Suplementi Pena Shqiptare/ Bashkim Koçi: Vendlindja, “malli që djeg” në poezinë e Xhevahir Spahiut

481
Sigal

Poezitë e tij ngjajnë me  një humnerë të thellë, ku është konservuar dashuria për njerëzit

Ai e sjell dhe i këndon Skraparit me një këndvështrim të habitshëm, plot elegancë

Poeti Xhevahir Spahiu është nga vendi im, nga Skrapari, por për ta thënë të vërtetën ashtu si është, pra të vërtetën, unë dhe gjithë të tjerët nga ajo zonë jemi nga Skrapari i Xhevahir Spahiut. E thënë edhe më me “zemër në dorë” poeti Xhevahir Spahiu është diçka tjetër për atë krahinë të bekuar sepse ai, si askush tjetër, i ka thurur vargje e i ka kënduar me plot magji, e kur ka ardhur rasti ai është lutur për të, ka shfaqur mall  e  është ngashëryer si fëmijë për ato vende.  Sigurisht në poezi. Dhe tek e gjithë ajo dashuri e “çmendur” e poetit për vendlindjen nuk gjen qoftë edhe një shenjëz për të thënë se ai këtë e bën si atdhetar, si patriot. Jo, ai kështu e ndjen. Zor se gjen një të dytë për ta krahasuar, për të guxuar të “konkurrosh” në garën nga ku mund të shpaloset dashuria për vendin tënd të lindjes, vendit ndaj të cilit  Xhevahirii është mirënjohës për kohët e vështira që ka kaluar, për vitet  që i dhanë provën e parë sesa  i fortë e i zoti mund të bëhej, sesa i vendosur për t’i qëndruar kryeneç e i lirë në atë çka do të shfaqej si poet. Thuhet diku se nga dhimbja shpirtrat dalin më të fortë dhe se karakteret më të mëdha janë djegur e digjen nga plagët që të sjell jeta. Poeti ynë i madh  e nisi, i hodhi çapat e parë hipur në krahët e një jete plot halle, i shushatur e i goditur nga brenga vuajtjesh. Por edhe i përpirë nga natyra dhe i magjepsur  nga ajo që i kishte sjellë fati, që të kish për vendlindje të bukurin fshat, Malindin. Aty, në ato troje ku do të rritej e të pinte ujë në çezma të ndërtuara nga mjeshtra të gdhendjes së gurit, në kupat e të cilave kish shuar etjen edhe Naimi,  Xhevahir Spahiu mori dhe e bëri të tijën rrugën për të shtegtuar si poet. Kjo do të ishte rrugë e gjatë, shumë e gjatë, udhëtim që   zgjati për më shumë se një gjysmë shekulli.  Por fryma, ama, u ngjiz aty, lindi aty, dhe nga pikëpamja e rritjes për të kapur majat si mjeshtër i poezisë, mbeti po aty, në vendlindje. Dhe kjo natyrë prej njeriu fisnik, të kapur nga dashuria e dhembshuria për njerëzit, për gurë e për drurë, poeti “u rropat” duke shkruar e treguar sesa e madhe, sesa e bukur dhe e sinqertë është kjo ndjenjë e cila ka edhe dhuntinë që të shërojë çdo dhimbje.

Vetëm kur jep nga vetja,  kur ke nxjerrë diçka nga shpirti, vetëm atëherë ke dhënë prej vërteti.

