Suplementi Pena Shqiptare/ Petrit Ruka: Një mbresë nga dita e sotme

Më takoi në rrugë një shok sot dhe pa më dhënë dorën akoma e këndoi si një këngë këtë varg dhe më tha:
– Çfarë nderi i ke bërë fshatit të Pilurit, o njeri, me këtë varg në baladën tënde “Nëntë vjet e nëntë ditë.”
Mbeta për një çast pezull, se mua as nuk më kish mbetur në kujtesë e as nuk më kish lënë ndonjë mbresë të veçantë ky varg i thjeshtë.
Po ai vazhdoi në të tijën: – Po pse, ore, nuk vure emrin e fshatit që të ka bërë kokën, Turanin tënd?
Nja dy tri sekonda nuk dita se si t’i përgjigjesha. Mendova me vete: “… ec e merre vesh se ku qëndron tjetri, kur lexon një këngë tënden, aty ku nuk ta pret fiqiri…”
– Të të them të drejtën nuk më ka shkuar ndonjëherë ndër mend kjo gjë, – i thashë. – Po edhe ty ku të ka vajtur mendja?…
“Shok me malin,”… eeej, po pse çfarë nderi më të madh mund t’i bëhet një fshati? -nguli këmbë… -Shok me malin! Sa më pëlqen!… Po të paktën,… a të ka falënderuar ndonjë piluriot? -pyeti prapë.
-Më ka falënderuar Timo Mërkuri… Dhe e dyta… Piluri është aq i bukur, sa e meriton ta zgjedhësh si më të parin e Shqipërisë… Po mbase meritën për këtë e ka edhe Lefter Çipa, – i thashë unë, bardi i madh himariot i këngës labe, që e bëri të njohur si yllin më vezullues të polifonisë shqiptare.
Hajde e merre vesh se si e ka peshuar truri atë çast, kur e zgjodha për baladën njëmijë vjeçare,… se mos ka qenë në dorën time…

 

Sigal