Suplementi Pena Shqiptare/ Dr. Rexhep Munishi:Laver Bariu, ustai i fundit

Takimi i parë me Vasil S. Tolen ndodhi më 1995 në Festivalin Folklorik Kombëtar, i cili atë vit u mbajt në Berat (20–26 shtator 1995). Unë dhe Vasoja ishim anëtarë të jurisë profesionale të Festivalit dhe kryetar ishte profesori i nderuar Ramadan Sokoli. Që atëherë krijuam lidhje të ngushta miqësore dhe profesionale. Komunikimet tona ishin të shpeshta, qoftë përmes telefonit e postës elektronike, por takoheshim relativisht shpesh në Prishtinë ose në Tiranë.

Para disa ditësh miku im i nderuar më njoftoi se kishte përgatitur për botim një vepër të fundit. Gjatë bisedës telefonike Vasoja më shprehu dëshirën që unë t’i shkruaja disa fjalë për parathënien e librit të tij të fundit që po përgatiste për shtyp. Unë, pa e kuptuar mirë (qartë) se për çfarë libri bëhej fjalë, përkundër disa ankesave të mia shëndetësore, pa ngurruar e pranova kërkesën e tij. Vasoja ia dërgoi me e-mail dorëshkrimin tim biri, Visarit, i cili e printoi dhe ma solli.

NOA

Sapo e mora dhe pashë titullin “Laver Bariu – Ustai i fundit”, u befasova. Për një çast mbeta si i shtangur, sepse e dija që ai e kishte botuar njëherë një libër që i kushtohej Laverit. Dhe nisa të flisja me veten: “Po përse i duhet lexuesit edhe një libër nga i njëjti autor kushtuar këtij ustai?”. Hapa faqet e para të dorëshkrimit dhe që te përmbajtja vërejta se isha ngutur në gjykimin tim. Prandaj i tërhoqa fjalët që thashë. Autori shkruan se ribotimi i librit kushtuar Usta Laver Bariut është ribotim me plotësime; unë do të shtoja bindshëm se ky botim është rishkrim me karakter monografik.

Tani përpara (ose siç po thuhet shpesh “në duar”) kemi një libër relativisht voluminoz si në faqe, edhe në temat që trajtohen. Pas një hyrjeje të shkurtër dhe parathënies janë gjashtë kapituj, shkrime për Laverin dhe një literaturë e përzgjedhur dhe e konsultuar. Laver Bariu ishte përmetar, ashtu si autori i librit. Tole ka shkruar bukur, në mënyrë të detajuar për historinë e këtij qyteti. Hapësirë të veçantë dhe profesionale i jepet veprimtarisë së begatë kulturore të Përmetit. Ai shkroi për sazet të udhëhequra nga instrumentistët e njohur të kohës në Përmet.

Në vazhdim pasojnë kapitujt që i kushtohen kryekëput veprimtarisë së usta Laverit, një virtuozi (muzikanti të shumanshëm) në gërnetë, i cili u bë “marrës” i polifonisë, pastaj udhëheqës i sazeve e në veçanti me kabatë e tij. Kompozitorë, studiues të muzikës e të tjerë që shkruajnë për kabatë e Laver Bariut i cilësojnë ato me vlerësimet më të larta. Për kabatë e Laverit thuhet se kanë stil “laverçe” dhe se dallohen dy tipa kabash të tij, tipi baritor dhe kabatë e tipit vajtimor.
Dr. Rexhep Munishi, Prof. Ramadan Sokoli dhe Vasil S.Tole

Duke ndjekur rrugëtimin rrëfyes, libri merr edhe karakter letrar, të gjinisë së romanit, por pa u larguar për asnjë çast nga qëllimi hulumtues e shkencor, dhe kështu këto dy fryma plotësojnë njëra-tjetrën. Laver Bariu ndodhet në qendër; ai është kudo dhe kurdo si personazh përmes të cilit Tole ofron të dhëna të qëndrueshme historike, sociologjike, antropologjike dhe natyrisht kulturore e muzikore. Prandaj libri i V. Toles shfaqet edhe si vepër letrare, si skenar filmi dokumentar, po edhe si film i gjatë, e në radhë të parë si dokument i shkruar shkencor etnomuzikologjik etj.

