Dikur fshati kishte njerëz që punonin e prodhonin produkte bujqësore e blektorale, gjallëri e aktivitete kulturore e sportive si dhe zhurmë që jehonte nën hapat e jetës. Sot, në të njëjtat rrugë, tashmë nuk dëgjon hapat e njerëzve, por të ujkut dhe ariut! Po, po, ata janë banorët e rinj të fshatit shqiptar. Zbritën nga malet, morën shtëpitë e braktisura dhe po i gëzohen “jetës rurale” më shumë se çdokush që dikur jetonte aty. Tani ujku pi ujë në kroin e fshatit ku dikur pinin njerëzit, ndërsa ariu qëndron në verandën e shkollës së vjetër, ngrohet në diell dhe sheh tabelën ku shkruhet ende: “Mirë se erdhët nxënës të dashur ”! -“Tani, në vend të mësuesit dhe nxënësve, në karriget e tyre, është ulur ariu dhe kafshë të tjera të pyllit -“jemi ne, banorët ligjorë – ëndërron ariu!” Një mëngjes, ujku pa një plak që kishte mbetur i vetëm në fshat dhe iu afrua me respekt: – O gjysh, mos u tremb, nuk jam as politikan, as deputet, as kryetar komune dhe as roje fshati, por thjeshtë erdha të banoj këtu, – i tha ujku. – Po fshati është i njerëzve, mor bir, – iu përgjigj plaku disi i trembur. – Ishte dikur, tani jemi ne banorët ligjorë, njerëzit që janë larguar nga fshati, i lanë çelësat te dera, unë veç sa hyra brenda, – iu përgjigj ujku! Në mbrëmje, ariu organizoi “mbledhjen e parë të komunitetit të ri të fshatit”: Të pranishëm, veç ariut, ishin edhe ujku, dhelpra, sorrat dhe një iriq që mbante proçesverbalin. Ariu foli me ton serioz: Duhet të rikthejmë jetën e fshatit! Unë marrë postin e kryeplakut, ujku roje nate, dhelpra sekretare (si dinake që është, di të flasë shumë shpejt e saktë si dhe të shkruaj mirë, ndonjëherë edhe shumë bukur), ndërsa sorrat, zëdhënëse zyrtare! Vendimet u miratuan me unanimitet. Kështu, fshati mori frymë sërish: tashmë jo me njerëz, por me një organizim të ri të kafshëve të egra të pyllit. “Njerëzit ikën, por natyra nuk pranon boshllëqe!” Tani ujku patrullon çdo natë rrugicave, duke ruajtur qetësinë më me përgjegjësi se çdo roje komune dhe fshati. Ariu bën kontrolle “inspektimi” në vreshta dhe në ato pak ara të mbjella me misër, për cilësinë e prodhimeve organike. Ndërsa dhelpra, si gjithmonë, e aftë në profesionin e saj, do të merret me menaxhimin e pulave të mbetura, sipas parimit: një pulë, një taksë për komunën! Ndërsa në fshat, tashmë situatën e kanë marrë në dorë kafshët e pyllit, në qytet, ish-banorët postojnë foto në rrjetet e tyre sociale:
“Imazhe dhe foto në fshatin tim të lindjes, ajër i pastër, natyrë e virgjër, qetësi absolute!”, por tashmë, me …. “mysafirë” dhe “banorë” të rinjë! Po kush e krijoi atë “qetësi absolute”?
Ujku, që nuk le njeri të afrohet apo ariu që po bën kërdinë, në ato pak ara me misër apo dhelpra që kontrollon kotecet, nëse ka mbetur ende ndonjë pulë?! Një ditë, ujku u pa në pasqyrën e një shtëpie të braktisur dhe mendoi me vete: “Dikur më quanin bishë e egër, sot më thonë banor i zonës! Sa shpejt ndryshon statusi në këtë vend!” Dhe kishte të drejtë: Në vend të mbledhjeve të kooperativës, tani dëgjohen ulërimat e kafshëve të egra ditën dhe natën.Në vend të zërit të mësuesit dëgjohet gërrhitja e ariut në klasë. Në vend të festivalit të fshatit, dëgjohet “koncerti i natyrës”, i dirigjuar nga dhelpra dhe shoqëruar nga sorrat e zogjtë.
Po morali?
Nëse braktis shtëpinë tënde, mos u habit, kur një ditë ta gjesh të zënë me qira nga ujku ose ariu, madje edhe të blerë e të pajisur me çertifikatën e pronësisë!Sepse natyrës nuk i pëlqen boshllëku, ajo gjen gjithmonë mënyra për ta mbushur atë: me ujqër, arinjë, dhelpra e plotë kafshë të tjera të egra apo me kujtime që s’fshihen dot.Dhe kështu, në statistikat e reja të banorëve ruralë, thuhet se numri i njerëzve ka rënë,por numri i “banorëve me gërrhitje” është në rritje …!Ujku dhe ariu, tashmë “banorët” e rinj të fshatit shqiptar, janë simboli më i gjallë i vendit që po zbrazet nga njerëzit, por jo nga jeta ….!



















