Porsi yll ndriçon papritur
flokëve më hedh kurorë
dhe lë pas një tis të ndritur
dhe lë pas një meteor.
Dhe më lë gjirit ca malle,
malle që më përvëlojnë,
në fole më lë mes valëve,
edhe ikin, edhe shkojnë.
Porsi hënë, rri duke pritur,
të pushoj një çast kjo borë,
ca kristale rrinë mërzitur,
mbi gjethenjomën kurorë.
Bëj t’i shkrijë dhe si shkrij dot,
janë ngrirë, janë gurëzuar.
Nuk e di, a do të ndritësh sot?!
Mbeta pragut, Hënë e gjysmuar.
Pse thyen hojen e bekuar?
Ti nuk di ta mbash ndër duar,
shpirtin tim, që rreh gjethuar,
se tek shket e bie thërrmuar,
tretet ofshamave duke vuar.
Përmbi gjethnajë e pikëlluar,
dashuria me zë të shuar,
vajton këngën që s’u këndua,
refrenin që vranë buzët e tua.
Se një shpirt i dashuruar,
ka dy sy e buzë pjalmuar,
diell e hënë pa re mbuluar,
oqean me perla zbardhuar.
Se tek hedh akull dhe ngricë,
ia thanë buzët dhe dy sytë,
kur derdh breshër me tepricë,
thyen perlat dhe i mbyt…
Kur s’di t’më mbash ndër duar,
t’ma lexosh shpirtin qetuar,
t’më puthësh ëmbël gjer në thua,
pse thyen hojen e bekuar ?!…
Lermë të vij…
Lermë të zbres Hënën prej qiellit,
errësirës se natës shtatit heshtur,
lermë të puthëroj lindjen e diellit,
syrit qiellor, që vështron qeshur.
Në të pëlqefshin netë mrekullie,
pranverën do hedh përmbi buzë,
në të pëlqefshin fjalë dashurie,
zinxhir argjendi do t’i var në gushë.
Nëse shpirtit mbin bisqe lumturie,
syve shpërthyes lind një shpresë,
nëse thua: Dua mëngjes bukurie!
Muzg djersiturin, do mbledh vesë.





















