Suplementi Pena Shqiptare/ Alma Zenellari: Atje ku veten më s’e njoh

Më prit!
Më prit tek shkëmbi
ku thyhet dallga,
ku thinjet kënga e një pulëbardhe;
se ndoshta kthehem përsëri
se orët ndoshta më sjellin tek ti.

Më prit te bregu
ku mërmërin deti
dhe valët kthen mjellma të bardha.
Se s’di ç’ta bëj këtë mall për ty!
Se malli sythe ka mbirë në sy.

NOA

Ndoshta mungon,
një breg, një shkëmb.
Të gjitha udhët ndoshta janë zënë!
Ndaj,
ti bëmë udhë te zemra jote,
atje ku veten më s’e njoh,
atje ku sytë e t’u bëjnë dritë,
tek zemra jote, ti më prit!

 

 KËNGA IME PËR TY, BRIET

 

Sa herë i avitem fytyrës tënde,

thith aromën tënde ,

paqtohem me veten.

Sa herë të shoh kuptoj se,

gjithë universi është mbledhur,

në ninëzat e syve të tu blu.

Të marr në përqafim dhe mbytem

nga dallgët e mallit për ty!

 

Pëshpërimat e mia të ngazëllimit,

bëhen flutura që rrahin krahët papushim.

Dhe s’di ç’më ndodh,

dhe s’di ç’emër t’i vë

ndjenjës që më pushton,

lotit që zbret nën qepallë!

Të gjitha ndjesitë e bukura më kaplojnë.

Lumturia hyn në shpirt, Briet!

 

Ti erdhe në këtë jetë tok me dallëndyshet

Po rritesh bashkë me to!

(Kjo s’është një metaforë)

Ato vijnë me cicërima pranë folezës tënde;

Të mësojnë të këndosh me gjuhën e tyre.

 

Oh, dallëndyshja ime!

Si më mësove të të dua kaq fort,

si më mësove ta mbledh këtë dashuri

damarëve të mi.

Sa herë i avitem fytyrës tënde,

aroma jote e pazëvendësueshme

hap poret e shpirtit dhe bën hoje.

 

Rrënqethem nga e panjohura!

Ti bëhesh zana e dritës, zana e luleve.

Shndërrohesh dallëndyshe, shndërrohesh bletë.

E shtrenjta ime, Briet!