Ato ishin tri gra që po ktheheshin nga pazari i së dielës në qytetin më të afërt, tri orë larg më këmbë prej fshatit të tyre. Bukuria me çember të bardhë në kokë, Razia që e njihte tërë lagjja si grua pa shami, sepse flokët gështenjë i kishte të shtruara e të dëndura, që i shkonin fytyrës së saj. Edhe Sania që në kokë lidhte një shami të zezë ngase mbante zi për një vëlla që kishte vdekur në moshë të re. Trastat e tyre me yshyrate blegtorale e bujqësore, gjalpë, gjizë, qepë, etj. që i kishin shitur, tani i kishin mbushur me shishe vaji kikiriku, kripë, sheqer, makarona, një bidon me gaz për kandilin dhe ndonjë kut beze për të qepur të linjta. Me shakatë e kripura të Razies u futën në Urën e Shurofit që ishte një pasarelë e drunjtë e gjatë 19 metra, e gjerë një metër e gjysmë dhe po çapiteshin njëra pas tjetrës duke u ruajtur që të mos u merreshin mendt. Bukuria ishte më e reja ndaj po hidhte hapat e treta pas dy shoqeve të saj, por… Ato kishin menduar që të mbërrinin në fshat në aksham, hyrë e pa hyrë dielli matanë malit të Trebeshinës. Gjatë kalimit të urës i lanë edhe fjalët edhe shakatë. Dolën në anën tjetër, Razia nisi romuzet për Bukurien, por kur ktheu kokën pas, Bukuria nuk ishte…Të dyja u tmerruan se si ua përpiu dheu shoqen e tyre. Nëpër mendje u shkonin lloj-lloj gjëmash. Lëshuan trastat dhe hodhën vështrimet rretheqark duk i rënë kokës me grushta. Sania klithi: Korba unë! Ja ku është! Te ai cepi me rrënjë që uji gurgullon. Edhe Razia e pa dhe vuri duart në gjoks e lebetitur. “Hajde të shkojmë anës lumit se mbase do të ndalojë gjëkundi”,- tha ajo dhe sakaq u nisën nga e majta e rrjedhjes së lumit të rrëmbyer. Hidhnin hapat me sytë nga uji dhe thërrisnin: Uububuuu se ç’na gjeti! Korba Bukurie! Mjerë ata fëmijë dhe ai burrëzi!….Mbase do Zoti dhe shpëton e gjallë!?…… Bukuria vuante prej disa vitesh nga “sëmundja e tokës” dhe nuk e kuptonte dot se si e kur e zinte ai siklet. Sot i kishte rënë sapo hodhi hapin e parë në urë dhe … ra në ujë nga lartësia nëntë metra. Veprimet që kryente trupi i pavetëdijshëm dhe i tendosur i saj në minutat e gjata të sëmundjes gjithmonë ishin: mbyllja ‘hermetike ‘ e gojës dhe e syve, lëvizja e parakrahëve dhe duarve të mbledhura grusht në pozicionet hapu-mbyllu dhe ndonjë lëvizje këmbe siç i thonë ” i rënç këmbës”. Ajo kishte rënë pa ndjenja në ujë. Dy nga torbat dhe bidoni i vajgurit i kishin mbetur lart në urë. Të tjerat, i mori lumi. Trupi i saj, i ndodhur nën “pushtetin mbytës e të pamëshirshëm të lumit”, ishte kthyer vetiu në kurriz duke iu nënshtruar rrjedhës gurgulluese. Atë ditë Bukuria kishte veshur, si gjithnjë kur shkonte për pazar,linjën e gjatë prej basme të bardhë, fustanin më të mirë bojë kafe të errët deri në fund të këmbëve me tri të mbërthyera nën gushë, çitjanet, një triko leshi të zezë dhe çemberin e bardhë në kokë. Kishte mbathur çorapet e këpucët që i ruante në sepete vetëm për raste gëzimi e vakie. Razia e Sania duke hedhur hapat e shpejta për t’iu afruar trupit të saj vunë re se ajo duart i hapte dhe i mblidhte pranë gjoksit pa pushim e ritmikisht. Çitjanet e lidhura fort në fund të kërcinjve, i ishin fryrë sikur të qenë topa prej llastiku. Bukuria i mbante çitjanet të zeza dhe bojë kafe tepër të errët, qysh kur erdhi nuse dhe nuk i hoqi asnjëherë deri sa u nda nga jeta. Ato janë veshje e poshtme e brendshme grash,qepur si brekushe të gjata prej basme me pala, që ngushtohen te syri i këmbëve. Ia kish mësuar e ëma si t’i priste e si t’i qepte vetë me dorë. Kish kaluar rreth gjysmë ore kur trupi i mbitendosur thuajse i ngrirë e plotësisht i lagur i