Suplementi Pena Shqiptare/ Halil Rama: “Magjia” e romanit të Namik Dokles

33
Sigal

“Magjia” e “shitjes së nderit” në romanin e Namik Dokles

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

  • Një roman ku përcillen artistikisht mesazhi i domosdoshmërisë së rishkruarjes me realizëm të historisë dhe i luftës pa kompromis ndaj krimit e korrupsionit

Trilli artistik i Namik Dokles në romanin e tij të fundit “Dhjetë gramë nder” – botim i Shtëpisë Botuese prestigjioze “TOENA”, i kalon kufijtë e imagjinatës. Një trill artistik befasues që në titull, për të vijuar në episodin e parë të romanit, ku në të famshmin “takim me historinë”, një ministër e manipulon atë, në ditën e inaugurimit të Muzeut të Luftës, duke përvetësuar rolin e komandantit të batalionit, e për të vijuar kësisoj thuajse në të 25 episodet e 222 faqeve të romanit.  Ideja e “tregtisë së nderit” iu ngulit kështu personazhit kryesor, Nderimit, që ditën kur babai i tij, ish komandanti i vërtetë i batalionit gjatë LANÇ, pasi ia çorri maskën ministrit dyfytyrësh, i kërkoi të birit të shkonte të blinte “Dhjetë gramë nder” në ndonjë dyqan të qytetit. Klubi që ai kishte rregulluar me atë kredinë e majme, kishte qenë dikur klubi i gazetarëve të qytetit, edhe ata shitës të dikurshëm të ndërgjegjes. Kështu, në shitoren me tabelën “Këtu shitet nder”, vijuan të vijnë, jo vetëm prostituta të çnderuara nga  “burra me çorape shtatë javë të palara, me kutërbim shurre dhe sperme..” (fq.28), por edhe të dërguar nga politikanë të rangut të lartë, nga deputetë e ministra, prokurorë e gjykatës të korruptuar e të inkriminuar. Vinte të blinte 1 gramë, dhjetë apo një kilogram nder, edhe ndonjë që mendonte se me të mund të pastrohej e të bëhej i ndershëm, ndonëse “ kishte vjedhur pensionin e nënës, një tjetër që kishte nxjerrë gruan e tij në semafor, një i tretë që kishte bërë grabitje shumash të mëdha, por pa prekur asnjë qindarkë me dorë, pa çarë mure e pa thyer kasaforta, por vetëm duke hakëruar disa llogari bankare, një i katërt që kishte hall të merrte vesh se si i bëhet me atë që, duke qenë shofer i një ministri, kishte marrë përsipër aksidentin e kryer nga shefi i tij, dikush që pyeste nëse ishte humbje nderi ta tradhtosh gruan me dashnoren apo edhe me vajzën e bosit të kompanisë, sekretare e të cilit është gruaja jote…”(fq.194). Një sarkazëm therëse kjo, e autorit Dokle, që buron nga njohja gjer në perfeksion prej tij e realitetit të trishtë që përjeton shoqëria shqiptare e këtij tranzicioni të tejzgjatur. Por edhe denoncimi nëpërmjet fjalës artistike i fenomeneve e dukurive gërryese e shfarosëse të krijuara e manifestuara nga kriminelë të veshur me pushtet. Dhe kur dikush vinte e i kërkonte “nder për të vdekurit”, i sigurt se do të rrokullisej me vërtik në greminën e falimentit, Nderimit i vjen ndërmend thënja proverbiale e babait “Ironia është më e fortë se pushka, të vret e s’të jep dekorata”. Kjo do t’i kujtohej më së miri kur ndonëse pluhuri në “qeskat e nderit” ishte një kombinim interesant, fruta tropikale me hudhra shqiptare (simbol i integrimit tonë eurobotëror), provoi për 72 orë qelitë e burgut, pas denoncimit që kishte bërë vjehrri i tij (Tosun Brinja, një ish polic famëkeq i diktaturës që kishte përdhunar deri edhe vajzën e tij) dhe dëshmisë së një djali që deklaronte se kishte blerë në klubin e tij qeska me drogë…(dhe që për të shpëtuar nga ndëshkimi i pamerituar ju desh të paguante qimet e kokës). (fq.191).

