FSHAT E ZANAT
Murrashi
Kjo ka ngjarë në një fshat,
S’i thonë kot: “fshat e zanat”.
Mu te vila, kryevila,
Kopshti plot me trëndafila,
Zambakë, vjollca, tulipanë,
Borzilokë, jargavanë
Dhe zymbyla anembanë.
Qark e qark një qen murrash
Ruan vilën pash më pash.
Lulet, kopshtin për çdo ditë
I përmjerr a i ujit?
Odat krehur, veshur mirë;
Dyshemeja ndrit pasqyrë.
Por tespihet po dredh plaku:
– Ç’ka që qelb i gjithë konaku?!
S’la ekspert pa sjellë, në botë;
Nga vjen era, s’e gjen dot!
Ia plas fqinji: – Byrazer,
Sa të kesh Murron në derë,
Nuk të shqitet ajo erë…
Fshat e zanat
– Fshati ynë ka një këndes,
Na bën zgjimin që më pesë!
– Çfarë pese, më mirë hiç!
Fshati ynë ka një kërriç,
Që më tre pëllet kodoshi:
Çohet fshati dhe kaposhi…

Mos paç hall!
Te Bashkia mos paç hall,
Zyrë më zyrë vjen vërdallë
Porsi rrotë, porsi mole,
Sa dhe breshka të bën qole…
Njëherë
Njëherë natën te një fushë
Një polic po vidhte rrush.
Roja rojës seç “ia futi”:
– Shpejt, njofto të vijë hajduti!
Molla
Peshkatari një barrë shkollë,
Ç’i rras grepit fët një mollë.
Burrë i zgjuar, ia pret mendja:
Molla krimbat i kish brenda…
Takimi
Një çoban, çoban Filani,
Kish takim te Taivani.
Dhentë fët i kyç në stan,
Niset për në Taivan…
Dhëmbët dhe gjuha
Një qen ujku në katund
I ranë dhëmbët më në fund.
Ç’u shtri gjuha mirë e mirë:
– Tash e tutje jam e lirë…
Polifonia
Katër korba mbi një degë
Mbanin djathin fort në sqep.
Dhelpra lajkat qet çikrik:
– Pa shih, ç’grup polifonik!
Fugë
Struci fugë, si shigjetë…
I tha kthesës: – Kthehu drejt!
Krapi
Rren maçoku: – Flas pa hile,
Kapa krapin plot dhjetë kile!
– Ham, ham, ham! – leh një zagar: –
Pati vallë dëshmitarë?
Daci bishtin “hop” përpjetë:
– Të mos kish, do qe njëzet…
Shenja
Mu në barkë dy peshkatarë;
Sot u shkoi peshkimi mbarë.
Ç’i tha njëri shokut tjetër:
– Vër një shenjë, të vijmë dhe nesër!
Tjetri shok pa zhurmë e bujë
Bëri fët një vrimë në ujë…

Krokodilët
Pranë lumit “ngrin” një rikë.
– Futu, lahu, mos ki frikë! –
I jep zemër keci çil. –
S’shoh gjëkundi krokodilë.
Rika ndien të thartën shije:
– Kec, të qasen si hafije;
Janë nëndetëse, jo anije…