(Disa shënime për poezinë e Marisa Ashikut)
Të flasësh për dashurinë do të thotë ta njohësh dhe kuptosh më së miri e më së thelli atë, ndjenjën sublime që ngjiz jetën dhe botën. Të shkruash pastaj për dashurinë përmes artit të fjalës është mision i një lloji tjetër, për sa kohë, përveç procesit të njohjes dhe të të kuptuarit, duhet të kesh dhe frymëzimin poetik e talentin për t’i mpleksur fjalët si në tezgjah. Krijimi është fryt i mundimshëm dhe frut që çdo krijues ka dëshirën të shijohet nga lexues që gjejnë veten brenda vargjeve.
Marisa Ashiku në këtë vëllim poetik ka në substrat dashurinë për dashurinë dhe dashurinë për fjalën si art i poezisë. Tematika e poezive të saj nuk ka në themel vetëm lirikën e dashurisë, por
dashurinë në përmasën e saj sublime, si luftëtaren më të egër ndaj egos së sëmurë që po shkatërron njeriun modern dhe botën e tij. Herë- herë heroi i dashurisë së saj, ai që i prish gjumin e ëmbëlton ëndrrat gjendet vetë i rrethuar nga padashuria, ndërsa endet trojeve të saj.
Poezia “Në trupin e dashurisë” e shpalos me shumë finesë vdekjen e shpirtit dhe kthimin në hije, kur dashuria sulmohet nga egoizmi. Lexojmë vargjet: “Ata/i mbyllën portat e dashurisë…/Krenaria…, /me rrënjët në tokë/e majën në qiell,/mban në mes/një plagë ajsberg,/që flakëron/dhimbjen e kuqe…/Në rrëzë të egos/bërë mal,/enden ngadalë,/gjurmë të largëta /ende të njoma, /të huaja për tokën, /ku ngritën /me tulla heshtjesh /një qytet të shkretë … “
Poetja rreket të ndërtojë hartën e padashurisë si udhë për të rrëfyer më mirë dashurinë. Pa dashuri jemi gjysmëdrita, që pak nga pak e bjerrim krejt dritën e shpirtit për t’u kthyer në hije. Gjendje kjo transmetuese kur shpirti vdes. Sëmundje ngjitëse, epidemi kjo padashuria. Gjysmëdrita sheh një tjetër si vetja dhe harron të rilindë. Derisa papritur me tulla heshtjesh ngremë një qytet të shkretë. Padashuria e kthen jetën në ngrehinë dhe qytetit i humb shkëlqimin duke e kthyer në botë hijesh. Pulsojnë notat elegjiake në jo pak poezi të tilla, ku poetja endet e etur në kërkim të dritës që do të ujitë shpirtërat në prag të tharjes.
Ja disa vargje të tjera që strehojnë detin në shpirt si simbol ringjallje përmes ujërash dhe u tuten gjysmëdritave në trupin e dashurisë. Perifrazojmë poezinë “Në gjysmë dritë…” ku shpirti po vdes dhe poetja e përshkruan procesin tragjik përmes klithmës: “M’u plasarit shpirti/si lëvozhga e një veze që çukitet/me sqep nga jeta,/një dritë përthyhet gjysmë/mbi botën e humbur, /të hutuar shohin sytë, /gjysma tjetër, /me krahë pafajsie/t’përqafon trupin/me lutje, në lutje/netëve të shenjta”. Shtangemi para tingujve të këmbanës në tempullin e dashurisë në poezinë “Jehonë”, ndërsa lexojmë vargjet: “Dëgjohet…/këmbana e tempullit tim,/në ditët e gjata, që vibron/ edhe natën, (brenda jehonës)/ edhe për frikacakët…/Ua kam falur të gjitha,/edhe botën…/… përveç detit, nëse mban diellin tim/ në ujëra të rizgjimit…”.
Egoizmi mbjell frikën kur njeriu-hije e sheh veten të braktisur në luginën e hijes së vdekjes. Peizazhe biblike të kateklizmës së botës, ku uni lirik lutet në heshtje për çdo shpirt të humbur, ndërsa kërkon të mbrojë me stoicizëm detin e dashurisë në zemër. Është vetë dashuria dhe tempulli i saj, njëjtë si në Shkrimin e Shenjtë biblik, ku trupi ynë është simbol i shenjtë e i përsosur i dritës së dashurisë.
Ndërkohë lirika e dashurisë vjen e ngrohtë e me dëshira ndjellëse për objektin e dashurisë. Ai nuk është asnjëherë i munguar, po fare pranë unit lirik. Dy trupa në një trup dhe dy shpirtëra në një shpirt. Poetja ndihet e plotë kur është e dashuruar dhe dashuria ngjizet e plotë kur ia pushton atij dhe ëndrrën. Dritat janë lëbyrëse në lirikën e dashurisë, shpirti është plot dhe udha plot qiell të kaltër përmbi: “Të jem brenda natës tënde/e ndërsa ti fle/të jem mendim i mëndafshtë/ e të t’mbledh trupin,/të jem drita e hënës/që derdhet në pulitjen e syve”…
Po, të shkruash për dashurinë duke e përzgjedhur vargun si “udhën” për ta shprehur në të gjitha dimensionet dhe pa e kufizuar në vetëm atë fizik-materie është një mision i një lloji të veçantë që ngjizet me muzën dhe talentin.Të kalosh përtej të zakonshmes, fizikes apo të prekshmes do të thotë të bëhesh pjesë e një dimesioni tjetër të pacak, të lirisë. Dashuria si ndjenjë sublime nuk mund të ndjehet e plotë pa lirinë; dashuria e transkriptuar artistikisht në poezi ka nevojë për teknika të atilla poetike që në aspektin formal t’i japin frymëmarrje ndjenjës dhe jo ta mbysin atë.
Në këtë aspekt, do donim të shënonim disa prej teknikave poetike, më shumë të frymëzuara së brendshmi se të menduara apo të kërkuara vetëdijshëm nga autorja.
Përzgjedhja për t’u shprehur përmes vargut të lirë i ka dhënë hapësirë për një strukturë të hapur e të lakueshme, njëkohësisht të lehtë për të eksperimentuar dhe u ndjerë lirshëm. Në raste të caktuara






















