Mbrëmja zbret mbi Durrës si një shall i kaltër,
deti gushëlon dhe flet me zëra nimfash.
Valët ledhatojnë brigjet si duar nënash,
ndërsa era sjell erën e shekujve të humbur.
Diku, nën rërën që shkelin fëmijët ngjeshur,
fle Erosi i Durrësit prej mermeri,
djaloshi i bardhë i dashurisë së zbehur,
me krahët e thyer nga koha dhe terri,
por me zemrën ende të ndezur.
Kur hëna del mbi gjirin e detit të qetë,
ai zgjohet në heshtje ritmike.
Nga sytë e tij rrjedh dritë e argjendtë,
dhe pulëbardhat bëhen letra dashurie
mbi ujërat e natës së qelqtë.
Ah, Durrës, e Adriatik, mish e thua,
qytet i mbështetur në supet e legjendave,
sa puthje ke fshehur nën themelet e tua!
Sa emra dashnorësh me kripë
stuhitë i kanë mbuluar!
Deti i dëgjon deri në ag.
I mban si këngë të vjetra peshkatarësh,
si një fyell bariu që qan larg,
atje ku horizonti pikturon damarësh.
Dhe ja, mbi mozaikun e lashtë,
simboli i Diellit rrotullohet pa zhurmë,
si një rrotë e fatit të artë.
Rrezet e tij bien mbi ujë
dhe ndezin mijëra yje të sedeftë,
sikur vetë perënditë
të kishin derdhur verë drite në det.
Në nekropolet e Dyrrahut
Hera endet si një hije e butë.
Ajo prek gurë e epitafe vere,
lexon emra që s’i kujton më askush,
dhe mbi secilin vendos një trëndafil ere.
Por deti nuk harron. Ai i njeh të gjithë.
I njeh luftëtarët, i njeh vajzat me flokë si gruri,
i njeh tregtarët që erdhën nga larg
dhe poetët që mbetën pa vargje.
Ai ruan në fundin e tij
monedha, amfora, lotë e premtime,
si një plak i mençur
që nuk i tregon askujt gjithë sekretet intime.
Dhe Amfiteatri,
gjysmë i fshehur në kraharorin e tokës,
ngjan si një zemër gjigante guri.
Netëve, kur qyteti fle,
duket sikur dëgjohen ende zërat,
(u marrin mençurinë të vdekurve)
legjendat e hyjnive, këngët e heronjve,
duartrokitjet e shekujve.
Unë rri buzë detit
dhe shoh dallgët që vijnë e ikin.
Më duket sikur Erosi ecën mbi ujë,
si një djalë fshati me këmbë zbathur,
duke kërkuar dashurinë e parë të botës pa bujë.
Ai ndalet pranë bregut,
mbledh një grusht dritë dielli
dhe e hedh mbi qytet.
Atëherë Durrësi bëhet i artë.
Dhe deti, si një kalë i kaltër i stepave të largëta,
rend drejt agimit, duke mbartur në shpinë
dashurinë,
lutjet pas çdo fjale,
dhe kujtesën e pafund
të tokës shqiptare.



