Të gjitha të tjerat gjithmonë janë pak, qoftë edhe të mira materiale, qoftë edhe pasuri. Xhevahir Spahiu në të gjitha poezitë e tij për vendlindjen, të cilat vijnë e shpërthejnë nga së përbrendëshmi, si ato të një poeti të dehur nga dashuria, çuditërisht të fusin në një botë tjetër, sa njerëzore po aq edhe hyjnore: “Kam një mal në sy, / Mali im s’bëhet dy”. Dhe pastaj të duket sikur ti bashkëbisedon me perëndinë, sikur je ballëpërballë me të: “Latuar/ qysh ditën e parë të krijimit të botës,/ Në një çast lajthitjeje/ të pranoja një udhë në botën e përtejme,/ besomëni:/ të vdekurit do të kërkonin të ngjalleshin/ sapo të më shihnin në sy./ Sepse Tomorr./ s’të kishin parë ty.”(Mali i Tomorrit)                                                                                                                                       Por ky mal që ‘s’bëhet dy” për Xhevahir Spahiun kishte lënë gjurmë qysh kur ai ishte fëmijë, qysh atëherë kur Çukën e malit Baba e shikonte nga fshati, nga Malindi, kur kulloste qengjat a kecat, apo kthehej nga shkolla me trastën e librave në krah. “Tomorri i fëmijërisë time,/një luan i shtrirë…Asnjëherë s’e kuptova,/dëborë apo re kish mbi shpinë.”  E pastaj poeti ëndërrimtar, si të ish një fëmijë, e nxjerr atë të pamundshmen për të bërë të mundshme, por gjithsesi ajo mbetej ëndërr: “Ëndrra ime e parë të ecja/mbi shpinë të luanit të shtrirë./Përmes bulurimash të zgjohej,/unë nuk do t’i lypja mëshirë.”

Ai e sjell dhe i këndon Skraparit me një këndvështrim të habitshëm

Poeti Xhevahir Spahiu në krijimtarinë e tij poetike për vendlindjen ka një hartë të kufizuar, një univers të tijin, i cili quhet Skrapar. “Univers” nga i cili nuk i ndahet shpirti me gjithë çka brenda: male, lumenj, pyje, njerëz. Ai e sjell dhe i këndon Skraparit me një këndvështrim të habitshëm, paksa i pangopur me të, kërkon që ta përpijë. Ndërkohë të krijohet përshtypja sikur poeti e ka shkruar poezinë nga ajri, hipur në një mjet fluturues, që i ka dhënë mundësinë ta shohë atë  krejt lakuriq. “Grykat e maleve, grykat e lugjeve,/ të thella, të ngushta si grykat e puseve. /Lisave varur një shportë a një hënë?/ Nata mbledh rrushtë që dita ka lënë”. (Skrapar)   Dhe pasi e ke “gjezdisur” Skraparin  në poezinë e Xhevos, përfytyrimi dhe imagjinata tënde si lexues merr përmasa të jashtëzakonshme, ashtu si ato të poetit, fluturuese, të kanë dhëne mundësinë për të prekur universin.                                                                                                                             Si shumëkush edhe Xhevahir Spahiut iu desh të shtegtonte, të largohej  nga fshati i tij i lindjes, Malindi. U largua qysh sa ishte fare i vogël për shkak të shkollimit, i cili i ndoqi  nga një qytet në tjetrin, duke filluar nga e bukura Çorovodë, Berati, Vlora e më në fund në Tiranë ko do të mbaronte UT, në fakultetin e Gjuhë-letërsisë. Por në të gjithë këtë rrugëtim poetit i mbeti koka prapa, nga vendlindja, nga Malindi, ku mesa duket qëndronte shpirti i tij si i zënë rob. Tani, në moshën kur njeriu shpesh jeton e u rikthehet si padashje viteve të fëmijërisë, Xhevahir Spahiut i qesh syri e i gufon zemra sapo i zë në gojë Malindin.Eh, Malindi im, ka mbetur si cung i ziu sepse kanë ikur të gjithë- thotë i dëshpëruar sapo fjala shkon tek fshati i tij. E dua, belbëzon poeti, jo sepse është i madh apo i vogël, por sepse është i imi, ka një vend të veçantë këtu brenda meje.  Dhe ky “vend i veçantë brenda meje” poeti e ka vizatuar  me shumë mall, si një i dashuruar marrëzisht tek poezia “Malindi”: “ Fshati im i vogël…/Valë-valë shirat,/tufa-tufa rrezet./Ai po atje./ Ikën bijtë larg,/ikën dhe u kthyen/mbi një kalë malli./ Ai prap atje./ Në një faqe mali,/mbi një buzë lumi/me veriga yjesh/mbi veriga rrushi./Fshati im i vogël sa një pikë gjaku./Fshati im i madh./ Afër edhe larb…”   

