Suplementi Pena Shqiptare/ Izet Shehu: Botën sonte përshëndes

47
Sigal

Botën sonte e përshëndes:

Nënave të përvëluara u bie në gjunj,

Natës së acartë një zjarr bubulak i ndez,

të mos ngrijnë ata që flenë nën urë.

Botën sonte e përshëndes:

Shtegtarëve u uroj udhëtim të mbarë,

lotëve u them: shndërrohuni në vesë,

trishtimit i them: bëhu trëndafil i bardhë!

Botën sonte e përshëndes:

Njerëz, ju lutem, bëhuni më njerëz!

***

U flas drurëve: drithërojnë,

u flas bishave: nxjerrin dhëmbët.

Botë, moj botë, kudo njëlloj

të qëndrojnë mbi krye këmbët.

 

Piramida

A e ke parë piramidën e kafshatës,

më thuaj, të lutem, a e ke parë?

Mbi të rënkon pesh’ e mëkatit,

rënkojnë shpirtëra të vrarë.

Një qiell i tërë me ulurima,

një grigje e çalë e uritur,

një curilë lotësh bie mbi rima,

bie mbi vargun tim të dridhur.

Një grigjë e tërë shurdhmemece,

një grigjë e tërë e pagojë,

në vend të barit përtyp gurë,

dhe qiellin heshtur blasfemon.

A e ke parë piramidën e dhimbjes,

kafshatën e mbetur metaforë?

Rëndon mbi të rëndesë e gjindjes,

në shi, në breshër e në borë.

 

Kjo “Botë e lirë ”

As guri s’paskërka mëshirë,

as shenjti s’qenkërka vërtet shenjt,

përderisa qëndron i ngrirë,

dhe s’na e thotë një fjalë me mend.

Skifteri s’kërkoka pendesë

për cinkat e shqyera në erë,

por sqepin fshin e lan me vesë,

dhe sulet gjithë vërtik e tmerr.

As guri s’paskërka mëshirë,

as shenjti s’qenkërka vërtet shenjt,

përderisa kjo “botë e lirë”,

me kthetra shqyen kurmin e vet.