Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Zilja: Si u shëmtua “Zana Popullore” e folkloristit shkodran Kasëm Taipi

243
Sigal

Kasëm Taipi( 1893-1935 ) një nga mbledhësit e rrallë të folklorit shqiptar  botoi në vitin 1933 vëllimin me këngë popullore kryesisht atë qyetit të shkodrës  dhe të Veriut me titullin Zana Popullore.” Botimi përfshinte këngë shkodrane atdhetare, patriotike, trimërie, të dashurisë, të ahengut  shkodran, bejtet e famshme shkodrane dhe shprehje frazeologjike. Llogariten rreth 22.000 vargje nga trevat shqiptare të Veriut të marra drejtpërdrejt nga populli. Libri pati një  jehonë të jashëzakonshme në kohën që u botua.  Në parathënien e tij te libri “Zana Popullore”  Kasëm Taipi plot thjeshtësi e me dorën në zemër shkruan: I shtyem prej dëshirit që me e vjeftun edhe unë me fuqitë e vogla të mija, zhvillimit të historisë kombëtare dhe përparimit të gjuhës qysh prej vitit 1915 (22 vjeç )nisa të përmbledhë e të përshkuej me kujdesin ma të madh këngë të ndryshme të popullit..” Vështirë të gjesh sot një botim të “Zanës Popullore.” Ata pak shkodranë që e kanë e ruajnë si relike të jashtëzakonshme plot vlera dhe nuk e nxjerrin nga shtëpia. Këngët ai i mblodhi drejtpërdrejtë nga populli, duke shëtitur më këmbë gjithë krahinat e veriut, duke i dhuruar një pasuri të paçmuar  popullit shqiptar dhe veçanërisht atij shkodran. Shkodra si djep i qytetërimit shqiptar ka nxjerrë një numër shumë të madh artistësh, poetësh, këngëtarësh, aktorësh, piktorësh kompozitorësh, shkrimtarësh etj. Kasëm Taipi eci në gjurmët e Zef Jubanit, Pashko Vasës, Ndre Mjedës, Filip Shirokës, Kel Marubit, Kol Idromenos, Vinsent Prendushit etj. Kjo trashëgimi vlerash bëri që ai edhe pse jo me shkollë të lartë ( nuk ka pse çuditen disa) të shkruajë me një gjuhë të pasur popullore e një renditje të saktë shkencore, me sqarime të hollësishme, gjithçka që grumbulloi e botoi. Ai i takon brezit të mbledhësve të folklorit shqiptar të shekullit të XX duke filluar nga Spiro Dine-ja (1846-1922) At Vinçenc Prendushi (1885-1949) At Bernardin Palaj (1894-1946,) At Donat Kurti(1902-1983,) deri te “I fundmi mohikanëve,” i palodhuri dhe i paharruari Fatos Mero Rrapaj.  Në vitin 1998 Instituti i Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë nën kujdesin e Selami Tabakut, Xhyher Canit me redaktor Safet Hoxha dhe recenzentë ( kurrë nuk e kam kuptuar këtë fjalë) Kozma Vasili e Rudof  Marku botuan librin: “Këngë Popullore Shkodrane” nga Kasëm Taipi. Po të mendosh se ky libër është botuar 65 vjet më vonë se “Zana Popullore” ( 1933) mendon se  do të jetë më i plotë, më i saktë dhe më i detajuar, me shënime e sqarime të  lavdërueshme. Por mjerisht nuk ndodh aspak kështu siç do ta shohim më poshtë. Është e çuditshme sesi në ribotimin e librit të Kasëm Taipit,  është vendosur vetëm parathënia e botuesve dhe jo parathënia e tij, gjë që nuk ka ndodhur as me Thimi Mitkon , as me Spiro Dinen e të tjerë. Natyrshëm lexuesi i sotëm do të dijë se ç’mendon, pse dhe ku i ka mbledhur këngët, cila është puna e autorit dëshirat, fjalët e tij dhe qëllimin pse ai ka bërë ato sakrifica të jashtëzakonshme për t’i mbledhur vullnetarisht. Por kjo nuk ndodh. Në parathënien e librit (bot. 1998) shkruesit deklarojnë: Në vëllimin që po paraqesim nuk kanë hyrë  të gjitha këngët e përfshira te “Zana Popullore.” Në të janë zgjedhur ato këngë që përfaqësojnë më mirë llojin sidomos epikën historike dhe janë hequr disa të tjera që janë më pak të realizuara…” Më tej vazhdojnë: Këngë të kësaj natyre (këngë lirike. shën im) të mbledhura nga Kasëm Taipi megjithëse dialektalizmat e sidomos  turqizmat që nuk  janë të pakta ua zbehin sadopak vlerat kanë mbetur e jetojnë edhe sot… Edhe dorëshkrimet janë seleksionuar sidomos nga vlerat artistike që ato ruajnë f.q 9…” Të mendosh se të gjitha këngët popullore shkodrane të kënduara nga Marie Kraja, Luçie Miloti, Ibrahim Tukiqi, Bik Ndoja, Shyqyri Hafizi, Mukadez Çanga e shumë djem e vajza dje dhe sot janë origjinale nga Kasëm Taipi dhe shijohen aq shumë nga të gjitha brezat në Shkodër, duket se sa të kota  dhe  të gabuara janë gjykimet e mësipërme.