Denoncimi përmes fjalës artistike i pabarazisë ulëritëse

Kureshtja e lexuesit sa vjen e shtohet kur Dokle, si askush tjetër përshkruan mjeshtërisht e me gjuhë mjaft të pasur, madje gjer në detaje, njohjen me “vrasës me pagesë dhe pa pagesë, vrasës të grave dhe ndonjë vrasëse të burrit; përdhunues kafshërorë, zyrtarë të korruptuar, hajdutë pronash dhe bankash, drogaxhinj të droguar dhe të tjerë esëll, shpërdorues fondesh dhe tenderash, fshehës të armëve pa lejë, bankierë hajdutë dhe avokatë mashtrues…”. Dhe pasi sjell në referencë filozofinë se “burgu është për burrat” nuk nguron të denoncojë gënjeshtrën e madhe se “në burg janë të gjithë të barabartë”. Po aq e madhe sa gënjeshtra e Bill Gejtsit që pat thënë se, përballë sëmundjeve, të gjithë njerëzit janë të barabartë. “Pabarazia ulërinte, njëlloj si jashtë, por në ngushtësinë e birucave e të koridoreve dëgjohej më shumë, më fort dhe jehona e saj nuk pushonte asnjë grimë, natën dhe ditën, në çdo imtë frymëmarrje, në çdo vështrim gardiani, në çdo skërmitje të oficerit të policisë gjyësore, në çdo llogari avokatësh, prokurorësh dhe gjyqtarësh, nuk pushonte dhe të gërryente përbrenda e të terte përjashta. Të dukej vetja si skelet i tharë në diell…” (fq. 193).

Ironia therrëse në gjuhën e personazheve

Në romanin “Dhjetë gramë nder” të Namik Dokles lexuesi befasohet edhe nga ironia therëse, që ai vë në gojën e personazheve. Më e dukshme kjo në perifrazime të tilla si: “.pas martesës, pas dashurisë së parë pa çarçafë të skuqur, të gjithë djajtë dhe djallëzitë u zgjuan, më pëshpëritnin, më pickonin, më kruanin pas veshit dhe, dhjetra herë , isha bërë gati ta bëja pyetjen fatale: Kush ta mori virgjërinë? Por tmerrin më të madh e ndjeva atë ditë, kur ai, Tosuni i poshtër, babai i ndyrë, qelbaniku i shtatë gjirizeve, në përpjekjet për të më detyruar t’i jepja gjysmën e biznesit më tha: Kush ia mori virgjërinë gruas sate? A e gjete të virgjër nusen tënde?!” (fq.184). Apo dhe rrëfimi për shurranin e monumenteve, si histori dykohëshe e diktaturës dhe e demokracisë, e atij që pasi kishte lënë rrogën e 15-ditëshit në birrarinë me qofte e qepë filloi të shante: “Të pshurrsha m’u në rrogë…të pshurrsha…të pshurrsha…”, dhe dy policë, sikur të kishin mbirë nga dheu, e mbërthyen për krahu…e torturuan aq shumë për të treguar se kush e kishte urdhnue me e pshurr udhëheqësin e botës (bustin e Stalinit)…dhe kur filluan ta paguajnë si ish-të përndjekur politik: “e çoi dreqi në Tiranë dhe atje e kapën duke pshurr monumentin e ish-mbretit…” Ishte ky një rrëfim sa prekës aq edhe interesant i atyre blerësave të “një gramështit të nderit”. Më të vërtetë, nga vetë titulli i romanit “Dhjetë gram nder”, gjithkush do të mahnitej me gjuhën e pasur të Dokles në dhjetra e qindra raste të përdhosjes së nderit, nga deputetë e ministra, nga prokurorë e gjykatës, nga….dhe në përshkrimin brilant të skenave e veprimeve të Nderimit, personazhit kryesor të romanit, që u ka dhënë nder nderprishurve dhe nderprishësve. Kësisoj, ndërsa e profilizon si tregtarin që kishte zgjedhur mallin e duhur për këtë kohë, kur gjithshka, gjithë ekzistenca njerëzore kishte dalë në shitje. Sa kënaqësi të lexosh Namik Doklen, qoftë edhe në përfytyrimin prej tij të Kapiten Tosun Brinjës, që kur ishte i plotfuqishëm për mbledhjen e detyrimeve ndaj shtetit…vriste e priste, kërcënonte dhe bërtiste: “Akoma nuk keni parë gjë. Akoma! Unë s’jam vetëm Tosuni i detyrimeve, por jam kapiteni i tatimeve, i hetimeve, i internimeve, e morët vesh?” Një fantazi e shfrenuar kjo e autorit Dokle, duke hequr paralele midis të pandreqshmëve të dy kohëve.