Zemra e poetit, shpirti i tij…

  Zemra e poetit, shpirti i tij, e gjithë si një e tërë, e cila ndjen dhembje dhe brengë për vendin ku i ka rënë koka, në një çast ndjehet keq, çast që e detyron të marë një vendimin të papritur, të niset për në fshat, për t’u çmallur me Malindin. Madje ky vendim është i prerë, i pakthyeshëm, ultimatum:  “Nesër jam aty./ U bëni zë lisave të më dalin përpara/në këmbë të babait./Medet sa jam rritur,/lisat sa të vegjël!/Babai u hidhte supeve pjergullën;/i besoja bababit, bokërrimat e dinë:/ish ai perëndia që kish shpikur hardhinë./Me të kish punë vetëm puna./Ç’la pa krasitur?/Le ta thotë Juga./Nesër jam aty./Gurrës me kupën e gurtë i thoni/ta ruajë, po mundi, një grusht ujë për mua./Kam një etje të moçme./Vij i lodhur nga rruga. Nesër jam aty./ Këpucët do t’i heq në të hyrë të fshatit;/ ngashërimi do t’ia shkundë fletën e fundit manit,/ (Fletë e fundit a fjalë e pathënë e babait?)/ Thinjjet time fëmijëria do ta shtyjë në/ kufijtë e harresës. Jam aty,/ nesër.” (Nesër jam Aty).  Sa mesazh i madh, sa njerëzor, sa hyjnor! Është mesazh, por edhe porosi  që na e përcjell poeti ynë: Dashuria e vërtetë, ajo që është larë nga lotët, mbetet gjithnjë e pastër dhe besnike. Shpirti nuk mendon kurrë pa një përfytyrim.Bukuria, finesa dhe magjikja e poezisë së Xhevahir Spahiut për vendlindjen vjen tek lexuesi si një dritëz e cila guxon të çajë muret e zemrës së poetit dhe të shfaqet ashtu si është: e sinqertë, por edhe me ngarkesë të lartë emocionale. Nuk ka vend hipokrizia në sjelljen e tij me vargun poetik. Nëse e ka hedhur në letër, ashtu është.“Mos ma shaj lumin./ Në brigjet e tij fluturoi fëmijëria;/ mos m’i bjer me gurë pjesës së dhemshur të jetës./ Trupin e sinqertë ai ma ka puthur,/ai ia dha forcën, drejtqndrimin e papërkulur./…Mos ma shaj lumin./Më ke sharë nënën,/duart e zbardhura nga finja, çarçafët e/ nderë mbi gardh./Lumi im i vogël ka pjesë në detin e madh.” (Mos ma shaj lumin)