Gjithë ajo sa citohet më sipër  është një shëmti e madhe  dhe të kujton ideologjinë e diktaturës  që në çdo lloj botimi hiqte e vinte sipas udhëzimeve të partisë vargje, e poezi të folklorit, madje poetëve të veçantë ua kthente në karton librat kur nuk u pëlqenin. Arsye tjetër se ato nuk duhen prekur është se ato janë materiale burimore që Kasëmi Taipi, Shkodrani i  Madh, i ka mbledhur nga goja e popullit dhe si të tilla kanë vlera të jashtëzakonshme. Mendim im është që këto këngë të mos preken e të shkruhen ashtu si janë. Edhe nëse në to ka turqizma, greqizma e sllavizma e ndonjë pasaktësi historike, fare thjeshtë ashtu si në shumë botime të këtij lloji jepen sqarime e shënime në fund të këngëve. Por të vësh dorë mbi ato thesare është e pafalshme ( në disa raste janë hequr e venë vargje të tjera siç pohojnë autorët e parathënies)  e kjo s’është gjë tjetër veçse mendësi enveriste ose në rastin më të mirë padituri ( injorancë) e redaktuesve. Për ta mbyllur këtë akt të shëmtuar po citoj poetin e madh Agim Shehu, një nga njohësit e thellë të folklorit shqiptar. Në Parathënien e librit “Këngë populloretë labërisë. Bot 1991)” mbledhur nga Fatos Mero Rrapaj, sa i përket fjalëve e thënieve të huaja ai shprehet: Një fjalor i tërë me struktura të foluri që shpesh tani s’janë më të gjalla u rrinë këngëve ngjitur nga e kaluara, siç rrinë myshqet e gjelbra në muret e kështjellave. Fraza të hershmë disi arkaike tani rrinë varur në shtatin e këngës si veshje të lashta dalë nga përdorimi. Gjithë kjo materie ka fytyrën dhe gjuhën e kohës së vet. Mjaftojnë shënimet poshtë dhe ai fjalor hap gojën të të flasë atë që mban brenda (fq 5.)”  Por bëmat  në “përpunimin “ e ribotimin e veprës së Kasëm Taipit nuk mbarojnë këtu.  Parathënësit na bëjnë me dije: “ Jemi nga fillimi i shekullit tonë kur në Shkodër më parë se në qytet e tjara kanë filluar të shtrihen më gjerë marrëdhëniet kapitaliste në prodhim … Të kësaj kohe janë krijimet e natyrës folklorike : “Kanë ikur shegertët e kundraxhinjëve” dhe  “Gjithë punëtorët në kamë janë çue.”  Këto janë dhe të parat këngë për lëvizjen e klasës punëtore në vendin tonë…”  Vetë botuesit (faqe 108) sqarojnë se poezia e parë është në kujtim të një ngjarjeje të vitit 1877 dhe shtojnë se “ është greva e parë e punëtorëve” në Shqipëri.  Në Epikën Historike 2, botim i Akademisë së Shkencave, viti 1981, në parathënie gjejmë po të njejtin arsyetim, për këto këngë, që duket është kopjuar në vitin 1998: Elementë të kësaj teme te këto këngë dëshmojnë për lindjen e mardhënieve kapitaliste në qendrat e qyteteve. Kërkesat e punonjësve për shtesën e mëditjeve nga padronët, format e protestës kundër shfrytëzimit kapitalist borgjez paraqesin një fazë me shumë rëndësi të zhvillimit të ndërgjegjes së klasës tonë punëtore…”…  Po në parathënien e Ep. Hist. 2. bot 1981, pasi përmendën Hamz Kazazi, Dasho Shkreli, Tafil Buzi, Rrapo Hekali, Zenel Gjoleka, etj. theksohet: ” Në figurat dhe gjestet e tyre gjen një shprehje të lartë ideja