Suplementi Pena Shqiptare/ Sulejman Mato: Mushkonja

203
Sigal

Isha në një gjendje mes gjumit dhe dremitjes, kur ndjeva zhurmërimën e një mushkonje mbi fytyrën time…? Prita si një gjahtar që preja ime të kthehej sërish. Çasti nuk vonoi. E ndjeva zhurmërimën e saj si një zhurmë avioni. Nuk prita të më ulej mbi ballë. E qëllova me një shuplakë…Në fakt kisha qëlluar mbi fytyrën time. Ishte errësirë dhe unë nuk mund të orientohesha dot. E merrja me mend se duhet të ishte diku rrotull, drejt një sulmi të ri. Ndjeva zhurmërimën e saj sipër meje. Ndërkohë që krahët e saj më prekën majën e hundës, ngrita dorën në ajër për t’i dhënë goditjen vdekjeprurëse. Dështova suksesshëm. Hëm! Një insekt mikroskopik, të vjen tinës e tinës dhe jo vetëm të prish gjumin…Ndërkohë insekti mikroskopik nisi një sulm edhe më i befasishëm. Nuk e kuptoja se për çfarë arsyesh më kishte zgjedhur mua viktimë të asaj mbrëmjeje. Sulmin e tretë e prita me dorën lart.

E ndjeva në çast. Mbërriti vetëtimthi dhe m’u ul mbi majën e hundës… U ngrita, ndeza dritën dhe nisa ta kërkoj gjithandej. Si nuk e pikasa askund, mbylla dritën dhe vendosa të fle duke futur kokën nën çarçaf.

Mirepo, mirësjelljen time insekti misterioz e kuptoi si një tërheqje nga beteja. Nisi të trimërohet e të më turfullojë mbi krye, ndërkohë që unë nisa të turfulloj nën batanije. Më ngucte të trimërohesha, të nxirrja kokën e t’ i dilja në duel.

S’mbaj mend sa kohë qëndrova kështu, me kokë nën batanije, sepse më kishte zënë gjumi.

Mbrëmjen tjetër e kisha harruar fare punën e mushkonjës. U futa në dhomën e gjumit dhe sa u shtriva, sërish e njëjta zukamë… Zukatja e saj më kujtoi avionin kamikaz që rrëzoi përtokë kullën e Nju-Jorkut. Duhet të gjendej në cep të dhomës duke pritur të dëgjonte dremitjen time.

Mirë, pra. Fillojmë. Nëse ti e quan veten insekt inteligjent… do ta marrësh vesh shpejt heroizmin tënd.. Duke përfituar nga një hutim i rastit, u sul si vetëtimë dhe më pickoi në qafë. U ngrita, ndeza dritën e dhomës dhe nisa ta qëlloj me jastëk, gjithandej, duke bërë një rrëmujë të paparë. Meqë jastëkët nuk më bënin punë, shkova në banjë, mora shkopin me leckë me të cilin pastrojmë pllakat dhe nisa të qëlloj kudo ku ajo përpiqej t’i fshihej furisë sime: në tavan, nëpër mure

Mbylla dritën dhe, si një njeri i arsyeshëm, praktikova edhe natën e dytë variantin nën çarçaf.

Gjatë ditës tjetër unë ia lashë hapur dritaren dhe derën e ballkonit për t’i dhënë mundësi të tërhiqej nga beteja. Atë mbrëmje shkova në dhomën e gjumit më vonë se herët e tjera. Më doli gjumi në të njëjtën orë që kamikazja kishte orarin e sulmeve. Vërtitej si të ishte në shtëpinë e vet. I kishte pëlqyer komoditeti dhe ngrohtësia e dhomës dhe kishte menduar të mos largohej më prej saj? “Kësaj here duhet ta vras. Do ta lëviz dorën ngadalë… do ta lë të afrohet…”

Ndërkaq zukama e saj u ndie fare pranë. Erdhi dhe u largua. Sikur të bënte rikognicion terreni. U vërtit sërish, në lartësi, rreth gjysmë metri mbi fytyrën time dhe u largua sërish.

Qëndrova gati 20 minuta me dorë në ajër, në pritje të bishës së vogël gjakësore. E ndieja dorën si të mpirë. Ajo duhet ta kishte parë dorën time të zgjatur lart, ndërkohë që unë, ashtu, me dorën lart kisha dremitur pak… ”Nuk ia vlen të rri zgjuar, -mendova. Futa kokën nën çarçafë dhe fjeta.

Netët e tjera u përsërit e njëjta histori. Por unë, si njeri i arsyeshëm dhe me përvojë, zbatova taktikën vetëmbrojtëse: “Koka nën çarçaf”. Kishim bërë një marrëveshje të heshtur: ajo pranonte të banonte për ca kohë në dhomën time dhe unë pranoja të flija për ca kohë me kokën nën çarçaf.

Erdhi një ditë që kafshëza gjakpirëse u largua nga dhoma ime e gjumit dhe unë nisa t’i harroj netët tona të betejave.

Megjithëse, nuk dihet?! I teket të vijë sërish dhe ne do të nisim sërish betejat tona.