Për poetin çdo fenomen, qoftë edhe natyror, bukuria është produkt i tërheqjes shpirtërore. Vendlindja e tij, Skrapari, ka qenë dhe mbetet si të ish Zoti, i pakëmbyeshëm me asgjë tjetër. Ai vrojton dhe mediton, duke e sjellë emocionin  magjishëm dhe varg pas vargu ndërton diçka të jashtëzakonshme, që ta ndjesh veten si të jesh në zemër të natyrës skraparase. “Tej grykash era ngre dëborën/dhe mjegulla end papritur;/rrëqethen bredhat që më dhimbsen/si dimër verë rrinë gatitur./ Këtë gravurë bardhë e zi/ç’mjeshtër e hodhi në gravurë?/ Ngri. erë, çarçafin e dëborës/mos shoh gjëkundi fëmijërinë.” (Dimër në Skrapar) Pastaj atë diku, duke rrahur pëllëmbë për pëllëmbë dhe anë më anë trojet e veta, ia tërheq zvarrë  mendimin  një toponim i cili, për nga emri që bart, Varishtë, e dikton që ky toponim të mos jetë simbol i vdekjes, por i jetës. “Kumbi yt Varishtë,/me jetën fort është lidhur./…dhe s’do të desha kurrë/që emri tënd/një varr ta kishte lindur.”(Varishtë)                                                                                                     Tematika e poezisë së Xhevahir Spahiut për vendlindjen është e përmasave  të pafundme, e shtrirë sa të ha mendja e syri. Sinorin nga një poezi tek tjetra e ndan një çezmë me ujë të ftohtë burimi a një rrap shekullor, një gur i rëndë në pëllëmbë të dorës, a disa ftonj “të arrestuar”.Tek të gjitha, pa përjashtim, poeti ndjehet i lidhur, është bërë njësh me gjithçka që është pjesë trupore e vendit të tij. Për Xhevahir Spahiun kuptohet qartazi se ai nuk ka nevojë që të fitojë diçka që i ka humbur, sepse i ka dhe nuk ka nevojë të meritohet prej tyre, sepse ata troje e njohin në thellësi shpirtin e madh të poetit.“Peshon një gur në dorën time,/Pesha e tij: këmbëngulja për t’u kthyer ku ka qenë./Sytë e ulërimave/lotojnë në pëllëmbë./Dora po nxihet/nga vajet e ndarjes;si mund ta duronte shkëputjen prej trupit?/Lamtumirë!/Lamtumirë i thotë gurit.” (Peshon një gur)Por Xhevahir Spahiu,  i lindur në ato troje të begata, ku rrushi, molla, arra dhe të gjitha pemurinat janë, ashtu si poeti, në vendin e tyre,diku merr flakë nga ajo e flamosura e ballit të kazanit  dhe bën të këndojë në poezitë e tij si një Omar Kahjam i vërtetë. “Lisat me rrush turfullojnë/si kuaj frelëshuar nëpër natë./Pini se vreshtat s’mbaroj,/mbaron vetëm jeta e ngratë./ A s’jemi në mesin e jetës,/në mesin e botës a s’jemi?/Atë që kërkuam s’e gjetëm,/atë që e patëm s’e kemi./ Zbraze rakinë, kryengritës,/ mblidhu dhe ti me të tjerë;/një gur po u nis rrokullimës/s’ka frikë se u sos në humnerë.”                                                                                                