marsist-leniniste se masat janë krijueset e vërteta të historisë” faqe 8” dhe më tej: Këngët kanë nxjerrë në pah vazhdimisht lidhjet reaksionare, antipopullore, antipatriotike të klasave sunduese. Në to shihet qartë se pushtuesit kanë gjetur mbështetje herë pas here te pashallarët vendas të cilët kanë shërbyer si agjentë për skllavvërimin e popullit..fq 24,”   Këto lloj gomarllëqesh i gjen për këto këngë pothuaj në të gjitha botimet e para vitit 1990 dhe kjo është e kuptueshme, ndryshe partia nuk i botonte.  Në vitin 1981 kjo e folur e drunjtë edhe justifikohet, por të flasësh me këtë gjuhë në vitin 1998 është e papranueshme. Të vazhdosh më këtë “muzikë” në vitin 1998 kjo do të thotë, që gjithçka në parathënie është kopjuar nga parardhësit pa menduar  ose autorët as ia kanë haberin fjalëve: marëdhënie borgjezo kapaitaliste, dhe klasë punëtore. Në të dy rastet është për të ardhur keq. Por ka edhe më. Në parathënien e ribotimit të Akademisë së Shkencave thuhet: Mbledhësi patriot ka përfshirë në vëllim edhe këngë që pasqyrojnë kryengritjen e vegjëlisë së Shkodrës kundër ligjeve të Tanzimatit. Në këto këngë përfshihen figura të tilla si ajo e Hamz Kazazit…faqe 7” . Në faqen 79 te kënga për Hamz Kazazin jepet sqarim krejt tjetër se:  Shkodranët u ngritën (viti 1835) kundër sundimtarit turk për arsye se kërkonte 100 ushtarë për kalanë e Shpuzës dhe 75.000 grosh për riparimin e kalasë nga tregëtarët e qytetit. Shënimi i dytë është i vërteti. Fakti historik është se reformat e Tanzimatit u shpallën katër vjet më vonë, më 3 nëntor 1839, në pallatin e Trëndafilave (Gjylhane) të Stambollit në një ceremoni madhështore ku u lexua dekreti i Tanzimatit (Hatti Sherif i Gjylhanes, Dekreti i Shenjtë i Gjylhane) për riorganizimin e Perandorisë turke.    Në këngën: Bini djem zoti ju dhashtë ( është shkruar “dhashë”) ka dy vargje ku thuhet: Pa ndigjoni ju, vezirë/ nuk asht Shkodra si n’Babune. Në fund jepet sqarimi; Në Babunë më 1831 kishte komanduar Mustafa Pasha veziri feudal kurse tani luftonte populli i  prirë nga Hamzë Kazazi, udhëheqës i dalë nga gjiri i saj. Siç shikohet gjuha e drunjtë e ideologjisë komuniste vazhdon të falsifikojë historinë. Hamz Kazazi në rini kishte mësuar mjeshtërinë e përpunimit të mëndafshit e jorganëve dhe merrej me tregëtinë e tyre. Në kohën e Mustafa Pashë Bushatit kishte ushtruar detyrën e kullukçibashit (komandant i rojeve të tregut të Shkodrës) që e mbajti deri në prag të kryengritjes kur e shkarkoi Hafëz Pasha. Në krye të kryengritjes u zgjodhën njerëz të pasur e me shumë ndikim në qytet si Hamz Kazazi, Hysen Beu, Haxhi Idrizi, Dasho Shkreli, Haxhi Avdurrahmani, Selja Kasëmi, Ali Bajrami, Jusuf Beu, Kasëm Hoxha, Faslli Doda, Abdyl Sokli, Sulejman Gjylbegu e tj. që përbënin parinë e Shkodrës. Dhe ja xhevairi i fundit i akademistëve që bëjnë ç’të duan me këtë pasuri që me aq mund i mblodhi Kasëm Taipi i Shkodrës.  