Suplementi Pena Shqiptare/ Alisa Mene: Është dita jonë

834
Sigal

A e mban mend sot, pikërisht sot është dita jonë, i dashur. Asgjë nuk e ndryshon këtë ditë, asgjë nuk mund të na i prishë kujtimet e kësaj dite. A e mban mënd, pikërisht me këtë datë ti dhurove lulet e para në jetën tënde. Kjo është dita që na beri të kuptojmë se ne nuk ishim më dy persona, por vetëm një e të pa ndarë. Të destinuar nga vetë zoti. Ne me dëshirë i bindeshim asaj. Ndihemi po njësoj si shumë vite më pare, këtë ndjesi na i sjell shumë afër kjo datë. Nuk do e harroj mënyrën se si më shikoje atë ditë, ato emocione që na lanë pa gjumë. Në ditët në vazhdim, orët e natës dukeshin të pa fundme larg njeri tjetrit. Atë natë duart e mija ishin të veshura me aromën tënde si dorashka dimri. Ne përsëri ndiejmë të njëjtën dëshirën e emocion në takimet tona si të jetë takimi ynë parë. Çdo gjë dukej hyjnore atë ditë dhe po kështu çdo ditë e kësaj date. Sot është dita jonë…..Duke u hedhur mbi krevat e lumtur them me zë të lartë se sot jemi vetëm ne të dy, ndaj eja çohu ta bëjmë këtë ditë siç duam ne. Sot e kam të pamundur ta largoj nga fytyra buzëqeshjen që më del nga shpirti. E ndiej që diçka e mirë do na pushtoj .Po shkoj të bëhem gati, të vishem e të krihem, që me pas të dalim për të bërë një udhëtim të gjatë pa e ditur se ku. Ti e di që mua më pëlqejnë ditët pa plane, janë të vetmet ditë që s’i jap hapësirë mendimit gërryes të futet në mendjen time. Jam gati, po zbres poshtë, po të pres ty me padurim. Rrahjet e zemrës po bëhen të pakontrollueshme dhe një emocion më ka mbuluar shikimin e s’po mundem të shquaj qartë, në je ti duke ardhur drejt meje. Sekondat po më duken vërtet si minuta. Të lutem mos u vono, se po filloj të kem pak frikë nga pritja. Ndoshta ke ndaluar diku për të me bërë surprizën e radhës, ti e di, unë si fëmijë kapriçioz t’i kam kërkuar surprizat, sado të vogla të jenë ato. Ndihem e përkëdhelur, e ledhatuar dhe kur i kujtoj ndiej se kam jetuar. Po kam pak ftohtë, megjithëse dielli është shumë i fuqishëm sot. Disa ethe më veshën trupin, s’po di të zhvishem prej tyre. Po shtrëngoj duart me njëra tjetrën si një fëmijë i turpshëm, kjo pritja po kthehet në ankth e po më bën të mendoj gjëra që nuk do ishin të drejta për këtë ditë. Kaloj vërtet kohë e gjatë e ti nuk dukesh në asnjë rrugë të mundshme që të sjellë drejt meje. S’e kuptoj, mos vallë jam në ëndërr apo mos nuk është sot dita jonë. Mbas një ore, papritur një bori makine më zgjon nga një mendim i fuqishëm që më kishte çuar në një bote tjetër. Aty kuptova që po përjetoja diçka që nuk ishte pjesë e realitetit, një ëndërr e krijuar nga malli. Ula kokën dhe vazhdova të ecja ngadalë, sytë e kishin të pamundur t’i mbanin lotët mbas vetes, ato vazhduan rrugën ashtu si unë pa u ndalur. Ah sot është dita jonë i dashur, është ajo ditë që nuk do doja kurrë ta jetoja pa ty!