Poeti dhe vendlindja

Poeti e ka parë vendlindjen, Skraparin të dashur, si një gjallesë që frymon, që ndjen dhimbjen nga plagët e luftërave, që loton e këndon. Ai është aq i natyrshëm e organik  sa zor se gjen një të përafërt me të ku vargu të fillojë me eeeee, ooo- e famshme të polifonisë toske. Vetëm në pak varrgje lexuesi arrin t’i përjetojë  të gjitha: jetën ashtu siç është. “Eeeee, oo…/Erë e lehtë, e lehtë,/e lehtë, befas bubulloi./Shi dhe breshër. Frynin syferina./Ujrat në humbella thyenin kokën./Dehje lisash. Vetëtima….Nisi të fryjë sakaq dielli i korijeve,/brambulloi dielli./Blegërinë qengjat, mbi lofatë pingëruan zogjtë,/ dashuria-/shtigjeve të fyellit. Eeeee,ooo…/Gjak mbi vraga shkëmbinjsh./ Luftëtarë me plumbin në kokë,/ të tjerë me shpata të thyera, po që nga luftërat kurrë s’hoqën dorë./krrokamë korbash, sytë mos m’i ngini!/ Dhe një oi,/ kulmuar mbi tejkohë.     Eeeee, oo…/Yje mbi male./Me lisat mbi hone skraparasit këndonin./ Jeta dhe vdekja bashkë udhëtonin. (Këngë)                                                                                                                                     Për vendlindjen Xhevahir Spahiu ka krijuar poezi të cilat kur i lexon të ngjajnë me  një humnerë të thellë, të thellë, në fund të së cilës, më shumë se çdo gjë tjetër, është konservuar dashuria për njerëzit.  Ai komunikon me ta, debaton me ta, këndon, pi raki e ngre dolli dhe në fund i shpërblen me një monument poezie. Ai bashkëbisedon  me personazhet e tij me një dashuri të zjarrtë, të nxehtë e përvëluese, pa të cilat dhimbja e vetmisë do të ishte shkatërruese për vet poetin.  Herë-herë vargu kërkon një pjesë të shpirtit i cili e bën të vuajë, por edhe të lutet për diçka që s’mund të bëhet, për diçka që ky realitet i pakthyeshëm  ia bën zemrën copë e çikë, të papërballueshëm  nga çka kujton e përjeton nga fëmijëria e hershme. Poetit, edhe pse  nuk ia dëgjon “kujën”  që vë për njeriun e tij, vala e nxehtë e lotëve duket qartazi në vargun poetik. “Erdhi vjeshta/ dhe mua reumatizmi më zë./ Nanaja?/ Nanaja s’është më./ Zunë shirat, po unë/ kujt t’i shkruaj dy gisht letër/ Për një palë çorape të leshta?/ Kanë heshtur shtizat, gështrinjtë,/ naná flokëbardha, e shkreta. /Lulet e verës, erërat e maleve,/ fluturat e  Frashërit ç’mi ulte mbi çorape. / Erdhi vjeshta…Kujt t’i shkruaj dy gisht letër…/Nanája s’është më./ Dhe mua reumatizmi / i dyfishtë më zë.  (Nanája)                                                                                                                                                Imagjinata e poetit është e pashtershme, por është edhe paksa çuditshme, jo tokësore.

Ngre të vdekurit nga varri. Ashtu si te “Kush e solli Dorontinën”. Të ikurit nga kjo botë ai i jep frymë dhe nëpërmjet  gjuhës së poezisë e mbërthen lexuesin si të jetë në një realitet tjetër, qiellor, të mahnitshëm. Por gjithsesi këto ëndrra poetike i sheh atje, në vendlindje, në Malind.“Natën/ kur bota fle/dhe deti përtyp mendimin për marrëzitë e ditës,/ kur pëlënbardhat në skajet e kujtesës klithin/ dhe yjet-sy që s’mbyllin sy-/në heshtje zënë e fiken/ del nga shushama/ dhe shalon një kalë,/ shkel mbi asgjënë/ dhe qaset në rrethina. S’është Konstandini i vetëm. Është babai./ Askush s’e sheh dhe nuk e njeh askush.                                                                                          Lidh kalin në një gardh me rreze hëne/ shkund baltën dhe avitet në dritare/ pranë gjumit të fëmijëve./ Zgjat dorën, i mbulon me një velënxë/ se shohin ëndrra e ëndrrat mund të ftohen./ Një lëmsh me brenga befas ia zë fytin,/po kollën mban,/ fëmijët mund të zgjohen./ sikur të ngrihen e t’i kërkojnë bukë: ai/prej kohësh i ka harruar përrallat.                                                                             Si heshteje del,/ merr udhën drejt banesës që nuk ia zë askush,/ me sy i flet Karontit,  pa u ndjerë,/ mos pikëllojë të vdekurit e tjerë./ Ah, shpirti i tij ia mbushi zgavrat qiellit,/ veç trupi është atje/ në prehër të një nate të nëndheshme,/ e vetmja natë pa yje.                                          Ulluri rri/ si një qiri mbi krye. (Babai)

Pse kemi nevojë të duam dhe të na dua, shtron pyetjen poeti.

