Suplementi Pena Shqiptare/ Shefik Arifi: Si Akrepat E Orës

Shefik Arifi

Si Akrepat E Orës

NOA

Buzët tona u takuan si akrepat e orës,

se donin që dashuria të mos kish fund.

Na vrisnin paragjykimet e kohës,

na vrisnin fjalët e të tjerëve si plumb.

 

S’lejuam të na vrisnin ëndrrat e rinisë,

që opinioni me ato mërzitej.

Çdo ditë lule shpirti i hidhnim dashurisë,

që ajo në sytë tanë më shumë të rritej.

 

Zakonet prapanike me kohë i kemi varrosur,

ndaj lulet tona asgjë si thau, asnjëherë.

Dashuria për njeri – tjetrin s’kish të sosur,

si akrepat e orës që në sinkron ecnim përherë.

 

Babai

Babain shumë herë e kisha parë,

të rriste misrin, thekrën, grurin,

çdo ditë i shtohej një rrudhë në ballë,

dhe rrudhat thoshte janë për burrin.

 

Çdo pikë uji e çonte te bima,

herë vetëm e herë bashkë me shiun,

dhe të lidhej dhe t’i mbahej fryma,

dhe lodhja-thoshte-është për njeriun.

 

Ndodhte shpesh, në shtëpi kur kthehej,

të qeshte shtëpia e tëra,

nga fryt i punës niste të dehej,

dhe thoshte “Aq sa munda, bëra”.

 

Poezi Për Poetët

Si shumë të tjerë dhe unë,

jam rritur me vargjet e Naimit.

Ishin oksigjen dhe më shumë,

nën dhimbjen e plagëve të pushtimit.

 

Stuhi të forta erdhën këndej,

si dallgët e deteve.

Por s’na ngriu gjaku në dej,

s’na linin vargjet e poetëve.

 

Ato vargje u përhapën e ndritën si hënë,

shkëlqenin mes një qielli plot rrufe.

Vargjet e poetëve, gurë themeli u bënë

për një shpres të re.

 

Vargjet e tyre, vargje kuptimplote…

Zëri i tyre mbeti në vargje përherë.

Zëri i rilindasve jehon nëpër mote,

ishte dhe mbeti pranverë.