së shpirtit njerëzor. Atij nuk i pëlqen pushteti i ftohtësisë, por madhështia e vërtetë e çiltërsisë. Ai di të gjejë ngrohtësinë e vajzës së dëborës dhe të largojë falsitetin e ngrohjes që vjen nga ajo e mesdheut. Atdhetaria dhe liria,puna dhe shkenca,lufta me fitoret dhe humbjet e saj, njeriu me andrrallat dhe iluminimet e tij të mahnitshme, natyra në tërë madhështinë e pakrahasueshme e të paarritshme të saj, janë qëndisur krejt lirshëm nëpër vargjet e lirikave të talentit Shkëlzen Logu.Me një fjalor tejet të larmishëm të vjelë nëpër odat dhe skutat e florinjta të gjuhës shqipe, poezia e tij arrin kulme të lirizmit. Ai ia heq vrazhdësinë vargut dhe e lëmon mjeshtërisht atë sikur po bën një vepër skulpturore. Në poezinë lirike të autorit njëherazi edhe diplomát, ka referime, ka emra të mëdhenj si Esenini, Gorki, Pushkini, Qosja, Eftimiu, etj. Aty gjen botën ëndërritëse, vargonjtë përndritës të virtytit, cilësitë e pasqyrës që të rrëfen ashtu si je, vlerat e lumturisë dhe po aq edhe qëndrimin kritik të poetit ndaj frikës së vetmisë, tmerrit të pabesisë.Do të thosha pa drojtje se forma, rima, ritmi, figuracioni, masa, cilësia, madhësia, ndjenja e mbi të gjitha dashuria e pastër, janë gërshetuar më së miri nga autori, duke e nxjerrë vëllimin të plotë, të këndshëm, që jep lehtësisht dhe imponon vetëm kënaqësi dhe respekt.Në një këndshikimi, në poezinë lirike të poetit gëlon, regëtin, ofshan, vetë atdheu, Shqipëria jonë e dashur me tërë brengat e dertet e saj të pasosura.Prandaj, thotë poeti: ”Le ta godisim dhimbjen me gëzime!” Ehh, çfarë nuk gjen në poezinë e Shkëlzenit tonë!? Ka aq shumë vërtetësi, ligjësi, mësime, porosi, shpirt të njerëzores dhe të natyrores, sa është e vështirë të shprehen në një faqe letër. Kur dëgjojmë se ky është vëllimi i pestë i lirikave të botuara të poetit dhe që presin radhën për botim edhe gjashtë vëllime të tjera në gjini të ndryshme, na gëzon shpirti që radhëve të poetëve të njohur të shqipes t’i shtohet edhe emri i Shkëlzen Ndoc Logut. Me urimet më të mira prej zemrës së një lexuesi, dëshiroj të shprehem: Tungjatjeta, i miri Shkëlzen, poeti ynë i mirëfilltë e shumë i talentuar lirik !


