Në rreshtat e fundit të Parathënies deklarohet gati me ngazëllim: “… Në vëllimin e ri është bërë ndonjë ndryshim i natyrës drejtshkrimore pasi Kasëm Taipi siç thotë vetë në fjalën “lexuesve të ndershëm” i ka rregjistruar këngët e tij siç i ka dëgjuar nga populli. Ky është padyshim kritëeri i botimit të folklorit por gjithmonë duke ruajtur një konsekuencë gjuhësore dhe me një kulturë paraqitjeje të gjuhës. Zanorja “ë” është kur lexohet sipas metrit dhe theksit të vargut, duke shmangur apostrofet e shumtë.  Janë ndjekur në vijat kryesore veçoritë e të folmes së gropës(!?) së Shkodrës. Për këngët e botuara janë marë për bazë edhe përmbledhjet ku ato zënë vend.” Le të shohim vetëm një këngë, që i bën jehonë kryengritjes së vitit 1835 të udhëhequr nga Hamz Kazazi dhe paria e Shkodrës. Kënga në botimin e “Zanës Popullore” mban titullin “Kënga e Hamz Kazazit” por ribotuesit e AK-së e kanë titulluar “Bini djem ju dhashtë zoti” gjë që e kanë bërë (ndryshimin e titujve nga origjinali) në një pjesë të madhe të këngëve, duke e shëmtuar edhe më shumë ribotimin. Qysh në titull fjala “dhashtë” është shkruar “dhashë”. Nuk po ndalemi në këtë çështje se gabimet drejtshkrimore janë të shumta. Strofa e parë, Iptida u këndue fermani/në mehqeme n’odë të kadisë/Shkodra të venë e bani/I erdh hakut Osmanllisë. Dialektin shkodran e kanë “rregulluar” kështu: “kndue” e shkruajnë “këndue”; fjala “ të venë” duhet “të vetën.” Në strofën e dytë lexojmë vargun e parë “Të shkunden dy fermana” kurse duhet:  “të shtunen dy fermana.”  Pra fjalët “të Shtunë” janë zëvëndësuar me “të shkunden.” Është me të vëtetë katastrofë.Te vargu: Hamza  a me do burra:  duhet: “Hamza aga me do burra” Te vargu 25 gjejmë: Vedvedin e ban “fisda” ku fjala “fisda” duhet fida (turq-theror.) Në çdo varg apo strofë do të gjenden gabime që ia ndryshojnë kuptimin fjalëve e rrjedhin si një lumë në çdo këngë të ribotimit. Duhet thënë se në botimet e Akademisë së Shkencave para vitit 90-të gjen plot budallallëqe në parathënie, ku për futet e ideologjia komuniste kot më kot, por sa i përket dialektalizmave, sqarimit të fjalëve të huaja, drejtëshkrimit  të fjalëve dhe sqarimeve historike, vështirë të gjesh gabime. Po ky sakatim kjo përqeshje e tallje, kjo qethje zero, që kalon hera-herës deri në depilim,  që i bëhët veprës së pavdekshme të Kasëm Taipit është e palejueshme. Kasëm Taipi vdiq shumë i ri vetëm, 42 vjeç. Thuhet që është varrosur pranë xhamisë së Luguçezmes dhe sot nuk dihet me saktësi varri i tij. Por populli Shkodrës  ia ka borxh ( ashtu si vlonjatët të madh, Fatos Mero Rrapaj) një monument, këtij biri të heshtur, që me aq zell, patriotizëm e dashuri na i përcolli këngët shkodrane e ato të Veriut.

Po i mbyll këto shënimet me fjalët e poetit Agim Shehu: Çdo këngë folklorike sidomos historike e kaluar ka vlerë kur ajo ka rezonancë të plotë në çdo ind të saj me logjikën historike të ngjarjes kënduar nga gjithë populli dhe pranuar nga historiografia jonë… Qoftë dhe një apo pak vargje të ndryshuara mund të tjetërsojnë ngjarjen dhe të shpërfytyrojnë heronjtë nga ideali dhe lufta e tyre.