Ngado që lëviz usta Laveri, të shoqëron me ngjarje, ahengje, dasma, rituale, pra shfaqet një jetë në lëvizje, që rrjedh pa ndërprerë në një mjedis tipik shqiptar. Talentin dhe aftësitë e tij prej instrumentisti nuk i mbajti vetëm për vete; ai i ndau me të tjerët. Angazhimi i tij në grupe (saze) solli afirmimin e sazeve, por edhe të formave muzikore, siç ishte kabaja. Tole, me përvojën e tij shkrimore, tekstore e hulumtuese, ofron edhe çaste interesante e relaksuese për lexuesin përmes skenave e momenteve anekdotike me frymë humori, por edhe çaste të përjetimeve emocionale etj. Tole, në librin e zgjeron qasjen e tij edhe në problemet e jetës, të historisë, të mënyrës së jetesës së përmetarëve, të lidhjeve të tyre familjare ndërfetare, por edhe etnografike e shoqërore. Konstatimet e tij mbështeten në faktet e burimeve të sigurta e të verifikuara bindshëm, të dhëna që i ofrohen lexuesit të interesuar.

Nga historia kulturore, Përmeti njihet si çerdhe e shumë instrumentistëve të dalluar, këngëtarëve e valltarëve të shkëlqyer, po pse doli në krye pikërisht Laver Bariu? Sepse ishte më i talentuari, ushtrohej më shumë dhe natyrisht e donte pa masë muzikën. Përmeti pati shumë saze. Citojmë këtu thënien e një përmetari: “Përmeti ka dhjetë shtëpi dhe njëqind palë saze”. Instrumentist i disa instrumenteve, i madh pa dyshim, por po del që ka qenë edhe njeri i madh. Për këtë dëshmojnë edhe mendimet, deklaratat e shumë personaliteteve të shquara që janë shprehur pas vdekjes, po edhe sa ishte gjallë vetë ustai.

Tole, nëse me botimin e parë i kishte bërë një portret, këtë radhë i ka ngritur një përmendore të shkruar që do të përmbysë kohët. Ditën kur ndërroi jetë Laveri qau e vajtoi gërneta, rënkoi Përmeti dhe e tërë shqiptaria. Për humbjen e tij u thanë shumë fjalë, u shkruan e u thurën elozhe meritore…

Për një kohë të gjatë shqiptarët do t’i gëzohen faktit se në jetën e tyre ka pasur një Laver Bari. Ai nuk u bë i madh nga epitetet, por nga punët e tij dhe trashëgimia që la pas. Lëvdatat për të nuk u thurën vetëm pas vdekjes, por që nga paraqitja e tij si instrumentist në moshë fare të njomë. Librin e begatojnë ilustrime të fotove të përzgjedhura të usta Laver Bariut nga raste të ndryshme të jetës së tij kulturore, pastaj mirënjohjet e shumta, pjesëmarrjet në festivale, në koncerte, në emisionet në radio e në televizion etj. Përmes këtyre fakteve dëshmohet shumanshmëria e veprimtarisë etnomuzikore të Laver Bariut. Fama dhe popullariteti që ai pati nuk i erdhi, nuk i piku nga qielli pa meritë. Për të pati shumë e shumë shkrime individuale, intervista, mirënjohje, dekorata e tituj etj.

Laver Bariu bën pjesë në grupin e personaliteteve të rralla të kulturës shqiptare që u deshën, u respektuan dhe u lavdëruan me meritë. Ai ndihej pak fatkeq që nuk pati mundësi të shkollohej, sidomos të arsimohej në artin e muzikës, dhe për këtë thuhet se i kishte mbetur merak. Përkundër këtij fakti, ai nuk pati komplekse dhe nuk u ndie inferior në asnjë çast ndaj të tjerëve që kishin mbaruar shkollën. Shqiptarët janë krenarë dhe do ta ruajnë përherë në kujtesë dhe në zemër personalitetin e usta Laver Bariut. Ai e bëri gërnetën të qeshë e të qajë; gazmore dhe vajtore.

Lind pyetja: Gërneta e lartësoi Laverin apo Laveri gërnetën? Megjithatë, Laveri ishte triumfues i padiskutueshëm mbi gërnetën, por pa gërnetën nuk dihet a do të ishte Laver Bariu, fama e të cilit do t’i kalonte kufijtë e shqiptarisë.

Në përfundim, atij që do t’i bjerë në dorë ky libër do t’i thosha: “Fillo të lexosh faqen e parë; nuk do të ndalesh deri te faqja e fundit, nuk do të pendohesh. Siç e thamë, rrëfimi merr edhe karakter letrar, hulumtues e shkencor; do të të provokojë e do të të tërheqë që të vazhdosh ta lexosh, do të të kënaqë, do të të zgjojë kureshtjen dhe do të mësosh shumëçka. Lexoje! Do t’i jesh mirënjohës autorit të librit për kontributin e çmuar hulumtues e shkencor që ka dhënë për ta ndriçuar veprimtarinë kulturore të një figure të madhe, duke përfshirë vlerat e shumta kulturore që kishte dhe ka Përmeti. Por falënderimi dhe lavdëria shkojnë më shumë për usta Laver Bariun, që jetoi në kohën tonë dhe në jetën kulturore jo vetëm të Përmetit, por edhe në atë mbarëshqiptare.