Disa histori të trishta tek “Dhjetë gram nder ”

Sa shumë bëma e gjëma, sa histori të pathëna e të padëgjuara! Përveçse trishtimit njerëzor nga përdhosja e nderit, në romanin e ri të Namik Dokles ka plot ngjarje, në të cilat gëlojnë histori të trishta. Përcillen ato mjeshtërisht në gojën e Xha Veros, por dhe tek historitë e ustait Bajro Jella që muroste shishet me tituj gazetash e letra referuese brenda të cilave përshkruante me pak fjalë histori rastësore me mesazhe të qarta për kohën. Qasje vërtetë interesante e autorit, letra në të cilën shkruhej: “Kjo godinë deri sot ka qenë xhami, që nuk i gjendej shoqja në nëntë fshatrat e krahinës. Tani ky shtet e ka kthyer në magazinë drithi. Shteti është komunist, udhëheqësi është Enver Hoxha; ky shtet ka shkatërruar xhamitë dhe kishat dhe na ka rrjepur shtatë lëkura.”! E vënë në gojën e Bajro Jellës, është vërtetë histori e trishtë ajo kur; ndërsa priste të dëgjonte të qarën e parë të një fëmije që takohet me këtë botë, nga dhoma tjetër, nga dhoma e nuses erdhi një ulërimë e një ejkamë që e drodhi n‘flokë e n’thua…ulërima e nuses që burrave që e bartën 5 orë në krah për në maternitetin e qytetit, në grahmat e fundit u tha “amanet vajzën”! Dhe më trishtuesja në këtë histori, urdhëresa e kryetarit që “për atë vdekje duhet të bëheshin të pazëshëm, si vetë vdekja”. që të mos trazohej ai imazhi i shtetit. (fq.79). Pjesë e ligjërimit artistik të autorit të këtij romani është edhe ajo e çobanit të dhenve në Bjeshkët e Sharrit, që ndërsa po ndante bukën me udhëtarin e rrugës, kur ky i fundit nxorri thikën e ju turr t’ia  rrëmbente orën që e kishte kujtim nga i ati kurbetçi, çobani më i shpejtë, mori një gur e i ra në kokë duke e lënë të vdekur. Në strukturën kompozicionale krejt të veçantë të këtij romani bën pjesë edhe historia e strehimit të doktor Zhakos me të bijën (nga hebrejtë e Prizrenit) në mullirin e fshatit, kur Bajro, besnik i shprehjes proverbiale “shtëpia është e mikut dhe e Zotit”, teksa ndodhej pranë vajzës bukuroshe me emrin biblik Hannah, ndjente se si “magma e shpirtit të tij ngrohej dhe ftohej, shpërthente dhe përzihej me pluhurin dhe merimangat e qosheve të mullirit e aty kapej si mizat”. Këtu lexuesi befasohet nga bukuria e rrëfimit. Autori N.Dokle ka qasje tejet origjinale edhe në përzgjedhjen e emrave të personazheve si: Bajro, Hanza, Selba, Vaje, Jasmir, Hashmet, Tosun etj; në përdorimin e shprehjeve të shumta popullore dhe përafrimin me to të vargjeve të këngëve, si dhe në përshkrimin e grafikëve. Në tërësinë e këtij romani ndeshim koleksion rrëfimesh sa shqiptare po aq universale, ngjizur me fantazi të pashtershme kreative dhe të harmonizuara në një libër të strukturuar gjithë origjinalitet ku spikat niveli i lartë artistik i një mjeshtri të rrallë të prozës së sotme bashkohore.