Nga Bashkim Koçi

Xhevahir Spahiu ka një motër.. Kur dikur, para disa vitesh, ai kaloi disa vështirësi shëndetësore, unë autori i këtyre radhëve,  i vajta në spital. Ishte në një dhomë më vete dhe tek koka i qëndronte një mesogrua e cila i fërkonte ballin. Psikologjia?-pyeta sanitaren. Jo, tha ajo, është motra. Dhe aty për aty më erdhi befas poezia e tij për motrën. Vetëm në gjashtë radhë, vetëm në gjashtë, poeti ka dhënë e thënë aq shumë për motrën sa zor të gjesh  shteg, vështirë të shtosh për të plotësuar atë ç’është motra për vëllanë. “Një mëngjes,/ kur  mora udhën e spitalit,/ në rrjetë hodha një tufë me libra,/ në xhep fotografinë e gruas e të djalit.                                                                                                            Dhe lashë një porosi tek shokët:/ mos m’i thoni gjë motrës…” (Motra)  Dhe, po për motrën, ai diku tjetër, me vargje përqafuese, që e mbështjellin të tërën me fjalë që pëshpëritin vetëm dashuri, nxjerr diçka  përkëdhelëse e cila mund të dalë vetëm nga një zemër e çiltër vëllai: “…S’është gjethe dafine./ E bukura,/nënokja,/ e xhevahirta/motra ime.” (Motrës në ditëlindje) Në këtë rrjedhë dashurish brenda familjes  poeti Xhevahir Spahiu di të zgjedhë mjeshtërisht, por pa sforco, ngastrën nga ku mbjell vargje për fëmijët, për dy djemtë e tij çamarrokë teksa rriten përpara pasqyrës: “Çdo mëngjes/Orgesi gjashtëvjeçar/përpara pasqyrës rri/-Pse shikohesh?- e pyes./ Më thotë: S’e di./…..Prek flokët, prek ballin,/ sheh sytë, shgeh buzët…/Vëllai i vogël nga pas i nxjerr gjuhën.” (Fëmija në pasqyrë)

Pse kemi nevojë të duam dhe të na duan?shtron pyetjen poeti.

Këtë ai ia thotë lexuesit jo kështu, pra në mënyrë të drejtpërdrejtë, por  nëpërmjet poezisë, të trajtuar artistikisht, duke e qartësuar këtë qëndrim të tijën në lartësinë e poetit-filozof. Ai kështu trajton edhe një problem shoqëror, atë të lidhjeve të forta dhe të sinqerta me fisin, me xhaxhanë, kushërinjtë, njerëz të ndarë nga një vatër, me gjakun tënd. Nëse në ditët e sotme njerëz të një çatie vriten e priten për një metër tokë, për një vijë uji, për një rrugë kalimi që të çon në shtëpi, Xhevahir Spahiu, poeti ynë zemër-det, këshillon, (Oh, çfarë këshille pa qenë këshillë!), me një letër-poezi që ia dërgon xhaxhait të tij atje  në fshatin e tij “të humbur”, në Malind të Skraparit. Aty marrin përgjigje pyetjet që shpesh ia bëjmë njëri-tjetrit kur dëgjojmë marrëzira për zënka e konflikte, të cilat i “hedhin hekurat” dashurisë për jetën. Nga vijmë? Ku do shkojmë kur të vdesim? Pse vdesim?Cili është qëllimi i jetës sonë? Poeti në poezinë-letër  për xhaxhanë  sfidon:“ Më thuaj, xhaxha:/ a janë gjallë lisat/ apo kanë shkuar edhe ata refugjatë?/ Po ti a flet më me kaun/ dhe me xhindet natën?/ Yjet në lumë a në gjirin e lumit/ a luajnë me zajet dhe këmbejnë vendet/ në Shkallëz?                                                                                                                                                                       A ka më dëllinja?/ Ditën e verës me to ndiznim zjarre,/ kapërcenim mbi zjarre/ të bëheshim trima./ Xhaxha, shko njëherë nga varret,/ e më thuaj: ç’bën gjyshja nën dhé?/ Kur të vij do t’i çoj një vargan manaferre./ Xhaxha, Lumi i vogël i ka grryer brigjet,/ për këtë nuk të pyes. /E di,/ siç di plisat dhe gjurmët e dhelprave ti./ Xhaxha,/ flas me ty si me një këngë të vjetër:/ A ke zier raki?/ Ke zier, patjetër./ Më dergo me njeri një shishe, po munde: ballëkazani,/ kuptohet./Do ta pi me një frymë/ si të qeshë ezhdërha-/dhe do them veç dy fjalë naimjane:/ Të paça xhaxha!         (Letër xhaxhait tim Ali)

