Suplementi Pena Shqiptare/ Mark Simoni: Njeriu i parë me libër, Ndoc Gjetja

49
Sigal

Njeriun e parë me libër, shkrimtarin e parë që kam takuar dhe njohur, që i kam dhënë dorën dhe i kam dëgjuar zërin, që i kam shikuar librin e ri që sapo e kishte nxjerrë, ka qenë Ndoc Gjetja. Po, po. Ndoc Gjetja.

Në shkallën tonë të pallatit katërkatësh, një kat më poshtë banonte familja e P. Kaçajt, një prej familjeve që shkonte shumë mirë me familjen tonë. Prindërit kishin miqësinë e tyre, dhe ne fëmijët vraponim e rrinim sa tek njëra shtëpi tek tjetra.

Kam qenë 7 a 8 vjeç kur e kam parë së pari Ndocin të vinte tek Prenga, një nga miqtë e tij më të afërt, punonin bashkë dhe mbaj mend se këmbenin libra. I dobët dhe i ngadaltë Ndoci, me maturi të jashtëzakonshme, i sjellshëm si një i pafajshëm.

Kam parë se si Ndoci i dhuroi Kaçajt librin e tij të parë, duke shkruar nën kopertinë atë që më vonë e mësova se quhej Autograf. Në një çast Ndoci i tha se, ai i pati vënë një titull të vetin librit, por ia kishin ndryshuar. (Më vonë vetë Ndoci më ka thënë se titulli i autorit ishte “Prezantim”, ndërsa botuesit ia kishin ndryshuar në “Rrezatim”).

Dhe që në atë kohë, sa herë që përmendej ndonjë shkrimtar, sa herë lexoja ndonjë libër, sa herë që imagjinoja shkruesin e librit që kisha në dorë, autorin e përfytyroja pak a shumë si Ndocin, madje dhe të veshur pak a shumë si ai, me mangoren e vet të hollë e me mangë të përveshura.

Kujtoj që, pasi kisha lexuar librin e vogël “Fati i njeriut” të Shollohovit, (nxjerrë nga biblioteka e tim eti, pa e ditur se ai libër qe i ndaluar), menjëherë rashë në fotografinë e shkrimtarit rus, te një metodë e mësimit të rusishtes. Shollohovi qe me veshje ushtarake, i mbërthyer deri në grykë dhe me grada. Dhe kjo qe hera e parë që unë mendova se, shkrimtarët edhe mund të mos jenë të veshur si Ndoci.