Bukuries, ngadalësoi lëvizjen. Shoqet u bënë gati të hynin të dyja në ujë por njëherazi me to u bashkua edhe një fshatar që ishte ndodhur aty rastësisht dhe kish parë një trup njeriu në lëvizje tok me ujin e lumit. Fatkeqësia i bashkon njerëzit e mirë. Ai me shpejtësi u fut para dy grave në ujin e thellë përmbi gju dhe iu afrua trupit të qullur e të pajetë. I çuditur ai pa se ajo kish hapur sytë dhe vështronte kupën e mugëtyer të qiellit. Fshatarit një gëzim i trishtë i kaploi shpirtin. Kush e di se nga do jetë e sa fëmijë ka…rrëmbimthi mendoi ai. Kur “e mbytura”, aty në mes të lumit, në mbrëmje vonë, e drobitur nga sëmundja dhe goditjet e shembjet që kishte marrë gjatë rrëzimit nga ura dhe “noti”nëpër gurë, pa një burrë të panjohur u tremb shumë. Deshi të brofte në këmbë dhe të përballej me të, por nuk kishte fuqi. I panjohuri me një zë të butë i foli, “Motër, erdha të të shpëtoj ” dhe e kapi për krahësh, e ngriti. Asaj i iku frika. Kur ai vërejti se ajo nuk mund të ecte, e mori para duarve me fuqinë e një burri duke dalë bashkë me të në breg të lumit. Nuk kishte kohë për fjalë. Ajo dridhej nga të ftohtit. Razia,Sania, burri i panjohur dhe Bukuria në duart e tij u futën në shtëpinë e tij që nuk ishte shumë larg. Shoqet ndihmuan Bukurien që të zhvishte teshat e lagura, nga çemberi deri te çorapet, e të vishte rrobat e zonjës së shtëpisë. Burri shpëtimtar bëri një zjarr të madh ku ato u ngrohën mirë. E shoqja e tij u tha udhëtarkave të qëndronin aty atë natë. Por ato ngulën këmbë se nuk mund të rrinin, sepse i prisnin fëmijët dhe burrat. U nisën. Dy shoqet kishin me vete mallrat e blera kurse Bukuria vetëm bidonin me vajguri dhe një trastë me makarona e sheqer. Razia duke ia marrë bidonin disa litrosh për ta lehtësuar nisi nga shakatë: ” Si të dukej vetja e shtrirë në dyshek prej uji? Po duart përse i luaje sikur ishe fëmijë dhe bëje gjimnastikën e mëngjesit në oborrin e shkollës? Pa na trego tani se çfarë të tha ai burri që erdhi në mes të lumit? Bukuria ku me të qeshur e ku me të qarë i binte shkurt përgjigjeve se e kishte mendjen te burri i vet që do ta qortonte përse u vonua.Ishte e sfilitur aq shumë sa nuk i besohej që e ngjiti të përpjetën e Lajthive për të dalë në qafën e Vidhit gjersa hyri në shtëpi. Razia dhe Sania e përcollën deri tek porta e shtëpisë ku doli i shoqi gjithë hundë e buzë. Ai ulëriti:” Ç’janë këto gra që u japin bukë hajdutëve natën?!” Por Razia ia theu inatin me ashpërsi:”Dëgjo këtu, ti Mehmet Agà! Jot shoqe sot ka lindur për herë të dytë. Do të kishe mbetur qyqar, o lumëzi! Sot Bukurien e zuri sëmundja tek Ura e Shurofit dhe ra lë lumë dhjetë metra poshtë! A e di kush e shpëtoi? E shpëtoi Zoti atje lart dhe këto çitjane këtu poshtë, që iu mbushën me ajër dhe e mbajtën mbi ujë. E more vesh?- ngriti zërin ajo duke prekur e tundur me dy gishta çitjanet e Bukuries kokëulur. E ka jetë të dytë, ndaj mos i fol e mos i bier më qafë! Sot e tutje,- dhe ajo ndryshoi tonin e të folurit duke ia kthyer në humor e shaka të ëmbël-, duhet të betohesh vetëm për çitjanet e gruas!” Ndërhyri urtë edhe Sanija:”Të tjerat i molloisim nesër,Mehmet Agà.Bukuria është shumë e lodhur.” Mehmeti i sertë prej natyre, dëgjoi i befasuar dhe sikur u zbut pakëz. “Qofshi faqebardhë ju që më ndihët gruan të mos mbytej! Heshti një hoft dhe vazhdoi “Bëfshi hair dhe natën e mirë!”E zuri të shoqen për krahu dhe e futi me forcë pas derës, e rrahu sa i doli inati… pse ajo kish thyer orarin e kthimit nga pazari!? Por fjalët e Razies i mbetën gozhdë në mendje. Ishte natë e athtë dhe e ftohtë në fundin e marsit të vitit 1967.




















