“Sa herë diskutonim për librin e kujtimeve, Dritëroi më thoshte: Është shpejt. Kam kaq shumë plane , sa më duket se nuk do ta shkruaj kurrë këtë libër. Unë jetën dhe kujtimet e mia i kam të shkruara në librat e mi, në prozë e në poezi. Personazhet e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve apo të gjithë ata që kam njohur në fusha të ndryshme të jetës politike, kulturore a ekonomike i kam shkrirë në veprat e mia, me pak ndryshime. A e kam ndërgjegjen e qetë për veprimtarinë time të periudhës më të hershme dhe të mëvonshme?
Nuk kam krijuar kurrë alibira dhe gënjeshtra për jetën dhe veprimtarinë, kam shkruar dhe vazhdoj të shkruaj siç i kam përjetuar dhe siç i përjetoj. Kam shkelur me këmbë shumë e shumë fshatra të Shqipërisë nga Veriu në Jug dhe kudo kam zënë miq, por asnjëherë nuk kam shkruar se dikush nga këta më ndiqte i vënë nga Sigurimi i Shtetit. Unë kurrë nuk e kam redaktuar jetën time. Po nejse…Këto do të shkruhen në libër. Tani vendosa: do të shkruaj të vërtetën lakuriqe siç ka qenë. Deri tani më vinte turp për hir të një miqësie të dikurshme, por, kur lexon absurditete dhe trillime, të ngrihen qimet përpjetë nga pacipëshmëria njerëzore.
Prandaj nuk kam pasur dëshirë të ulem e të shkruaj këto kujtime, se më dhemb shpirti kur shoh sesi ndryshojnë krejtësisht në karakter njerëzit. Unë këta njerëz mezi i shoh në filma, pale pastaj të ulesh në tavolinë me ata e t’u japësh dorën. Kur të plakem edhe pak, do të jem më gjakftohtë ndaj këtyre ndodhive dhe do t’i shkruaj kujtimet pa rënë në pasione. Dhe ata, personazhet e këtyre kujtimeve do të jenë plakur, do të bëhen më fisnikë, shpresoj, dhe do të buzëqeshin për absurditetet që po shkruajnë sot me qëllime të caktuara apo jo. Është punë e tyre. E lëmë këtë bisedë, se më sjell trishtim .”
Dhe Dritëroi ulej e shkruante në heshtje poezi.”
I pëlqente fort të bënte humor e të fliste për humorin, babit. Jo në pak intervista e ka përmendur këtë fakt.
“ Edhe për kohën e sotme kam për të folur jo pak,- thotë diku Dritëroi.- Edhe kjo kohë ka shumë pehlivanë. Është kohë humori. Në humor unë gjej lirinë. Dikush thotë: “ Humori është kështjella e fundit e lirisë, është hapi i fundit i tërheqjes. Ta lëshosh këtë kështjellë, do të thotë të dorëzohesh . Ta mbash, do të thotë të kalosh në ofensivë”. Prandaj për mua është i shtrenjtë humori .”
Dialog …
Gazetari: Kur ka menduar Dritëroi i zakonshëm për t’u bërë një Dritëro i pazakonshëm, seriozisht, shkrimtar ?
Dritëro: Që kur kam qenë në tetëvjeçare. Po jo që të bëhesha shkrimtar. Mendoja që të merresha me shkrimet, me leximet. Ndikimi i këngëve popullore, i Naimit , i Çajupit , i gjithë leximeve të mia deri atëherë dhe i gjyshes sime që ka qenë një romanciere e madhe, në këtë kuptim, që tregonte përralla dhe histori. Dhe në përgjithësi, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, romancieret e para kanë qenë gjyshet tona. Ato tregonin përralla dhe romanin ‘ç’është’ ? Një përrallë që tregon me tre vetë. Domethënë një i mirë, një i keq dhe një që ndërhyn midis tyre për t’i ndarë.
Gazetari: Cili është libri i parë që keni lexuar në jetën tuaj ?
Dritëro: Është “ Historia e Skënderbeut “ i Naim Frashërit . E kam lexuar që kur mësova të lexoja , në shkollë fillore .
Gazetari: Çfarë është koha për ju dhe çfarë janë kujtimet ?
Dritëro: Koha shuan, fshin. Asgjë nuk mbetet në kohë si në momentin kur ndodh. Harresa, them unë, është virtyti më i madh dhe gjëja më e mirë në këtë botë. Megjithatë, kjo nuk është e vërtetë për krijimin. Herë pas here, kujtimet dalin në sipërfaqe, si nëpër ato filmat fotografikë, që nën veprimin e solucioneve, bëhen të dukshëm, të qartë. Ngacmimet bëjnë që kujtimet të shfaqen. Dhe mua më ndodh shpesh kështu. Jam si një film kur bie në kontakt me ujin.
Gazetari: Nëse do të kishit shumë në dorë, ç’do të bënit për shqiptarët ?
Dritëro: Nuk do ta tensionoja politikën, do t’i lija njerëzit të lirë.