Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: Kuajt e erës

147
Sigal

 

 

Kuajt e erës

Baladë

 

I solli Marsi kuajt e erës

dhe ne shaluam dy.

Banketi i shtruar i pranverës

të priste bujshëm ty.

Po rrugës kali yt theu këmbën,

s’arritëm dot në vend!

T’u grisën ëndrrat e t’u shëmbën

si këmbë e kalit tënd.

Atje banketi i pranverës

na priti sa u lodh…

Sa keq që kali i murrmë i erës

ty nuk të shpuri dot!

Ç’t’i bësh! Kështu na thyhen shpresat.

Nuk kemi fat të dy!

E di , më ndjekin mua tersat,

Të marr më qafë e ty!…

 

Dita e nesërme

 

Ditë e nesërme s’më zbardhi ende!

E prita duke shtruar tryezën qindra herë,

e solla në mendje të brishtë e moderne

dhe ngrita shëndete me verë.

Ndofta vjen, a ndofta nuk vjen fare!

Dhe fytyrën s’ka për ta rrëfyer.

Mbase ka trokitur në dritare,

s’më ka vënë re, a ka gënjyer.

Vjen a s’vjen unë pres si shtërg në rërë…

Në u vonoftë, i lë takim në varre:

Atje lart te guri i zi me vërë,

ku do shkojmë një nga një të tërë…

 

Gruas

Të falënderoj që në sajën tënde marr frymë,

që ha këtë bukë të bardhë në sofër,

që lulja s’m’u tha nga një brymë,

që ngjita gjer lart atë kodër.

Të falënderoj dhe që pi nga mërzia

të hidhurën kafe, të ligën cigare,

të nxjerrë në muzg nga kutia,

të blerë në treg me pak pare.

Të falënderoj dhe që ti s’më ke lënë

t’i hyj lakuriq dëshpërimit të thellë.

Për krahu me zor më ke zënë,

të dalim me vrap nga kjo shpellë.