Vendlindja për poetit është e shtrënjtë, është mall që djeg. Ai është shumë i vemëndshëm që në poezitë e tij të gjejnë vend, të mos i shpëtojë e të harrojë vlerat që i bëjnë dritë historisë siç janë  luftëtarët, heronjtë dhe kapedanët popullorë. Ai i ka ndjekur ata këmba këmbës, ua di historitë dhe trimëritë, dashurinë dhe urrejtjen, por edhe shpirtin dhe zemrën e tyre të qelqtë. “Kliko” në librat e tij me poezi dhe do të të çfaqen heronj “gjitharmësh”, nga të gjitha kohërat kur është luftuar për liri e dinjitet, për vete e për të tjerët. “Për të tjerët” kam parasysh Xhevahirin poet i cili  qëndron dhe shkruan për një luftëtar internacionalist skraparas, Mane Nishovën.“Vdiq Mania./Lorka për të mund të shkruante elegji/ më të bukur se ajo e Injacios./Në Ebro e rrëmbeu jetën nga brirët e demave,/ në Tomorr ua vuri një gur te koka”vinceremo”-ve./ Kur pas luftës e thirrën t’u qepej pas të tjerëve,/ “kush është ndjekur, tha, ndjekjen e ka vdekje”.                                                         Brodhi nëpër botë/ ku nuk bridhnin as zogjtë./ Kur kthehej sillte libra dhe brisqe rroje./ Nata e zuri mbi ca varre të vjetër./ Ky ishte Mania,/kurrkush tjetër.(Në kujtim të Manes)                                        Xhevahir Spahiu ka disa vjet që nuk shkruan dot më.Madje ka edhe vështirësi në komunikim.Kur përballesh e i flet, ai ndjehet keq. Cerebralja, cereblarja,  thotë, dhe vë gishtin tregues tek koka për të të treguar me shenja se diçka e tmerrëshme ia ka prerë gojën poetit.Ndonjëherë njeriun e përfshin ndjesia se diçka do t’i ndodhë. Populli, siç e dimë, e quan parandjenjë.Çuditërisht, kur lexova një poezi të Xhevahir Spahiut, “Këpucët e mia”, e cila është shkruar vite e vite më parë, mendja më shkoi se ajo është si një parandjenjë e poetit.“Këpucët me pluhur të butë/ të ditëve që ikën e kurrë s’vijnë më;/ një herë e një kohë përpitë kaq rrugë,/ në shi a në diell e tani s’bëni zë. …Nuk më pëlqen kjo dergjje, ky jerm;/ nesër do t’ju çoj te këpucarët,/ siç çojnë në uzinë fundajat e plugjeve./ Më mirë jepni shpirt në udhë dhe ara.”Në vëllimet poetikevendlindja për Xhevahir Spahiun është fund e krye dashuri, mall që djeg. Vetëm atje ai ndjehet rehat dhe është e vetmja fuqi që ia fshin çdo dhimbje. ….          ”O vise me valë…Tomorri në krye./Njeri, ku janë zjarret? Hyjni, ku janë yjet?”- A ka në botë dashuri si kjo e poetit? Sado larg të arrijë mendja, kurrë nuk arrin atje ku mund të arrijë zemra.Zemra e Xhevos është aty, në poezitë e tij.